2012-04-03 17:02:56

Java e Shenjtë e Madhe e Pashkëve
dhe mesazhi i saj


Me të Dielën e Larit, besimtarët katolikë filluan Javën e Madhe të Pashkëve. Po ç’kuptim ka kjo javë e cila është domethënia e ditëve të saj, që shënojnë kulmin e vitit liturgjik?
Domethënia është se Kisha Shenjte Amë kremton misteret e Dhëndrit të vet Shpërblyes. Jezusi zbriti mbi tokë për dashurinë e për shëlbimin tonë. Na shpëtoi me gjithë jetën e tij: me mrekullitë, me predikimet por në mënyrë të posaçme, me mundimet, me vdekjen e ngjalljen e tij. Këtë kremtojmë gjatë Javës së Madhe.
E dimë se kremtimi eukaristik i Meshës Shenjte është riparaqitje e mistereve të Krishtit që mundohet, vdes, ngjallet; e flijimi i Kryqit është ora e Jezusit. Çdo i krishterë, çdo katolik e rijeton këtë flijim, kremton me Kishën, në Kishë, bën përpjekje për t’i lexuar misteret e fesë përmes riteve liturgjike, para se të niset drejt Kishës, për t’i ndjekur pastaj më mirë, për të marrë pjesë më me përshpirtëri. Pjesëmarrja nuk është thjeshtë veprimtari e jashtme: në radhë të parë është bashkim shpirtëror me Krishtin e me Kishën. Natyrisht çdo besimtar kërkon më parë të rrëfehet, ta marrë në zemër Jezusin Eukaristi, të vihet për udhë të dashurisë së bashku me Kishën, së bashku me të Lumen Mari, gjithmonë Virgjër, që ishte pranë Krishtit kudo, posaçërisht mbi Kalvar e pranë Kryqit. Vihet për udhë edhe me Apostujt.
Kush nuk e kupton Javën e Madhe, nuk e kupton krishterimin; kush nuk merr pjesë në ritet kishtare që na përkujtojnë e kremtojnë misteret e fesë, është tepër i cektë në jetën e krishterë. E kjo, sepse Pashkët i japin kuptim çdo Meshe, çdo Eukaristie e kremtimi tjetër, posaçërisht kremtimit të Meshës çdo të diele që ne kremtojmë në ditën e parë të javës. E ditën e parë të javës, jo më të shtunën, por të dielën - ne e kremtojmë si ditën e Zotit, si ditën e Ngjalljes së Krishtit. S’kemi jetë pa të dielën – kanë thënë martirët e Abitenes, në Afrikën veriore. Ja, pra, kuptimi i Javës, që është zemra e vitit liturgjik të Kishës.
Në atmosferën e shenjtë të kësaj Jave të Pashkëve, është e trishtueshme të mendosh se për disa njerëz Pashkë do të thotë vezë të kuqe, shëtitje në det, vizita në shtëpitë e miqve, udhëtime pa fund, shëtitje në mal, ndeshje sportive, ngujim para televizorit…. Të gjitha këto gjëra janë të mira, nuk janë të këqija. Por sigurisht nuk janë zemra e Pashkëve. Zemra e thelbi i Pashkëve është pjesëmarrja në kremtimet e mistereve të Krishtit, të pranishme në liturgjinë Kishtare. Secili nga ne duhet ta programojë gjithçka tjetër rreth kremtimit të këtyre mistereve, përfshirë këtu edhe pushimin.
Kujtojmë edhe hiret e posaçme që fitohen duke marrë pjesë me gjithë shpirt në kremtimet e Javës së Madhe. Si gosti shpirtërore rreth sofrës së Zotit, Jezusi na ushqen me fjalën e tij, me sakramentet e tij, me Korpin e Gjakun e tij, na ushqen edhe me shoqërinë e mbarë bashkësisë së krishterë, sepse Zoti nuk na shpëtoi si një njeri i vetëm, por edhe si bashkësi. Kemi nevojë për të tjerët: për të qenë bashkë.
Sa e bukur ishte të dielën e kaluar pamja e Sheshit të Shën Pjetrit në Vatikan me turmën vigane mbledhur rreth Benediktit XV: pleq e fëmijë e deri foshnje, meshtarë e murgesha e sidomos të rinj, shumë të rinj, që kremtonin rreth Papës, në nivel dioqezan, Ditën Botërore të Rinisë, ndërsa sytë e Atit të Shenjtë e të rinisë botërore tashmë janë drejtuar nga Rio de Zhaneiro të Brazilit, ku do të takohen në për Ditën e ardhshme Botërore të Rinisë në nivel ndërkombëtar.
Pastaj Papa Benedikti rrethuar nga ipeshkvijtë e kardinajtë, mbarë populli i Zotit me palma në duar për nder e lavd të Krishtit Zot! Sa emocion ndjen kur shikon Papën në mbrëmjen e së Enjtes së Madhe të Pashkëve, duke u larë këmbët 12 meshtarëve që simbolizojnë 12 apostujve gjatë Meshës së Shenjtë në përkujtim të ditës së themelimit të Eukaristisë Shenjte! E kur jeton çaste prekëse me turmën e besimtarëve që mblidhet në amfiteatrin romak të Romës, Kolose, për të adhuruar Jezusin në Udhën e Kryqit, natën e së Premtes së Madhe të Pashkëve.
Kush mund të thotë se gjithë këto pamje nuk flasin vetë për dashurinë e pakufishme e shëlbimprurëse të Jezu Krishtit Zot, figurën dhe veprën e të cilit, gjatë kësaj Jave të Shenjtë, Kisha na propozon në një mënyrë krejt të veçantë, duke ftuar të marrim pjesë në misteret e shëlbimit shpirtëror.
Ngjarjet e Javës së Pashkëve i nxisin të krishterët, sipas shembullit të Jezu Krishtit, të bëhen apostuj të paqes në një botë shpesh të dhunshme e të paaftë për të falur e për t’u pajtuar me Zotin dhe të afërmin. Prandaj, Kisha fton të përgatitemi për Pashkë me një rrëfim të mirë, detyrë e rëndësishme kjo, që na jep mundësinë ta rifillojmë përsëri jetën tonë në Zotin, të kemi realisht një fillesë të re në gëzimin e të Pashkëve e në bashkimin e faljes, dhuruar nga Krishti i Ngjallur.







All the contents on this site are copyrighted ©.