Më 14 janar 2011, Papa Racinger nënshkroi Dekretin e Lumnimit: Gjon Pali II u shpall
i Lum më 1 maj 2011. Kremtimi u mbajt në Vatikan, kryesuar nga Benedikti XVI. Ishte
e Diela e Mëshirës Hyjnore, e lidhur fort me shenjtoren polake Faustina Kovalska,
që të dyja tejet të dashura për Papën Vojtila e për mbarë popullin polak. Edhe
një herë, në qendër të vëmendjes, Papa Vojtila, që arriti në cakun e lumnimit pas
njohjes së një mrekullie, bërë me ndërmjetësimin e tij, pak ditë pas vdekjes. Është
fjala për shërimin e një murgeshe franceze nga sëmundja e Parkinsonit. Përfundoi,
kështu, pjesa më e rëndësishme e procesit të Lumnimit, që filloi pa pritur të kalonin
pesë vjetë nga vdekja, siç kërkojnë normat kanonike, sepse Benedikti XVI nuk i respektoi
këto norma, ashtu siç kishte bërë edhe Paraardhësi i tij, kur ishte fjala për lumnimin
e Nënë Terezës, Themeluese e Misionareve të Dashurisë, vdekur më 1997, lumnuar më
19 tetor 2003. E këtë – shpjegoi Kongregata për Çështjet e Shenjtorëve - e bëri, duke
u nisur nga fama e jashtëzakonshme e shenjtërisë, që gëzonte Papa Vojtila sa ishte
gjallë, kur po vdiste e pas vdekjes. Faza dioqezane e Lumnimit zgjati nga qershori
i vitit 2005, deri në prillin e vitit 2007. Gjatë kësaj faze, u mblodhën dëshmi për
jetën, virtytet, famën e shenjtërisë e mrekullitë e Gjon Palit II, duke u nisur nga
dioqeza e Romës, për të vijuar edhe në dioqeza të tjera. Me dekretin e 4 majit
2007, Kongregata për Çështjet e Shenjtorëve njohu vlefshmërinë juridike të proceseve
kanonike. Në qershor 2009, si u shqyrtua Positio, apo dëshmia e arsyetuar e virtyteve,
nëntë këshilltarë teologë të dikasterit, dhanë mendimin e tyre pozitiv lidhur me virtytet
heroike të Shërbëtorit të Zotit. Një vit më pas, në muajin nëntor, duke ndjekur
procedurën e zakonshme, e njëjta Positio iu nënshtrua gjykimit të kardinajve dhe të
ipeshkvijve të Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, që morën vendimin përfundimtar. Më
19 dhjetor 2009 Papa autorizoi shpalljen e dekretit mbi virtytet heroike e mbi mrekullinë,
që postulacioni e kishte paraqitur për shqyrtim në Kongregatën për Çështjet e Shenjtorëve.
Është fjala për murgeshën franceze, Mari Simon Pierre, rregulltare e Institutit të
motrave të vogla të nënave katolike, që u shërua mrekullisht nga sëmundja e Parkinsonit. Më
21 tetor 2010, aktet e hetimit kanonik, kryer në përkim me të gjitha rregullat, si
dhe ekspertizat e mjekësisë ligjore, iu nënshtruan shqyrtimit shkencor nga ana e Konsultës
Mjekësore të Dikasterit për Çështjet e Shenjtorëve. Pasi i studiuan me vëmendjen më
të madhe dëshmitë e procesit dhe gjithë dokumentacionin, mjekët pranuan se ishte fjala
për një shërim, që nuk mund të shpjegohej shkencërisht. Më 14 dhjetor 2010, pasi
u njohën me përfundimet e mjekëve, Këshilltarët teologë vijuan veprimtarinë me vlerësimin
teologjik të rastit dhe, njëzëri, pranuan se mrekullia ishte kryer me ndërmjetësinë
e Shërbëtorit të Zotit, Gjon Palit II. Së fundi, më 11 janar 2011, u mbajt sesioni
i zakonshëm i kardinajve dhe i ipeshkvijve të Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve,
gjatë të cilit u mor, pa asnjë kundërshtim, vendimi përfundimtar: shërimi i rregulltares
Mari Simon Pierre, shkencërisht i pashpjegueshëm, është vepër e kryer nga vetë Zoti,
me ndërmjetësimin e Gjon Palit II, të cilit i qenë lutur plot besim, si murgesha e
shëruar, ashtu edhe shumë besimtarë të tjerë. Arkivoli i të Lumit Gjon Pali II
u mbart nga Kripta e Vatikanit, pa u hapur, për t’u vendosur në kapelën e Shën Sebastianit.
Kështu besimtarët e kanë më të lehtë të gjunjëzohen tek vendi ku pushojnë në paqe
reliket e Papës polak, ashtu siç bëjnë, kur duan të luten para trupit të balsamosur
të Gjonit XXIII, poshtë elterit të Shën Jeronimit, në bazilikën e Shën Pjetrit.