2012-04-01 17:48:16

“Dhurojeni vetveten”: ftesa e Papës për të rinjtë në Solemnitetin e së Dielës së Larit


T’i përgjigjemi me dhurimin e vetvetes, dhuratës më të madhe që Jezu Krishti do të na bëjë sërish gjatë kësaj Jave të Madhe të Pashkëve. Kështu tha sot Papa Benedikti XVI, gjatë Meshës në të Dielën e Larit, kremtuar në sheshin e Shën Pjetrit mbushur plot e përplot me besimtarë dhe zbukuruar me 13 ullinj shekullorë.RealAudioMP3
Tre, çastet kulmore të kremtimit: procesioni i palmave dhe i degëve të ullirit, që lartoheshin drejt qiellit me re të ditës së sotme, bekimi i tyre në qendër të sheshit të Shën Pjetrit, pikërisht aty ku ndodhet obelisku, e më pas, nga tremja e Bazilikës, kujtimi i Mundimeve të Zotit tonë Jezu Krisht.
Jezusi, tha Papa gjatë homelisë, ngjitet në Jeruzalem “për të plotësuar Shkrimin e Shenjtë e për t’u gozhduar në drurin e Kryqit, mbretëria, nga ku do të mbretërojë përgjithmonë”. Gjatë këtij procesioni, i cili u përsërit edhe sot, Jezusi shëron një të verbër dhe njihet nga populli i mbledhur rreth Tij si “Mesia i dëshiruar, që më në fund kishte ardhur”. “Ai që brohoritet nga turma si i bekuari i Hyjit – nënvizoi Benedikti XVI - është njëkohësisht edhe Ai, përmes të cilit do të bekohet mbarë njerëzimi. E ky është mesazhi i parë:
“Ftesa për një vështrim të drejtë mbi krejt njerëzimin, mbi njerëzit që formojnë botën, mbi kulturat e qytetërimet e ndryshme. Vështrimi, që besimtari e merr nga Krishti, është vështrim i bekuar: i ditur e i dashur, i aftë ta kuptojë bukurinë e botës e të ndjejë keqardhje për brishtësinë e saj. Në këtë shikim duket qartë vështrimi i vetë Zotit mbi njerëzit që Ai i do e mbi gjithësinë, vepër e duarve të Tij”.
Por çfarë ka në zemër, ai që i shpall botës Krishtin? Këtë pyetje u bëri Papa besimtarëve, të cilët, sidomos në prag të Javës së Madhe të Pashkëve, nuk mund të mos përpiqen të kuptojnë më thellë cili është Jezu Krishti për ta e ç’ide kanë për Zotin:
“Aq më tepër se pikërisht gjatë kësaj Jave, jemi të thirrur ta ndjekim Mbretin tonë, i cili zgjedh si fron Kryqin; jemi të thirrur të ndjekim një Mesi, që nuk na e siguron lehtë lumturinë mbi tokë, por na propozon lumturinë e qiellit, lumninë e Zotit. Atëherë, duhet ta pyesim veten: çfarë presim vërtet? Cilat janë dëshirat më të thella, me të cilat kemi ardhur këtu sot, për të kremtuar të Dielën e Larit e për të filluar Javën e Madhe?”
Më pas, duke iu drejtuar të rinjve, Papa u kujtoi shembullin e shën Kiarës së Asizit, e cila, vetëm 18 vjeçe, “pati guximin e fesë e të dashurisë, e vendosi të ndjekë Krishtin”:
“E Diela e Larit qoftë për ju dita e vendimit, e vendimit për ta pranuar Zotin e për ta ndjekur deri në fund, e vendimit për ta kthyer Pashkën e vdekjes e të ngjalljes së Tij në thelbin e jetës suaj si të krishterë. Është vendim, që sjell gëzimin e vërtetë”.
Kjo është java, vazhdoi Benedikti XVI, në të cilën duhet ta falenderojmë e t’i thurim lavde Hyjit për dhuratën më të madhe, që mund të imagjinohet, atë të jetës, të korpit, të gjakut e të dashurisë së Zotit tonë Jezu Krisht:
“Një dhurate kaq të madhe duhet t’i përgjigjemi si duhet, pra, me dhurimin e vetvetes, të kohës sonë, të lutjes sonë, të qëndrimit tonë në bashkim të thellë dashurie me Krishtin që vuan, vdes e ringjallet për ne”.
E në përfundim të homelisë, Papa kujtoi fjalët e bukura të shën Andreut, ipeshkvit të Kretës, i cili, duke pasur parasysh si i shtrinin për tokë mantelet para Zotit, kërkon të shtrijmë jetën tonë në këmbët e Krishtit, duke e adhuruar e falenderuar, për t’i ofruar fitimtarit mbi vdekjen jo thjesht degë palme e ulliri, por trofe të vërtetë fitoreje.








All the contents on this site are copyrighted ©.