2012-04-01 18:11:43

Kënaqësi e Selisë së Shenjtë për vendimin e Kubës: e Premtja e Madhe do të jetë ditë festive


“Fakti që autoritetet kubane pranuan menjëherë kërkesën e Atit të Shenjtë drejtuar presidentit Raul Kastro, duke e shpallur të Premten e Madhe ditë festive, është sigurisht shenjë pozitive”. Kështu pohon drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, përsa i përket vendimit të autoriteteve të Kubës për ta shpallur që kësaj Jave, të Premten e Madhe të Pashkëve, ditë, gjatë së cilës vendi do të mbyllë dyert e fabrikave e askush nuk do të punojë. “Selia e Shenjtë – vazhdon atë Lombardi – uron që kjo të favorizojë pjesëmarrjen në kremtimet fetare e përjetimin e festës së Pashkëve me lumturi. Uron gjithashtu që, edhe në të ardhmen, vizita e Atit të Shenjtë të vazhdojë të sjellë frytet e dëshiruara për të mirën e Kishës dhe të të gjithë kubanëve”.
Në pritje të vendimit përfundimtar të organeve kompetente, qeveria kubane vendosi ta pranojë kërkesën e Benediktit XVI, me dekret të jashtëzakonshëm. Njëlloj, në dhjetor 1997, presidenti i atëhershëm Fidel Kastro pati vendosur që 25 dhjetori, dita e Krishtlindjes, të kremtohej si festë nga të gjithë kubanët, në prag të vizitës që do të bënte në ishull Papa Gjon Pali II në janar 1998. Më pas, autoritetet kubane konfirmuan përfundimisht vendimin presidencial. S’ka asnjë dyshim se kështu do të ndodhë edhe kësaj radhe.








All the contents on this site are copyrighted ©.