2012-03-30 13:47:15

Papa në Meksikë e në Kubë: vlerësimi i atë Lombardit


Mediat ndërkombëtare vazhdojnë akoma të komentojnë udhëtimin e Papës në Meksikë e në Kubë. Vizitë historike, e kanë quajtur analistët, por ndokush edhe ka kritikuar mungesën e ndonjë takimi. Mbi domethënien e këtij udhëtimi të 23-të apostolik ndërkombëtar të papnisë së Benediktit XVI, të dëgjojmë drejtorin tonë të përgjithshëm, zëdhënësin e Vatikanit, atë Federiko Lombardi:
“Takim personal e i drejtpërdrejtë ndërmjet Papës dhe popujve të Meksikës e të Kubës, idealisht, takim me të gjithë popujt hispanjollë të Amerikës Latine. Ky është pa dyshim, një nga kuptimet më të rëndësishme të vizitës, që sapo përfundoi. Në sytë e qindra miliona katolikëve të kontinentit amerikan qe një hap vendimtar – përveç pjesëmarrjes në Asamblenë e Aparesidës më 2007 – për t’i përforcuar në fe e në një farë kuptimi, për të barazpeshuar vëmendjen për ta, gjatë kësaj papnie.
Një mesazh i qartë inkurajimi për Kishën e të dyja vendeve, një kërkesë e hapur për ta rritur praninë e Kishës e lirinë fetare, jo si mbrojtje të privilegjeve, por si mundësi shërbimi e kontributi të frytshëm për të mirën e të gjithëve, me qëllim ndërtimin e një shoqërie më vëllazërore, më të drejtë, më të pajtuar e paqësore. Papa është bariu i Kishës Katolike e përmes saj e sidomos, përmes gjallërisë së saj, kalon shërbimi i tij i fesë e ndikimi në jetën e popujve. Jo më kot, thelbin shpirtëror të udhëtimit e kuptuam, duke e parë Papën Benedikti XVI si shtegtar para Virgen de la Caridad del Cobre.
Do të ketë gjithmonë nga ata, që do të vazhdojnë të thonë se duheshin bërë edhe disa takime të tjera si: vizita në Guadalupe, takimi me disidentët kubanë, me viktimat e pedofilisë së atë Maciel… Papa nuk mund të bëjë gjithnjë, gjithçka do të dëshironte, brenda kohës së shkurtër të një udhëtimi, por ata që e dëgjojnë, e kuptojnë frymën dhe synimet e tij, ata që e ndjekin, e njohin koherencën dhe guximin e mesazheve të tij. Takimi i vërtetë, ai më i madhi, që përfshin idealisht të gjitha takimet e veçanta, u mbajt, qe i thellë, spontan, i sinqertë. Qe ai shërbim për më shumë besim e shpresë, që Papa dëshironte të ofronte”.







All the contents on this site are copyrighted ©.