DBR: takim në Rocca di Papa për Madridin, me sytë drejtuar kah Rio 2013
Katër ditë për të kremtuar, “gjithmonë me gëzim në Zotin”(Fil. 4,4), Ditën
XXVII Botërore të Rinisë. Takimi organizohet në Rocca di Papa. Këtu, duke filluar
që dje, për të përfunduar të dielën, më 1 prill, me ftesën e Këshillit Papnor për
laikët, takohen drejtuesit e punës baritore me rininë, nga mbarë bota. Është fjala
për takimin e parë ndërkombëtar të përgjegjësve për DBR-në, në perspektivë të ngjarjes
së madhe të Rio-de-Zhanéjros, një çast i rëndësishëm reflektimi për veprimtarët, më
se 300 përfaqësues të 98 vendeve e të 45 bashkësive, shoqatave e lëvizjeve rinore
katolike. Në takim marrin pjesë edhe të gjithë organizatorët e takimit të DBR-së së
Madridit 2011, si dhe të Rio-de-Zhanéjros 2013. Pas fjalimit të rëndësishëm të
Papës Benedikti XVI, drejtuar, më 22 dhjetor 2011, Kuries Romake, kushtuar thuajse
plotësisht Ditës Botërore të Rinisë të Madridit, viti 2012 është vit-kyç për këtë
ngjarje. Duke ndjekur hullinë baritore, hapur nga Ati i Shenjtë për vitet e ardhshme,
dinamika e takimit do të nisë nga Dita XXVI Botërore e Rinisë, me temë: “Të rrënjosur
e të themeluar në Krishtin, të fortë në fe” (cfr Kol 2,7), përmes temës “Gëzohuni
gjithmonë në Zotin”(Fil 4,4) për të arritur tek përmasa misionare, që shprehet
qartë në temën e Ditës XXVII Botërore të Rinisë: “Shkoni e bëni nxënës të mi të gjithë
popujt”(Mt 28,19). Punimet e takimit, sipas agjencisë Zenit, filluan dje. I
hapi kardinali Stanislao Rilko, kryetar i Këshillit Papnor për Laikët. E gjithë dita
e parë iu kushtua rezultateve të Madridit 2011, asaj “ujëvare drite e shprese”, për
të cilën folën kardinali Antonio Ruoko Varela, kryeipeshkëv i Madridit, Yago de la
Cierva, drejtor ekzekutiv i DBR-së 2011 dhe don Gregorio Roldan, sekretar i përgjithshëm
i DBR-së 2011. Të gjithë analizuan aspektet organizative e baritore të ngjarjes së
madhe si dhe ndikimin mbi dioqezin e Madridit dhe mbi gjithë punën baritore në Spanjë.
Më pas, bilanci i fryteve të DBR-së në të pesë kontinentet, i pasuar me dëshmi të
pjesëmarrësve. Dita përfundoi me kremtimin eukaristik, kryesuar nga kardinali
Varela. Ndërsa sot tema e punimeve e drejtoi vështrimin kah Rio, 2013. Imzot Orani
Joao Tempesta, kryeipeshkëv i Rios e Zhanéiros, i njohu të pranishmit me pasurinë
e Kishës braziliane. Përfaqësues të tjerë të lartë të Kishës në Brazil, që merren
kryesisht me rininë, folën për arsyet, sfidat e shpresat e etapës së re të ditëve
botërore. Të shtunën, më 31 mars, pjesëmarrësit do të reflektojnë bashkërisht mbi
temën: “Formimi i të rinjve: mision parësor për Kishën”, me diskutimin e imzot Jozef
Klemens, Sekretar i Këshillit Papnor për Laikët dhe don Fabio Atard, këshilltar i
përgjithshëm i salezianëve për punën baritore rinore. Më pas, disa dëshmi dhe thellimi
i temës. Të dielën, më 1 prill, delegatët do të marrin pjesë në Meshën Shenjte
të së Dielës së Larit, kryesuar nga Benedikti XVI, në Sheshin e Shën Pjetrit, shoqëruar
me kremtimin dioqezan të Ditës XXVII Botërore të Rinisë.Takimi do të përfundojë në
Qendrën e Rinisë të “Shën Lorencit”, pranë Sheshit të Shën Pjetrit në Vatikan.