2012-03-29 15:56:21

Çelësi i fjalëve të Kishës: ç’është “feja” për katolikët?


Të dashur dëgjues, sapo përfundoi udhëtimi apostolik i Papës në Meksikë e në Kubë, ku shkoi, kryesisht, për t’i përforcuar besimtarët në fe. Ndodhemi gjithashtu, në prag të Javës së Madhe të Pashkëve e shikimi i Mundimeve dhe i Ngjalljes së Krishtit me sytë e fesë, përtërin shpirtin e çdo personi, që beson në Zot. Por ç’është “feja” për katolikët?
Historikisht, fjalës “fe” i kanë dhënë përkufizime të ndryshme, por kuptimi kryesor i saj – përkthim nga fjala greke πιστις (pi´stis) – i referohet atij që ka besim, që ia beson vetveten dikujt, që ka bindje të forta për diçka. Fjala greke mund të kuptohet edhe si “besnikëri”, siç thuhet në Letrën drejtuar Titit (2,10). Duke konsultuar Besëlidhjen e Re, ndeshemi me një sërë përkufizimesh, që kanë të bëjnë me fjalën “fe”.
Për shembull, në Letrën drejtuar Hebrenjve shkruhet: “Feja është një mënyrë të pasuri të gjërave që shpresohen, mjet të njihen gjërat që nuk shihen”(11,1). E njëjta frazë, në tekstin siriak, pra në traditën e Kishës së krishterë asire, merr një trajtë edhe më interesante: “Feja është bindje ndaj gjërave, që shpresohen e ndaj atyre, që ishin, mjet të njihen gjërat që nuk shihen”. Poeti i madh italian, Dante Aligieri, e përkthen me besnikëri nga Vulgata, tekstin e përmendur, duke e cituar në Këngën e Parajsës së “Komedisë Hyjnore”: “Feja është substancë e gjërave të shpresuara/ dhe argument i atyre që s’duken;/ e kjo, me duket mua, thelbi i saj” (Par.,XXIV, 64-66).
Letra drejtuar Hebrenjve vazhdon, duke përshkruar kuptimin e rolit praktik të fesë: “Pa fe nuk është e mundshme t’i pëlqehet Hyjit, sepse ai që i afrohet duhet të besojë se Hyji është dhe se i shpërblen ata që e kërkojnë”(11,6). Në Besëlidhjen e Re, feja në Zotin shihet e pandarë nga feja në Jezu Krishtin. Ungjilli i Shën Gjonit është veçanërisht i qartë për këtë, duke cituar Jezusin, që thotë: “Ati në të vërtetë nuk gjykon askënd, pse krejt gjykimin ia la në dorë Birit, që të gjithë të nderojnë Birin siç e nderojnë Atin. Kush nuk e nderon Birin, nuk e nderon as Atin që e dërgoi”(5,22-23). E më tej, kërkesës “Çka na duhet të bëjmë për t’i kryer veprat që kërkon Hyji?” Jezusi i përgjigjet: “Vepra që Hyji kërkon është kjo: besoni në Atë që Ai e dërgoi”(Gjn 6,28-29).
Shën Gjon Krizostomi (344-407), në “Komentin për Letrën e shën Palit Apostull drejtuar Romakëve”, nënvizon forcën e fesë. Shumë vetë përmendin emrin e Krishtit pa asnjë efekt: fjala e tyre shkon kot. E vërteta është se larg nga imitimi i Krishtit e nga ndjekja e udhës së apostujve, feja e tyre është e dobët, e brishtë, si telat e një violine të çakorduar. Përmes kësaj metafore, shën Gjon Krizostomi na tregon se feja është dhuratë, që u ofrohet të gjithë njerëzve, por zemra jonë duhet të jetë gati të presë Atë, që na dhurohet.
“Nëse shumë… nuk arritën të shëlbohen – shkruan shenjti, i lindur në Antioki – kjo varet nga feja e tyre e pakët… Kështu, shumë, megjithëse u shtrënguan rreth Krishtit, nuk përfituan asgjë të mirë; në të kundërtën, gruaja e sëmurë, që vazhdonte t’i ridhte gjaku prej kohësh, pa e prekur aspak trupin e Zotërisë, por vetëm nga kontakti me një cep të rrobave të Tij, u shërua… Kështu u bë i madh edhe shën Pali, megjithëse kishte të njëjtën natyrë me ne; por feja e shndërroi në njeri tjetër e i dha kaq pushtet, sa edhe veshja e tij rrezatonte virtyt… Ndryshimi qëndron pikërisht në predispozicionin e shpirtit, pasi për të tjerat, jemi njësoj me shenjtorët. Shën Pali për shembull, lindi, u edukua, u rrit në këtë botë e mori frymë si të gjithë ne. Por në të, shumë më të mira e të ndryshme nga ne, qenë zelli, feja e dashuria!”
Fatkeqësisht, nuk është e lehtë ta pranosh pa rezerva fenë e dhuruar. Çdo vit bëjmë premtime të mëdha e plane të jashtëzakonshme, për të vënë re, në fund të vitit, se vullneti ynë për t’i mbajtur e realizuar, s’është veçse flakë kashte e ndalet në pengesën e parë. Feja, shkruan shën Gjon Krizostomi, është një mjet i fuqishëm, që Zoti na e jep për ta përdorur. Vërtet është e nevojshme ndërhyrja e Tij, që instrumenti të përhapë tinguj të mahnitshëm në jetën tonë, por jemi ne ata, që duhet ta mbajmë të pastër, të vajisur, me kordat - këto pejza të shpirtit - gjithnjë të akorduara e të tendosura mirë.
“Sepse, nëse Krishti do ta shohë kaq të mirëmbajtur – vazhdon shën Gjon Krizostomi – do t’i bjerë për të mirën e shpirtit tonë. E atëherë, do të shohim si na vallëzojnë përreth engjëjt, kryeengjëjt e kerubinët. Pra, duhet të kemi kujdes për të qenë të denjë e me duar të pastra; t’i lutemi Zotit që t’i flasë zemrës sonë. Më besoni: nuk do të ketë nevojë as ta thërrasim, sepse sapo ta kemi prekur atë instrument, Ai do të na vijë i pari në ndihmë…
Zoti, siç e dini, kujdeset edhe për të vonuarit… ç’nuk bën për të krishterin, që është gati? Sapo Krishti t’i ketë dhënë shenjën, Shpirti i Shenjtë do të vijë shpejt në ndihmë e, atëherë, do të jemi më të fuqishmit e qiellit, duke mbartur në zemër jo vetëm diellin e hënën, por Zotin e diellit, të hënës e të engjëjve, që banon e vepron në ne”. (emisioni i 134-t) – 29 mars 2012







All the contents on this site are copyrighted ©.