2012-03-29 11:03:52

Papa takon Fidel Kastron: pa Zot jeta vështirësohet, bota varfërohet, të ndërthuren feja e arsyeja. Nënë Tereza bamirëse e madhe e Kubës


Takim i përzemërt ndërmjet Papës Benediktit XVI e Fidel Kastros. Bisedimet, filluar rreth orës 19.30 evropiane e gjatën afër gjysmë ore, u zhvilluan pranë Nunciaturës Apostolike (Amabsadës së Vatikanit) në Havanë, pas Meshës kremtuar nga Ati i Shenjtë në Sheshin e Revolucionit. Fidel Kastro tha se është gëzuar shumë për lumturimin e Nënë Terezës, bamirëses së madhe të Kubës, e atë të Gjon Palit II. Papa Ratcinger foli për gëzimin e qëndrimit të tij në Kubë e për përzemërsinë me të cilën është prit nga populli e besimtarët e Vendit. Kastro tha se ka ndjekur me vëmendje tërë udhëtimin papnor në tv. Të dy bënë shaka mbi moshën: Fidel Kastro ka gati 86 vjet, një vit më shumë se Benedikti XVI. Papa, që më 16 prill do t’i mbushë 85, tha: “Jam i moshuar por akoma mund ta kryej detyrën time”.
Ish lideri kuban i bëri disa pyetje Papës, si për shembull mbi ndryshimet në liturgji të Kishës e mbi domethënien dhe rolin e Papës. Benedikti XVI u përgjigj duke folur për udhëtimet, për takimet me popujt, për shërbimin në Kishën universale. Kastro iu referua edhe vështirësive të kohëve aktuale që ka njerëzimi e Papa foli për mungesën e Zotit në realitetin shoqëror, per mos njohjen e Hyjit nga shumë mjedise shoqërore, për rëndësinë themelore të përmasës shpirtërore dhe të marrëdhënies ndërmjet fesë e arsyes. Së fundi, ish lideri kuban i kërkoi Papës që t’ia dërgojë librat për thellimin më të mirë të argumenteve shpirtërore e të temave që u trajtuan gjatë takimit e Benedikti XVI iu përgjigj duke thënë se do të mendojë se cilat tekste do të ia dërgojë. Fidel Kastro pastaj ia prezantoi Papës gruan Dalia Soto e dy fëmijët, gjithsejtë ka pesë fëmijë, emrat e të cilëve fillojnë me A: Alexis, Alex, Alejandro, Antonio e Angel.
Fidel Kastro pati takuar dy herë Gjon Palin II: në vitin 1996 në Vatikan e më pas më 1998 gjatë vizitës historike të Papës Wojtila në ishulin karaibik.
Një takim historik, pra, që erdhi në përfundim të vizitës baritore apostolike të Atit të Shenjtë Ratcinger në ishullin karaibik ku Papa i kërkoi Kubës e botës “një ndryshim” e “liri më të madhe” në mënyrë që Kisha të mund ta kryejë misionin e saj të kumtimit publik e haptazi të fesë”. Papa, pra, u nis nga Kuba pa takuar ndonjë organizatë disidentësh, por me një mesazh të qartë, të fortë e programatik për të sotmen e të ardhmen e popullit kuban.







All the contents on this site are copyrighted ©.