2012-03-29 15:56:44

DBR: takim në Rocca di Papa për Madridin, me sytë drejtuar kah Rio 2013


Katër ditë për të kremtuar, “gjithmonë me gëzim në Zotin”(Fil. 4,4), Ditën XXVII Botërore të Rinisë. Takimi organizohet në Rocca di Papa. Këtu, duke filluar sot, për të përfunduar të dielën, më 1 prill, me ftesën e Këshillit Papnoir për laikët, takohen drejtuesit e punës baritore me rininë, nga mbarë bota. Është fjala për takimin e parë ndërkombëtar të përgjegjësve për DBR-në, në perspektivë të ngjarjes së madhe të Rio-de-Zhanéjros, një çast i rëndësishëm reflektimi për veprimtarët, më se 300 përfaqësues të 98 vendeve e të 45 bashkësive, shoqatave e lëvizjeve rinore katolike. Në takim do të marrin pjesë edhe të gjithë organizatorët e takimit të DBR-së së Madridit 2011, si dhe të Rio-de-Zhanéjros 2013.
Pas fjalimit të rëndësishëm të Papës Benedikti XVI, drejtuar, më 22 dhjetorin 2011, Kuries Romake, kushtuar thuajse plotësisht Ditës Botërore të Rinisë të Madridit, viti 2012 është vit-kyç për këtë ngjarje. Duke ndjekur hullinë baritore, hapur nga Ati i Shenjtë për vitet e ardhshme, dinamika e takimit do të nisë nga Dita XXVI Botërore e Rinisë, me temë: “Të rrënjosur e të themluar në Krishtin, të fortë në fe” (cfr Kol 2,7), përmes temës “Gëzohuni gjithmonë në Zotin”(Fil 4,4) për të arritur tek përmasa misionare, që shprehet qartë në temën e Ditës XXVII Botërore të Rinisë: “Shkoni e bëni nxënës të mi të gjithë popujt”(Mt 28,19). Punimet e takimit, sipas agjencisë Zenit, filluan sot. I hapi kardinali Stanislao Rilko, kryetar i Këshillit Papnor për Laikët. E gjithë dita e sotme iu kushtua rezultateve të Madridit 2011, asaj “ujëvare drite e shprese”, për të cilën folën kardinali Antonio Ruoko Varela, kryeipeshkëv i Madridit, Yago de la Cierva, drejtor ekzekutiv i DBR-së 2011 dhe don Gregorio Roldan, sekretar i përgjithshëm i DBR-së 2011. Të gjithë analizuan aspektet organizative e baritore të ngjarjes së madhe si dhe ndikimin mbi dioqezin e Madridit dhe mbi gjithë punën baritore në Spanjë. Më pas, bilanci i fryteve të DBR-së në të pesë kontinentet, i pasuar me dëshmi të pjesëmarrësve.
Dita përfundoi me kremtimin eukaristik, kryesuar nga kardinali Varela.
Ndërsa nesër tema e punimeve do ta drejtojë vështrimin kah Rio, 2013. Imzot Orani Joao Tempesta, kryeipeshkëv i Rios e Zhanéiros, do t’i njohë të pranishmit me pasurinë e Kishës braziliane. Përfaqësues të tjerë të lartë të Kishës në Brazil, që merren kryesisht me rininë, do të flasin për arsyet, sfidat e shpresat e etapës së re të ditëve botërore.
Të shtunën, më 31 mars, pjesëmarrësit do të reflektojnë bashkërisht mbi temën: “Formimi i të rinjve: mision parësor për Kishën”, me diskutimin e imzot Jozef Klemens, Sekretar i Këshillit Papnor për Laikët dhe don Fabio Atard, këshilltar i përgjithshëm i salezianëve për punën baritore rinore. Më pas, disa dëshmi dhe thellimi i temës.
Të dielën, më 1 prill, delegatët do të marrin pjesë në Meshën Shenjte të së Dielës së Larit, kryesuar nga Benedikti XVI, në Sheshin e Shën Pjetrit, shoqëruar me kremtimin dioqezan të Ditës XXVII Botërore të Rinisë.Takimi do të përfundojë në Qendrën e Rinisë të “Shën Lorencit”, pranë Sheshit të Shën Pjetrit në Vatikan.







All the contents on this site are copyrighted ©.