2012-03-29 16:20:19

Benedikti XVI: Osservatore Romano, politika e tij e vërtetë është dashuria


“Politika e dashurisë”: kështu titullohet editoriali i sotëm i gazetës së Vatikanit “L’Osservatore Romano”, shkruar nga drejtori Giovanni Maria Vian, kushtuar udhëtimit të Papës Benediktit XVI në Kubë. Vizita e tij në shenjtëroren e Zojës së Bekuar Virgen del Cobre, në pjesën jugore të Kubës, me rastin e 400 vjetorit të “gjetjes së mrekullueshme” të shtatores së Virgjërës Shenjte, qe rast i volitshëm për Papën për të “mbështetur e për të përforcuar fenë e katolikëve kubanë, në atdhe e jashtë saj, duke treguar se cila është politika e vërtetë e Kishës”, shkruan Vian. Drejtori i “L’Osservatore Romanos” kujton fjalët e Papës për “ata që janë në vuajtje”, për ata “që janë të privuar nga liria, të ndarë nga të dashurit e tyre apo që kalojnë çaste të vështira”. Pastaj nënvizoi se është lutur para Virgjërës Shenjte Virgen del Cobre edhe për të rinjtë, që të mos bëjnë zgjedhje të gabuara në jetë. Në përfundim, drejtori kujton fjalët e inkurajimit të Papës ndaj të gjithë kubanëve që “të vazhdojnë në ndërtimin e jetës mbi shkëmb të qëndrueshëm që është Jezu Krishti, që të angazhohen për drejtësi, të jenë shërbëtorë të dashurisë e të bamirësisë dhe të qëndrueshëm në sprova”.
“Në këto fjalë – shkruan Vian -, të shqiptuara publikisht nga Papa, është e përvijuar udha e Kishës e, së fundi, edhe politika e saj e vërtetë. Që është ajo e dashurisë së Krishtit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.