2012-03-28 18:51:30

Shenjtërorja mariane e Caridad del Cobre, zemra e krishterë e Kubës.


“Dhuratë nga qielli, për kubanët”: kështu e quajti Benedikti XVI shtatoren e Zojës së Kobres, që ruhet në Shenjtëroren mariane ku rrahin, të bashkuara në zemrën e Zojës, zemrat e mbarë kubanëve, të krishterë e jo të krishterë. Vend lutjeje e devocioni, Shenjtërorja kthehet natyrshëm edhe në vend paqeje e gëzimi. Prej këndej, në cak shtegtimesh tek “Virgén de Mambisa”, siç e quajnë kubanët, të cilët Nëna e Krishtit i shoqëron në gaz e në vaj, prej katër shekujsh. Të njihemi, prandaj, shkurtimisht, me historinë e Shenjtërores:
“Duket si vajzë e vogël”- patën bërtitur, të mrekulluar, tre djemtë e vegjël, dy indianë e një skllav zezak, atë mëngjes, 400 vjet më parë, kur, duke lundruar në det me kanoa, gjetën papritmas një shtatore të mrekullueshme. Juan Moreno, më i vogli nga të tre, 70 vjet më pas, kujtonte me emocion çastin kur e panë nga larg: “Na u duk si zog, pastaj si degë e thatë e pastaj, duke iu afruar fare pranë, pamë se ishte shtatore. Njëri nga ne u hodh nga kanoa dhe e kapi. Atëherë e kuptuam se ishte një Zojë e vogël, me Foshnjën hyjnore ndër krahë. Shtatorja, jo më e madhe se 60 centimetra, mbështetej mbi një bazament, ku shkruhej: “Unë jam Zoja e Dashurisë së Krishterë”. U mrekulluam edhe më shumë, kur vërejtëm se petku, me të cilën ishte veshur shtatorja, që notonte mbi ujë, nuk ishte lagur fare…”.
Nis kështu, me gëzimin e tre djemëve të vegjël për zbulimin e mrekullueshëm, historia e ‘Virgén della Caridad del Cobre”.
Devocioni për Zojën e valëve u përhap me shpejtësi të madhe në mbarë ishullin aq, sa në vitin 1648 u bë e nevojshme të ngrihet një vetmitore e vogël për ta ruajtur shtatoren, që nisi të thirrej me emrin përkëdhelës “Chachita” (Kaçita), Nënëza e Dashurisë. Ndërsa Shenjtërorja, ku sot ngarendin besimtarët, nisi të ndërtohej vetëm nga fundi i viteve ‘800. Nuk kishte përfunduar akoma, kur u shkatërrua nga shpërthimet e fuqishme në minierën e bakrit, cobre në gjuhën vendase, prej këndej edhe emri i Zojës e i shenjtërores, që po ndërtohej fare pranë galerive. Ishte viti 1906.
Tempulli i ri, ku shtegtoi Benedikti XVI, u përurua në vitin 1927, për t’u shpallur Bazilikë Minore më 1977, me dëshirën e Papës Pali VI. Ndërsa më 1998, në shtegtimin e tij në trojet kubane, i Lumi Karol Vojtila e kurorëzoi shtatoren e Virgjërës Mari, si Mbretëreshë e Kubës.Kubanët e quajnë Zojën e tyre zeshkane “Virgén de Mambisa”, emër, që të kujton luftëtarët ‘mambises’, të cilët i prinë luftës për pavarësi kundër Kurorës spanjolle, me devocion e besim të plotë në ndihmën e Virgjërës së Dashurisë së Krishterë. E devocioni i tyre, ashtu si i miliona shtegtarëve, që shkelin në shenjtërore, duket qartë kur, tek këmbët e Zojës, shikon një mori objektesh kushtore. Ndërmjet tyre, edhe Medalja e Çmimit Nobel për Letërsinë, dhuratë e Ernest Heminguejt për Virgén della Caridad. Një gjest, shpjegoi më pas, që e bëri për t’i shprehur dashurinë mbarë popullit kuban. Pak ditë më parë i kushtuam këtij dorëzimi të jashtëzakonshëm të Çmimit Nobel për Letërsinë, shkrimin e titulluar: “Zoja e Cobres, Çmim Nobel për Letërsinë, 1954”.







All the contents on this site are copyrighted ©.