2012-03-28 17:39:23

Papa gjatë Meshës në Havanë, kërkon liri fetare e qytetare për Kubën. Ku është Krishti, njeriu bëhet më i lirë, më i fortë, më njerëzor.


Papa Benedikti XVI në ditën e sotme të fundit të vizitës apostolike në Kubë, kremtoi Meshës në sheshin e Revolcuionit në Havanë, ku kërkoi më shumë liri fetare e qytetare për Kishën e për banorët e Kubës. Ku është Krishti, njeriu bëhet më i lirë, më i fortë, më njerëzore, tha më tjerash Ati i Shenjtë. Ishte tejet simbolike Mesha në këtë Shesh, teatër mitingjesh të mëdha, pagëzuar me emrin e José Martí, gazetar e poet (1853-95), luftëtar i orëve të para kundër pushtimit spanjoll, një nga nismëtarët e shkollës poetike moderniste në Amerikën Latine, i njohur për shkrimet e tij politike. Ky shesh, që ka regjistruar në kujtesën e tij qindra mitingje e mijëra fjalë, sot ushtoi nga fjala e Zotit, thënë me zërin e Papës Benedikti XVI.RealAudioMP3
Ngjarje prekëse, krejt e pazakontë që, sigurisht, nuk nisi me parrullën e përsëritur qindra herë “Rroftë revolucioni”, por me brohoritjen kuptimplote:
“Qoftë Bekuar Zoti, që na bashkoi në këtë shesh simbolik, për të hyrë më thellë në jetën e Tij hyjnore”.
Me këto fjalë, Papa shprehu gëzimin për kremtimin e Meshës në këtë vend domethënës, së bashku me një mori njerëzish (kujtojmë se Sheshi zë më se 600 mijë vetë).
Pasi përshëndeti autoritetet e pranishme, Papa u ndalua tek leximet biblike, posaçërisht tek tre të rinjtë që, të persekutuar nga mbreti i Babilonisë, pranojnë më mirë të digjen të gjallë, sesa të tradhtojnë ndërgjegjen e fenë. Mes flakëve, gjejnë forcë ta lavdërojnë e ta bekojnë Zotin, të bindur se Krijuesi i gjithësisë e i historisë nuk do t’i braktiste në errësirën e vdekjes e të hiçit.
“Në se do ta mbani fjalën time, njëmend do të jeni nxënësit e mi, do të njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju bëjë të lirë”(Gjn 8,31). Në faqen ungjillore, kujtoi Papa, takohemi me Jezusin, Birin e Atit, Shëlbuesin, i vetmi që mund të na ndihmojë të gjejmë të vërtetën e të fitojmë lirinë.
Prej këndej, në vijim Benedikti XVI reflektoi për qëndrimet, që mbajnë njerëzit përballë së vërtetës: dikush e kërkon, dikush i shmanget, duke harruar se të kërkosh të vërtetën, do të thotë të kërkosh vetë lirinë. Po kërkimi i së vërtetës, që të bën të lirë, nuk është rrugë e lehtë. Pandaj shumëkush zgjedh rrugët më të shkurtra, më të lehta, duke iu shmangur kësaj detyre. Disa, si Ponci Pilat, tallen me mundësinë e njeriut për ta njohur të vërtetën (cfr Gjn 18.38). Madje pohojnë me bindje se njeriu nuk është i aftë ta njohë e se e vërteta nuk është e njëjtë për të gjithë. Prej një pohimi të tillë burojnë skepticizmi e relativizmi, që e akullojnë zemrën njerëzore, e bëjnë të pandjeshme, të pasigurtë, të lëkundur e të mbyllur në vetvete. E nxisin njeriun të përsërisë sjelljen e qeveritarit romak: të lajë duart e ta lërë lumin e turbullt të historisë të rrjedhë në punë të vet, pa u ngatërruar fare në gjeratoret e tij.
Nga ana tjetër, ka të tjerë që e interpretojnë keq kërkimin e së vërtetës, duke përfunduar në irracionalizëm e në fanatizëm e duke u mbyllur në “të vërtetën” e tyre. Madje përpiqen t’ua imponojnë edhe të tjerëve. U ngjasin njerëzve që, duke besuar se po mbrojnë drejtësinë, këlthasin si të tërbuar “Kryqëzoje!” (cfr Gjon. 19,6).
Në të vërtetë, ai që nuk e shtje në punë arsyen, nuk mund të jetë dishepull i Jezusit:
Feja e arsyeja janë të nevojshme, plotësojnë njëra-tjetrën në kërkimin e së vërtetës. Zoti e krijoi njeriun me prirjen e lindur për ta kërkuar të vërtetën. Prandaj ia dhuroi arsyen. Sigurisht nuk është irracionaliteti, por etja për të vërtetën, ajo që i jep shtysën fesë së krishterë. Çdo qenie njerëzore duhet ta kërkojë me fund të vërtetën e, kur e gjen, edhe ta mbrojë, pa marrë parasysh se rruga e së vërtetës shumë shpesh është edhe rrugë e flijimit”.
Duke u thelluar në këtë argument, Papa shtoi:
E vërteta për njeriun është parakusht i domosdoshëm për ta gjetur lirinë, sepse në të zbulojmë themelet e asaj etike, që krijon mundësi ballafaqimi për të gjithë e që përmban formulime të qarta për jetën e vdekjen, për detyrat e të drejtat, martesën, familjen e shoqërinë; si përfundim, për dinjitetin e paprekshëm të njeriut. E është pikërisht kjo trashëgimi etike që mund t’i afrojë kulturat, popujt, fetë, autoritet e qytetarët, vetë qytetarët ndërmjet tyre e edhe besimtarët në Krishtin, me ata, që nuk besojnë në Të”.
Papa i nxit të gjithë njerëzit ta ndjekin pa ngurrim Jezu Krishtin, sepse në të gjindet e vërteta mbi Hyjin e mbi njeriun. Ai na ndihmon të fitojmë mbi egoizmin tonë, të zhvishemi nga ambicjet tona e të fitojmë mbi gjithçka, që e pengon shpirtin të jetë plotësisht i lirë. Kush bën keq, kush mëkaton, është skllav i mëkatit e nuk do të jetë kurrë i lirë (cfr Gjon 8,34). Vetëm në se heqim dorë nga urrejtja e nga verbëria e zemrës sonë të ngurtë, do të jemi të lirë e një jetë e re do të nisë të bulojë në shpirtin tonë.
Kisha jeton për t’i bërë të gjithë pjesëtarë në pasurinë së saj të vetme: në Jezu Krishtin, shpresë e lumnisë (cfr Kol 1,27).
“Për ta kryer këtë detyrë, ajo duhet të ketë atë, që është themelore, lirinë fetare, e cila i krijon kushtet për ta kumtuar e për ta kremtuar edhe publikisht fenë, duke shpallur mesazhin e dashurisë, të pajtimit e të paqes, që e solli në botë vetë Jezu Krishti”.
Në vijim, Benedikti XVI pranoi, me gëzim, se në Kubë janë bërë hapa pozitive, që i krijojnë Kishës mundësinë ta kryejë misionin për ta kumtuar publikisht e hapur fenë e saj. Gjithsesi, duhet vijuar ecja në këtë rrugë. Prej këndej, Papa ikurajoi autoritetet qeveritare të Kombit, ta fuqizojnë ç’është arritur e të vazhdojnë rrugën e nisur në shërbim të së mirës së përbashkët të mbarë shoqërisë kubane.
Më pas Ati i Shenjtë nënvizoi:
“E drejta e lirisë fetare, si në përmasën individuale, ashtu edhe në atë të bashkësisë, flet për unitetin e njeriut, njëkohësisht qytetar e besimtar. Prej këndej, është aspiratë e ligjshme që besimtarët të japin ndihmesën e tyre për ndërtimin e shoqërisë. Ta fuqizosh këtë aspiratë, do të thotë t’i shërbesh bashkëjetesës, të ushqesh shpresat për ndërtimin e një bote më të mirë, të sigurosh paqen e zhvillimin e harmonishëm e, njëkohësisht, të hedhësh baza të shëndosha, mbi të cilat mund t’u sigurohen të drejtat edhe breznive të ardhshme”.
Prej këndej, Ati i Shenjtë ripohoi:
“Kur Kisha vë theksin mbi këtë të drejtë, nuk është se kërkon ndonjë privilegj. Kërkon vetëm t’i qëndrojë besnike mandatit të Themeluesit të saj hyjnor, e bindur se atje ku është Krishti, njeriu bëhet më i lirë, më i fortë, më njerëzor. E urohet që së shpejti edhe këtu të vijë dita, në të cilën Kisha të mund t’i çojë në fushat e ndryshme të dijes, veprat e mira të misionit, që i ka besuar Zoti, nga të cilat nuk mund të heqë kurrë dorë”.
Në përfundim Ati i Shenjtë solli një shembull të ndritur, kujtoi një figurë, që la gjurmë të pashlyeshme në këtë drejtim: meshtarin Felix Varela, edukator e mësues, bir i ndritur i Havanës, i cili hyri në historinë e Kubës si njeriu i parë, që e mësoi popullin e vet të mendojë. Atë Varela na tregon udhën, që duhet të ndjekim për shndërrimin e plotë e të vërtetë shoqëror: atë të formimit të njerëzve të virtytshëm, për të kalitur një komb të denjë e të lirë. E ky shndërrim varet nga jeta shpirtërore e njeriut, sepse “nuk ka atdhe, pa virtyt”(Letra Elpidit, VI, Madrid 1836, 220).
Papa përfundoi duke e zgjeruar horizontin, nga Kuba, në mbarë botën, për të theksuar se:
“Kuba e bota kanë nevojë për ndryshime, me vetëdijen se mund të ndryshojnë vetëm në se vendosin të kërkojnë të vërtetën e të marrin rrugën e dashurisë, duke mbjellur farën e pajtimit e të vëllazërisë”.
Pas Meshës, Papa shkoi në nuciaturën apostolike të Havanës, ku drekoi së bashku me grupin shoqërues, sepse në hemisferën tjetër ishte pikërisht ora e drekës, 11. 50 (18.50 me orën evropiane).
Në orën 16.00, (23.00 me orën evropiane) do t’i japë lamtumirën nunciaturës, e, më pas, edhe Kubës, pasi të kalojë disa çaste, para nisjes, me presidentin.
Në orën 16.30 (23.30 me orën evropiane) pas ceremonisë së lamturmirës në Aeroportin ‘José Martí” të Havanës, Benedikti XVI do të niset drejt Evropës, duke lënë pas mesazhin e madh, me vlerë për të gjithë:
Çdo qenie njerëzore duhet ta kërkojë me fund të vërtetën e, kur e gjen, edhe ta mbrojë, pa marrë parasysh se rruga e së vërtetës shumë shpesh është edhe rrugë e flijimit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.