2012-03-28 16:49:13

Në 15 vjetorin e tragjedisë së Otrantos,sillen në Vlorë pjesë të “Katrit të Radës”


Në 15 vjetorin e tragjedisë së 28 marsin e vitit të mbrapshtë 1997 kur në kanalin e Otrantos humbën jetën 81 persona në kërkim të shpresës për një të ardhme më të mirë, në Vlorë mbërrijnë dy pjesë të anijes “Katri i Radës”, e cila është kthyer në një monument kulture në shtetin italian,njoftojnë agjencitë e lajmeve.

Dy artistët shqiptarë që jetojnë në Itali, Arta Ngucaj dhe Arben Beqiraj, të cilët janë pjesë e këtij projekti që e ktheu “Katrin e Radës”, anijen e tragjedisë në monument kulture thanë se pjesët e anijes do të vendosen përpara sheshit të universitetit, në shenjë kujtese.

Familjarë të viktimave të Otrantos, përfaqësues të shoqatës, deputetët e autoritete të vendore morën pjesë në ceremoninë e mbërritjes së pjesëve.

Dy artistët publikuan edhe projektin për ndërtimin e një memoriali, në kujtim të viktimave, projekt ky që i është dorëzuar Bashkisë së Vlorës e ministrisë së Kulturës së Shqipërisë.

Por, familjarët e viktimave të Otrantos deklaruan se nuk do të ndalen kurrë deri në vendosjen e drejtësisë për të dashurit e tyre.

Ata i kërkuan qeverisë së Tiranës të ndërhyjë për vendosjen e drejtësisë, ndërsa akuzuan autoritetet italiane se me kthimin e anijes së tragjedisë në monument kulture synohet fshehja e provave.

Tragjedia e Otrantos u shënua në 28 marsin e vitit 1997 gjatë përplasjes së anijes ushtarake italiane “Sibila” me anijen shqiptare të mbipopulluar “Katrin e Radçs”, duke mbytur në det të hapur 81 persona.







All the contents on this site are copyrighted ©.