2012-03-28 15:56:38

Karitasi i Kubës: e ardhmja e vendit është në duart e rinisë


Kush nga shqiptarët nuk e kujton parrullën e famshme të komunizmit: “Do të hamë bar, por armikut nuk i dorëzohemi!” E populli hëngri vërtet bar, derisa i erdhi shpirti në majë të hundës e mbushi sheshet me parrulla të tjera, aspak të pëlqyeshme për regjimin, si “Liri, demokraci! E duam Shqipërinë si gjithë Evropa!”. E njëjta gjendje përjetohet në Kubën e Raul Kastros, të vëllait të “Liderit Maximus”, Fidel. Me një ndryshim: në Kubë, është veçanërisht aktiv Karitasi lokal, i lejuar të veprojë në bashkëpunim me 11 rrethe kishtare të ishullit. Në vijën e parë të frontit për të ndihmuar më nevojtarët, sidomos të moshuarit e fëmijët dhe ata, që kanë vështirësi në shkollë. Karitasi kuban ka hapur mensa, ka projekte edukimi e formimi, programe shëndetësore, seminare për të ndërgjegjësuar banorët e ishullit dhe vepron në çdo fushë të ndihmës humanitare. Po, a e pranon Kuba se është vend i varfër? Pyetëm drejtoreshën e Zyrës Kombëtare të Karitasit, Marica Sançez Abilud:RealAudioMP3
Natyrisht, jemi vend i varfër e shumë familje jetojnë në varfëri, sidomos për shkak të burimeve të pakta ekonomike.

A i ndihmon shteti familjet?

Shteti i ndihmon, por nuk ka të ardhura. Jep falas shërbimin shëndetësor, arsimi është i detyrueshëm deri në klasën e nëntë, por nuk ka të ardhura të mjaftueshme e pagat janë shumë të ulta. Kostoja e jetesës dhe fuqia blerëse nuk përkojnë aspak. Edhe kur njerëzit punojnë, shpërblimi është shumë i ulët.

Cila është gjendja e të moshuarve në Kubë?

Kuba është vendi i dytë më i plakur i të gjithë Amerikës Latine: aktualisht, njerëzit, që i kanë kaluar të 60-tat, përbëjnë gati 18% të popullsisë. Kjo varet nga fakti se jetojmë më gjatë, por edhe nga numri i ulët i lindjeve. Pra, është një vend i varfër, me një numër kaq të madh të moshuarish, sa do të ketë probleme serioze më vonë. Është një çështje, që na shqetëson shumë, për të cilën duhet të punojmë e të përgatitemi. Prandaj, një nga fushat e veprimtarisë sonë, në kuadrin e programit për të moshuarit, është shëndeti i tyre, në mënyrë që të qëndrojnë brenda ambientit familjar sa më shumë të jetë e mundur, pa shkuar në ndonjë institut a shtëpi pleqsh, të cilat nuk janë të mjaftueshme. Pra, puna jonë ka të bëjë edhe me bashkëpunimin me vetë të moshuarit, duke u shpjeguar atyre të drejtat, duke i nxitur të marrin pjesë në jetën e vendit personalisht apo në grupe, e duke krijuar me ta rrjete ndihme.

Po të rinjtë, preferojnë të qëndrojnë në Kubë, apo duan të largohen?

Vërejmë se një numër i madh i të rinjve i ka sytë të kthyera nga vendet e tjera e dëshiron të realizojë planet e veta jashtë shtetit: kjo, sepse këtu, nganjëherë, nuk gjejnë mundësi për punë në fushën përkatëse të specializimit, prandaj nuk e shohin në Kubë të ardhmen. Pra, njëra nga përparësitë duhet të jetë plotësimi i nevojave të të rinjve, që të qëndrojnë në vend e të bëjnë diçka për të ardhmen e atdheut të tyre, sepse ajo varet pikërisht prej rinisë.

E turizmi seksual, a është akoma një fenomen shqetësues?

Për fat të keq, po, megjithëse prostitucioni në Kubë është i ndaluar. Kjo është një nga të këqiat, që erdhi së bashku me krizën ekonomike, me turizmin e që akoma përbën problem. Ndjej dhimbje të jashtëzakonshme, kur shoh djem e vajza, që e shesin trupin e tyre. Është një nga problemet shoqërore më të mprehta.

A bashkëpunon Karitasi me shtetin, përsa u përket veprimtarive shoqërore?

Po, fatmirësisht, gjatë viteve të fundit ekzistojnë marrëdhënie më të mira ndërmjet Kishës e shtetit, nga të cilat përfiton edhe Karitasi. Besoj se edhe puna jonë ka ndihmuar në njohjen e krijimin e besimit më të madh. Nuk duam t’i zemë vendin shtetit, përkundrazi. Doktrina Shoqërore e Kishës na thotë se puna jonë duhet të zhvillohet mbi bazën e ndërhyrjes, aty ku ka nevojë. E më duket se kjo punë po jep frytet e saj. Duhet të bashkëpunojmë të gjithë: shteti, Kisha Katolike, Kishat e tjera, njerëzit vullnetmirë, kubanët brenda e jashtë atdheut.







All the contents on this site are copyrighted ©.