2012-03-27 11:43:10

Papa në Santiago de Cuba: nëse përjashtohet Zoti, bota bëhet e pabanueshme, e megjithatë, Hyji respekton lirinë e njeriut


Mëse 200 mijë vetë morën pjesë, mbrëmë vonë, në Meshën e kremtuar nga Papa Benedikti XVI në Sheshin Antonio Maceo të Santiago de Cuba, me rastin e 400 vjetorit të gjetjes së figures së Zojës së Dashurisë së Krishterë në Cobre. I pranishëm edhe kreu i shtetit kuban, Raul Kastro. Në Solemnitetin e Lajmërimit të Zotit, Ati i Shenjtë i dhuroi një trëndafil të artë Pajtores së Kubës, duke shpjeguar në homeli, kuptimin e misterit të Mishërimit të Birit të Hyjit. Të dëgjojmë informacionin e të dërguarit të Radio Vatikanit në Kubë, Luka Kolodi:
“Një udhëtim i dëshiruar”: kështu e quajti Papa vizitën e tij në Kubë e që në fillim, u bëri thirrje kubanëve ta gjallërojnë fenë e të ndërtojnë një shoqëri të re, me armët e paqes, të faljes e të mirëkuptimit. U tregoi edhe rrugën: “kur përjashtohet Zoti nga jeta, bota shndërrohet në një vend të pabanueshëm për njeriun”. Shën Maria Virgjër, nënvizoi Benedikti XVI, përfaqëson imazhin e modelin e Kishës së thirrur për të pranuar Misterin e Zotit, që vjen të banojë në të. Por ky pranim bazohet në lirinë e njeriut. Të mallëngjen fakti se Zoti jo vetëm që e respekton lirinë njerëzore, por duket se ka nevojë për të, theksoi Papa. E më pas, i ftoi kubanët ta ndjekin pa frikë Jezu Krishtin në Udhën e Kryqit, duke pranuar me durim e fe çdo vuajtje, me bindjen se, përmes Ringjalljes, Ai e mund të keqen dhe bën të lulëzojë një botë e re, bota e Zotit, bota e dritës, e së vërtetës dhe e gëzimit:
“Të dashur vëllezër, e di me sa përpjekje, guxim e vetëmohim, punoni çdo ditë, me synimin që, në rrethanat konkrete të vendit tuaj, e në këtë çast historik, Kisha të reflektojë gjithnjë e më shumë mbi imazhin e vërtetë të saj, si vend në të cilin Zoti afrohet e takohet me njerëzit”.
Më pas, kujtoi se “Hyji i ka besuar familjes së bazuar mbi martesën, misionin tejet të madh për të qenë qelizë themelore e shoqërisë e Kishë e vërtetë shtëpiake”:
“Me këtë siguri, ju, të dashur bashkëshortë, duhet të jeni, sidomos për fëmijët tuaj, shenjë e vërtetë dhe e dukshme e dashurisë së Krishtit për Kishën. Kuba ka nevojë për dëshminë e besnikërisë suaj, për bashkimin tuaj, për aftësinë tuaj për të pranuar jetën njerëzore, veçanërisht atë më të pambrojturën e më nevojtaren”.
Ndjekja e vlerave fetare me vetëdije e bindje, përfundoi Papa, është liria e vërtetë, ringjallja e vërtetë, që bashkon dhe e bën një vullnetin njerëzor me atë hyjnor.







All the contents on this site are copyrighted ©.