Papa në Kubë: Vendi i ka sytë tek e nesërmja dhe përpiqet të zgjerojë horizontet.
“Jam i bindur se Kuba, në këtë çast kaq të rëndësishëm të historisë së saj, ka nisur
të shikojë të nesërmen e prandaj përpiqet t’i përtërijë e t’i zgjerojë horizontet;
e në këtë përpjekje, do ta ndihmojë pasuria e pallogaritshme e vlerave shpirtërore
e morale, që formuan identitetin e saj të mirëfilltë”: këtë theksoi Ati i Shenjtë
në ceremoninë e mirëseardhjes, në Aeroportin e Santiagos së Kubës, kur avioni papnor,
i nisur nga Meksika, preku tokën kubane, pak para orës 21.30. Për ta pritur Benediktin
XVI kishte dalë presidenti kuban, Raúl Kastro, i cili e përshëndeti Papën me
fjalët: “Kuba ju pret me dashuri e respekt, ndërsa mua, prania juaj më nderon”. Në
fjalimin e mirëseardhjes, Kastro nënvizoi se vendi po punon për drejtësinë e solidaritetin,
ndërsa në botë thellohet gjithnjë më shumë hendeku i pabarazisë; denoncoi embargon
e SHBA-së kundër ishullit, embargo, theksoi, që prek edhe sektorët financiarë, pa
marrë fare parasysh përpjekjet e qeverisë kubane për ndryshime. Presidenti kujtoi
shtegtimin në vendin ku nderohet Zoja e Kobres, Nëna e Dashurisë së Krishterë, që
i tërheq të gjithë kubanët, besimtarë e jo besimtarë, të cilët mblidhen rreth saj
me devocion të thellë. Rikujtoi, më pas, marrëdhëniet e mira ndërmjet Kishës e Shtetit.
Në
fjalimin e përshëndetjes, duke iu përgjigjur presidentit Kastro, Benedikti XVI
kujtoi vizitën e Gjon Palit II në ishullin karaibik, në vitin 1998. “Një nga
frytet më të rëndësishme të kësaj vizite, nënvizoi, ishte fillimi i një faze të re
në marrëdhëniet ndërmjet Kishës e Shtetit kuban, me frymë bashkëpunimi e besimi, ndonëse
mbeten shumë aspekte ende të papërfunduara, lidhur, sidomos, me kontributin e pamohueshëm,
që ka dhënë e vijon të japë feja në fushën e veprimtarisë publike e shoqërore. Papa
theksoi se i ka shumë për zemër aspiratat e drejta e të ligjshme të mbarë kubanëve,
kudo që ndodhen, se ua njeh mirë vuajtjet e gëzimet, shqetësimet e dëshirat më fisnike,
në mënyrë të veçantë, të moshuarve e të rinjve, adoleshentëve e fëmijëve, të sëmurëve
e punëtorëve, të burgosurve e familjarëve të tyre, e, sidomos, të varfërve e nevojtarëve.Dhjetra
mijëra kubanë, në festë, ashtu si në Meksikë, kishin mbushur të dy anët e rrugëve
nga kaloi Papa, rreth 10 kilometra, nga Aeroporti, në Kryeipeshkvinë e Santiagos së
Kubës.