Benedikti XVI në shenjtëroren e Zojës së Kobres: Kuba të shkon përpara në udhën e
ndryshimit e të shpresës
Vazhdon shtegtimi i Papës Benedikti XVI nga Meksika në Kubë. Mbrëmë, Ati i Shenjtë
Ratcinger mbërriti në Kubë, në një vizitë, që synon t’i japë shpresë për të ardhmen
popullit e Kishës Katolike të ishullit karaibik. Para nisjes për në Havanë, është
mjaft domethënëse se Papa u bë shtegtar si gjithë të tjerët në shenjtëroren e Zojës
së Kobres në Santiago de Cuba, ku ndezi një qiri e tha Lutjen e besimtarit drejtuar
Nënës së Dashurisë së Krishterë, sipas ritualit të Viti Jubilar, me të cilin shtegtarët
kërkojnë ndjesën e plotë. Historia e këtij vendi shtegtimi, më i nderuari në Kubë,
lidhet ngushtë me disa nga ngjarjet shoqërore e politike më të rëndësishme të vendit.
Gjithçka nisi në vitin 1606, kur tre peshkatarë (dy indianë, Juan e Rodrigo de Hoyos
dhe një skllav zezak, Juan Moreno) gjetën një shtatore prej druri të Zojës, që pluskonte
mbi ujërat e Bahía de Noipe. Tek këmbët e saj shkruhej “Jam Zoja e Dashurisë së Krishterë”.
Shtatorja u mbart në minierën e bakrit të El Cobre dhe, në të njëjtin lokalitet, më
1684, u ngrit shenjtërorja e parë. Më 10 maj 1916, Papa Benedikti XV e shpalli ‘Virgén
de la Caridad”, Pajtore të Kubës. Sot, pasi iu lut për ndjesën e plotë, Papa me
të njëjtin emër, por kësaj radhe, Benedikti XVI përshëndeti besimtarët e shumtë,
të mbledhur në sheshin e në radhën e gjatë të shkallëve, para shenjtërores. E quajti
Zojën, ashtu si kubanët, “Mambisa”, term, që i ka rrënjët në luftën për pavarësi.
E duke iu referuar problemeve e vështirësive të vendit, theksoi: “Thuajuni të
gjithëve, këdo që të takoni, të afërt apo të largët, se ia kam besuar Nënës së Zotit
të ardhmen e atdheut tuaj, që të ecë në rrugën e përtëritjes e të shpresës, për të
mirën e të gjithë kubanëve. I jam lutur Virgjërës së Shenjtë edhe për nevojat e atyre
që vuajnë, që s’kanë liri, që janë larg nga të dashurit, ose jetojnë çaste tejet të
vështira”. Jam lutur edhe për të rinjtë, nënvizoi Ati i Shenjtë, që të jenë
miq të vërtetë të Krishtit e të mos shkojnë në rrugë, që lënë pas vetëm trishtim.
Jam kujtuar edhe për afrokubanët e për popullsinë e Haitit, që vuan pasojat e tërmetit,
si edhe për fshatarët e familjet e tyre, që ofrojnë shtëpitë si qendra misioni për
kremtimin e Eukaristisë. E Benedikti XVI përfundoi me fjalët: “…inkurajoj të
gjithë bijtë e kësaj toke të dashur të vazhdojnë ta bazojnë jetën mbi një shkëmb të
patundur, mbi Jezu Krishtin, të punojnë për drejtësinë, të jenë shërbëtorë të dashurisë
së krishterë e të kenë durim para sprovave. Asgjë e askush të mos ua largojë nga zemra
gëzimin e brendshëm, kaq karakteristik për shpirtin kuban”.