2012-03-27 13:44:32

Atë Lombardi: në Kubë, Kisha është e gjallë, por akoma ka rrugë për të bërë


Papa mbeti i habitur nga numri i madh i njerëzve, që e pritën në Kubë: përshkoi një rrugë prej 10 kilometrash, mbushur plot e përplot me njerëz, që e shoqëruan me duartrokitje e brohoritje, nga aeroporti deri në kryeipeshkëvinë e Santiago de Cuba. Në takimin e përditshëm me gazetarët, zëdhënësi i Vatikanit, atë Federiko Lombardi e nënvizoi këtë fakt dhe sqaroi se mund të bëhet një takim i Benediktit XVI me ish-presidentin kuban, Fidel Kastro. Por të dëgjojmë komentin e tij nga Kuba, sidomos për pritjen, që iu rezervua Atit të Shenjtë:
Shihej se mezi e prisnin, pasi pamë shumë e shumë njerëz, që erdhën për ta dëgjuar Papën, me gëzim të jashtëzakonshëm. Rasti është i bukur, pasi festohet viti jubilar i Zojës së Caridad del Cobre, që është Nëna shpirtërore e të gjithë kubanëve, shumë e dashur dhe e nderuar prej tyre. Fakti që Papa ka ardhur për ta nderuar së bashku me ta, natyrisht, u prek zemrën. Por, Papa mund ta shohë në disa këndvështrime jetën e Kishës në këtë ishull: një Kishë, që vjen nga situata të vështira e që, në një farë kuptimi, po rilind përmes dëshmisë së pastër të bamirësisë e të pranisë aktive e të përvuajtur në jetën e njerëzve të saj. Ajo i qëndron afër popullit, që kërkon e shpreson në një të ardhme më të lumtur, sipas perspektivës, që e pati përcaktuar mjaft mirë Gjon Pali II, kur thoshte se Kuba hapet për botën e bota për Kubën: fjalë, që mbeten aktuale edhe sot.
Kuba duket se po e rizbulon fenë e vet, edhe falë jubileut marian. Zoja e Dashurisë së Krishterë shtegtoi në të gjithë vendin, duke sjellë pajtim…
Kjo shpresohet, këtë dëshiron të shpallë e ta propozojë Papa, si udhë për paqen, por edhe për ndërtimin e një shoqërie të pajtuar e të aftë të shikojë përpara, me entuziazëm të ri. Por, duhen vepra e jo vetëm fjalë. Papa e di mirë se jep mesazhe, që pastaj, duhen zbatuar në praktikë nga njerëzit, nga ata, që e dëgjojnë e nga ata, që duan ta dëgjojnë.
Kisha e vendit është mjaft aktive, apo jo?
Po, Kisha lokale në Kubë përshkruhet nga ata, që e njohin, si Kishë plot gjallëri, që mund të japë një kontribut të rëndësishëm për popullin e saj, i cili ka nevojë për shpresë. Ideologjia marksiste e ka privuar nga vlerat shpirtërore të traditës, prandaj, ka nevojë t’u japë jetë rrënjëve të fesë së vet. Kisha është aktive e paraqitet si institucion, që meriton respekt, prandaj mund të hyjë në dialog me autoritetet e shoqërisë kubane, ashtu si asnjë institucion tjetër. Kjo është përgjegjësi e madhe, por edhe – shpresojmë – një kontribut i mrekullueshëm, që mund të japë Kisha.
Cilat janë marrëdhëniet ndërmjet shtetit e Kishës, aktualisht?
Marrëdhëniet ndërmjet shtetit e Kishës dhe ndërmjet Selisë së Shenjtë e Kubës janë të mira. Ato e ndihmojnë Kishën të jetojë në shoqëri e të punojë me përvuajtëri, por me gjallëri në çdo vend të ishullit. Megjithatë, është e nevojshme që ky realitet të zhvillohet më tej. Papa thekson se ka akoma shumë rrugë për të bërë, shumë gjëra për t’u përmirësuar, duke i dhënë Kishës më tepër hapësirë në fusha si edukimi, komunikimi, shëndetësia…







All the contents on this site are copyrighted ©.