Ambasadori kuban pranë Selisë së Shenjtë: Benediktit XVI do të jetë e paharrueshme.
Kuba e preti me padurim e me gëzim Papën Benediktin XVI, që shkeli në trojet e vendit
karaibik më 26 mars, për të vijuar këtë shtegtim vërtet të jashtëzakonshëm apostolik,
deri më 28 të po këtij muaji. Duhet kujtuar se pikërisht në këto ditë përkujtohet
edhe përvjetori i shtegtimit historik të Gjon Palit II në Ishull. Pikërisht 14 vjet
më parë, më 23 janar 1998, Papa Vojtila, duke kryesuar Meshën Shenjte në Camaguey,
i nxiste të rinjtë kubanë ta dëshmonin fenë e krishterë pa frikë, ta mbronin me guxim
të vërtetën e ta kërkonin me fund lirinë. Por, si e kujton Kuba këtë ngjarje të
madhe? Pyetëm ambasadorin kuban pranë Selisë së Shenjtë, Eduardo Delgado:
Përgjigje:
-Vizita e Gjon Palit II për popullin kuban ishte një ngjarje me ndikim të madh,
e paharrueshme, që vijon të jehojë si rikthim i Krishtlindjes, si festë kombëtare,
si hapje e përhershme e një porte, të mbyllur prej vitesh. E portës së dialogut me
Kishën katolike kubane mbi një mori problemesh baritore. E kjo luajti një rol të dorës
së parë në rilidhjen e marrëdhënieve të mira e në vijimin e tyre. E vlerësojmë dhe
e kujtojmë jo vetëm vizitën e tij, por edhe mësimet e papnisë së tij të gjatë.
Pyetje:
- Sipas jush, a ka vazhdimësi ndërmjet asaj, që ju sapo na e kujtuat, e vizitës së
ardhshme të Benediktit XVI nga 26 deri më 28 marsin e ardhshëm, në Kubë? Ç’ mund të
pritet nga ky shtegtim?
Përgjigje: - Mendoj se po, sepse, ndërmjet
tjerash, në këto vite nuk ka pasur ndryshime në marrëdhëniet dypalëshe. Përkundrazi.
Në shumë aspekte, marrëdhëniet u thelluan, sepse në këtë thellim të çon vetë logjika
e historisë. Ç’shpresojmë ne? Mbi të gjitha, kemi dëshirë të madhe që edhe kjo vizitë
e Atit të Shenjtë, të jetë po aq pozitive e po aq e bukur, sa ajo e Paarardhësit të
tij. E pastaj, urojmë që të lerë në zemrën e Atit të Shenjtë një kujtim të pashlyeshëm,
ashtu si ndodhi edhe me Gjon Palin II.
Pyetje: - Flitet shumë edhe për amnistinë
e qeverisë kubane, që do t’u hapte dyert pothuajse 3 mijë të burgosurve. Thuhet edhe
se ky do të ishte gjest i vullnetit të mirë, pikërisht në perspektivë të vizitës së
Papës. Ç’mund të na thoni për këtë pritje, kaq të rëndësishme?
Përgjigje:
- Së pari, mund të them se është folur shumë për këtë amnisti, me karakter të
dyfishtë: është një gjest njëkohësisht sovran e humanitar. Nga ana tjetër, duhet kujtuar
se amnistitë në Kubë janë praktikë normale. Shpallen mesatarisht një herë në vit.
Në të kaluarën ka përfituar nga amnistia, një numër edhe më i madh se ky, për të cilin
po flasim. Nuk është, prandaj, asgjë e jashtëzakonshme. E, së treti, amnistitë, e
kjo e fundit në mënyrë të veçantë, janë përgjigje që u jepet situatave të veçanta
humanitare, të cilat kanë të bëjnë, për shembull, me të burgosur të moshuar ose të
sëmurë rëndë, me të rinj, që kanë përmirësuar ndjeshëm sjelljet e tyre shoqërore,
duke mësuar e duke punuar; me të burgosur të tjerë, që janë penduar dukshëm ose që
e kanë kryer pjesën më të madhe të dënimit… Lirimet janë edhe përgjigje e kërkesave
nga ana e familjarëve dhe Kishave, Kishës katolike dhe Këshillit të Kishave. E pastaj
jemi në vigjilje të vizitës së Papës, e prandaj është edhe gjest, që shpreh vullnetin
e mirë me karakter humanitar.
Pyetje: - Me vizitën e Papës, pas pak javësh,
Kuba, së bashku me Meksikën, SHBA e Kolumbinë, hyn në listën e shteteve amerikane
të vizituara nga dy papë. Si e pritët ju këtë lajm?
Përgjigje: -Besoj
se po përmbledh ndjenjat e popullit kuban, të qeverisë e ato personale, kur shprehem
për këtë ngjarje kaq të madhe: mbi të gjitha, është nder i madh të vizitohesh nga
dy papë, nga Gjon Pali II e nga Papa i sotëm, Shenjtëria e Tij Benedikti XVI. Shtoj
edhe se Papa do të pritet me shumë respekt, me shumë dashuri. Ne të gjithë do të bëjmë
ç’është e mundur që kjo vizitë të lërë një gjurmë të paharrueshme, ashtu si ajo e
Gjon Palit II.
Pyetje: - E si mund ta tregojmë emocionin e popullit kuban,
posaçërisht, atë të njerëzve të thjeshtë, të punëtorëve, studentëve, grave, pleqve,
të rinjve?
Përgjigje: -Në çfarëdo rrethane, sipas meje, vizita e
Papës pritet me simpati të madhe e me shpresa të mëdha; me manifestime dashurie e
respekti. Kjo vizitë përkon edhe me përfundimin e shtegtimit kombëtar të Zojës së
Dashurisë së Krishterë të Kobres, figura e së cilës, duke nisur që nga viti 2010,
përshkoi gjithë ishullin. Ishte shtegtim që jo vetëm arriti në vende gjeografikisht
të veçanta, si qytetet e mëdha e të vogla, por u ndalua edhe në mjedise shoqërore
me rëndësi: Zoja nuk vizitoi vetëm kishat, por edhe shkollat, qendrat kulturore, entet
artistike e edhe burgjet. Shtegtimi i Pajtores së Ishullit krijoi një atmosferë të
veçantë, ngjalli dëshira të reja e shpresa të reja, në pritje të ardhjes së Papës.
Nuk kam kurrfarë dyshimi se meshët, që do të kryesojë Ati i Shenjtë, do të ndiqen
me një pjesëmarrje masive nga gjithë kubanët. E dinë të gjithë se populli kuban është
mikpritës, solidar.
Pyteje: - Sipas Kushtetutës, Shteti kuban është laik
dhe, që prej shumë vitesh, më se 70, ka marrëdhënie diplomatike me Selinë e Shenjtë.
Në këtë këndvështrim, si mund ta kuptojmë vizitën e Papës?
Përgjigje:
- Është fakt, siç vërejtët edhe ju, se vendi ynë është laik. Të gjitha kishat
e pranishme në Kubë, mund ta zhvillojnë veprimtarinë e tyre brenda një kornize të
mirëpërcaktuar. Por unë besoj që duhet theksuar se doktrina e krishterë është pjesë
e pandarë e kulturës dhe e mënyrës së të menduarit të popullit kuban.
Pyetje:
- Në se kujtojmë fjalët e Papës për Kubën, thënë me raste të ndryshme, të krijohet
përshtypja se Benedikti XVI e njeh mirë vendin, njeh problemet e vështirësitë, sfidat
e përparësitë. Është kështu, sipas jush?
Përgjigje: - Pikërisht
kështu. Papa e njeh mirë vendin tonë e dhe autoritetet më të larta të Vatikanit e
njohin po aq mirë realitetin tonë. Prej këndej, marrëdhëniet tona diplomatike vijojnë
në frymën e dashurisë e të respektit. Na ndodh shpesh ta ndjejmë këtë dashuri për
vendin tonë, e edhe më shpesh shikojmë qartë se Selia Apostolike e njeh Kubën, ashtu
siç është.
Pyetje: - Një pyetje paksa e veçantë: ç’pret Kuba nga kjo vizitë.
Ç’dëshiron e pse?
Përgjigje: Në radhë të parë, duhet thënë se marrëdhëniet
ndërmjet Selisë së Shenjtë e Kubës janë të mira. Vijojnë që prej 76 vjetësh. Në planin
ndërkombëtar, Selia e Shenjtë ka mbajtur gjithnjë qëndrim kundër bllokut, që e godet
Kubën prej shumë vitesh e edhe kundër kufizimeve, që rëndojnë mbi popullin tonë e
që e pengojnë në ndërtimin e ardhmërisë. Selia e Shenjtë na ka shprehur disa herë
edhe afërsinë e solidaritetin, si shpirtëror, ashtu edhe material, në raste fatkeqësish
natyrore, duke e ngushëlluar shumë popullin kuban. Prandaj populli ynë pret ta takojë
Papën, duke e parë vizitën si ngjarje shumë të rëndësishme: dëshiron t’i rrijë pranë,
ta dëgjojë, të marrë bekimin e tij. Fjala e Papës ndikon shumë pozitivisht mbi njerëzit
e edhe mbi zhvillimin e shoqërisë. Kështu ishte Mendoj se po, sepse, ndërmjet tjerash,
në këto vite nuk ka pasur ndryshime në marrëdhëniet kur na vizitoi Gjon Pali II, e
kështu do të jetë edhe tani, që vjen mes nesh Benedikti XVI.