2012-03-26 17:39:07

Çfarë gjen dhe si do ta presin Papën në Kubë?


Benedikti XVI shkon në Kubë, në 400-vjetorin e gjetjes së shtatores së Zojës së Dashurisë së Krishterë të Cobres. Vendi përjeton krizën ekonomike e atë të ideologjisë socialiste, që ndoqi shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, por Kisha Katolike karakterizohet nga vlera si vëllazërimi e shpresa, të cilat e ndihmojnë popullin kuban të ecë përpara. Ka filluar një lloj dialogu ndërmjet Kishës dhe shtetit, por pa ndërhyrje nga jashtë e duke u bazuar në impenjimin për një shoqëri më të drejtë. Qeveria e Havanës i ka hapur një derë të vogël inciativës private, sidomos në fushën e bujqësisë e të shërbimeve.
Papën do ta ndjekin rreth 800 gazetarë të 295 mjeteve të komunikimit nga 33 vende të botës. 200 mijë vetë priten në kremtimin e meshës për 400-vjetorin e Zojës së Cobres, ndërsa parashikimet flasin për 700 mijë vetë në Meshën e sheshit të Revolucionit në Havanë. Kremtim, në të cilin do të marrin pjesë edhe shumë jo besimtarë, në shenjë respekti për Benediktin XVI. 400 katolikë vijnë nga Florida, në një shtegtim organizuar nga ipeshkvi i vendit. Por, gazeta zyrtare e Partisë Komuniste Kubane “Granma”, denoncon fushatën e organizuar nga të ashtuquajturit “grupe kundërrevolucionarësh”, me bazë në SHBA-të, për të krijuar shqetësime gjatë vizitës së Atit të Shenjtë.
Pak orë para mbërritjes së Papës në kryeqytet, regjistruam komentin e kancelarit të kryedioqezës së Havanës, imzot Ràmon Suàrez Polcari, i cili na përshkruan pritjen, që do t’i rezervohet Benediktit XVI, në sheshin e Revolucionit:
Presim 700 mijë vetë, besimtarë e jo besimtarë. Janë përfaqësuesit e një populli, që sipas meje, ka nevojë për shpresë e zhvillim. Duhet thënë se qeveria na e ka lehtësuar mjaft punën.
Priten edhe katolikët kubanë nga Florida…
Po, natyrisht. Jo vetëm nga Florida, por edhe nga Nju Jorku, Bostoni, Uashingtoni, Porto Riko, Meksika.
Elteri i meshës do të jetë i thjeshtë, apo jo?
Po, i thjeshtë. Shtëpia e lashtë e Havanës, karrigja papnore dhe elteri i shekullit XIX.







All the contents on this site are copyrighted ©.