2012-03-26 14:33:51

Benedikti XVI gjatë Lutjeve mbrëmësore në Katedrale: Kisha të jetë përkrah të shtypurve.


“Kisha të jetë gjithnjë në shërbim të njerëzve, posaçërisht të atyre që shtypen, që nuk përfillen nga shoqëria, që përjashtohen nga radhët e saj, që vuajnë”: është thirrja e fuqishme e Papës mbrëmë, gjatë kremtimit të Lutjeve mbrëmësore, në Bazilikën-Katedrale të León me ipeshkvijtë e Meksikës e të mbarë Amerikës Latine. Papa i inkurajoi prelatët të jenë kudo e kurdoherë farë shprese, edhe në situata posaçërisht të dhimbshme për jetën e Kishës.RealAudioMP3

Ta përforcojnë në fe popullin latinoamerikan, të jenë gjithnjë pranë e përkrah tij në ditë të bardha e të zeza, ta ndihmojnë me vendosmëri e guxim: në Katedralen e León, kushtuar Zojës së Dritës, Papa u dha zemër ipeshkvijve të jenë “farë shprese”, t’u krijojnë të gjithëve mundësinë t’i shikojnë me sytë e vet frytet e Ringjalljes. E i ftoi edhe të jenë roje në bedenat e Kishës, duke kumtuar ditë-natë lumninë e Zotit, që është jeta e njeriut.

“Të jeni gjithnjë përkrah të shtypurve nën barrën e rëndë të dhunës, të pushtetit a të pasurisë, që e shpërfill njeriun, të cilit i mungon deri kafshata e bukës së përditshme” - ishte thirrja e Papës, që, në vijim ripohoi me forcë: “Kisha nuk mund t’i shërbejë Zotit, pa i shërbyer edhe njeriut. Janë dy shërbime, që nuk mund të ndahen”. Të jesh njeri, shtoi, do të thotë të jesh vëlla e rojtar i të afërmit. Prandaj, vërejti më tej, Kisha duhet ta aktualizojë Jezusin e ta rijetojë jetën e Samaritanit të Mirë, që na mjekoi plagët e u përpoq të na shëronte. Papa nënvizoi, kështu, sfidën e madhe të ungjillëzimit të ri, duke tërhequr fort vëmendjen tek shërbimi i laikëve.

Formimi i tyre në fe, pohoi, është vendimtar për ta bërë të pranishëm e të frytshëm Ungjillin në gjirin e shoqërisë së sotme. Prej këndej, shpjegoi, nuk është e drejtë që laikët të konsiderohen si njerëz pa peshë në Kishë, si njerëz të papërfillur, edhe pse punojnë me gjithë zemër, duke dhënë ç’kanë më të mirë e, nganjëherë, edhe duke u flijuar për t’i shërbyer me përkushtim të plotë Atij, të cilit i besojnë me gjithë zemër: Zotit! E nuk duhet harruar, pastaj, një nga detyrat me rëndësi të dorës së parë: ndjekja me vëmendje të madhe e seminaristëve.

Jo më pak themelor për ipeshvijtë, kujtoi Ati i Shenjtë, është kujdesi për meshtarët, të cilëve nuk duhet t’u mungojë mirëkuptimi e inkurajimi i ipeshkvit të tyre e, në se është e nevojshme, edhe qortimi i tij atëror, në raste sjelljesh të papërshtatshme. Papa pranoi se në jetën dhe misionin e Kishës, nuk mungojnë edhe situata vërtet të dhimbshme. Shprehu, kështu, shqetësimin e tij, shqetësim që, theksoi duke iu drejtuar ipeshkvijve, e lexoj edhe në fytyrat tuaja. Por, sido që të ndodhë, shtoi, mos harroni kurrë se nuk jeni vetëm përballë vështirësive. Të gjithë jemi një gjë e vetme, si në vuajtje, ashtu edhe në ngushëllim.







All the contents on this site are copyrighted ©.