2012-03-26 16:33:20

Atë Lombardi: bilanc i parë i shtegtimit në Meksikë dhe pritja në Kubë


Për një bilanc të parë të shtegtimit të Papës në Meksikë si dhe për pritjen e etapës së dytë, të dëgjojmë drejtorin e Sallës vatikanase të Shtypit, atë Federiko Lombardi:RealAudioMP3

Përgjigje: - Natyrisht, si qendër e mesazhit (në Meksikë), ishte ftesa për shpresë, drejtuar një populli, që kalon çaste të vështira, që vuan për shkaqe, të njohura mirë nga të gjithë. Prej këndej, fjalët e inkurajimit e të shpresës mbetën të vulosura ndër zemra. I gjithë takimi u realizua me sukses e me gëzim të madh. Me qindra mijëra njerëz, si në shtegtimet e Gjon Palit II, e shoqëruan edhe Benediktin XVI gjatë rrugëve ; miliona, po të llogarisim numrin e pjesëmarrësve në të gjitha kremtimet. Me një entuziazëm proverbial. Kështu, një popull i tërë u shtrëngua rreth Eukaristisë. Një popull, që e do Papën, që e ndjen fuqimisht pranë Pasardhësin e Shën Pjetrit edhe në historinë e tij. Papa e dinte këtë, prandaj i la këtij vendi një mesazh të qartë, mesazh feje e shprese, që mund ta përtërijë jetën e njerëzve e të mbarë shoqërisë. Në kujtesën personale të meksikanëve, Ati i Shenjtë mbeti i lidhur fort me figurën e Gjon Palit II, në sa e njohën nga afër, duke e lidhur, kështu, ngushtë, mesazhin që u përçoi, me figurën konkrete të vetë Papës Benedikti XVI.

Pyetje: - Ju folët për entuziazëm proverbial, për harenë e këtij populli, që e jeton fenë me gëzim. Ç’mbresa i la kjo Papës?

Përgjigje: - Po, Papa hyri, kështu, në rrënjët më të thella të fesë së meksikanëve. Gjithsesi, si zakonisht, bëri thirrje të mos ndalen tek dafinat, por të jenë të vetëdijshëm edhe për vështirësitë, që jeton feja në kohën tonë, për problemet, si ai i shekullarizimit, i përhapjes së sekteve i humbjes së besimit në vetvete, për shkak të dhunës, të drogës, të pamundësisë për t’i edukuar fëmijët. Në rrethana të tilla, kjo fe me rrënjë të thella, duhet vënë vazhdimisht në jetë, duhet ta gjallërojë jetën, ta mbushë me limfë të re. E këtë Papa e theksoi disa herë. Edhe kur kujtoi Vitin e Fesë, ungjillëzimin e ri, Misionin Kontinental, nisur me Konferencën e Aparesidës. Janë të gjitha mënyra për ta ushqyer fenë në këto vende .

Pyetje: - Mund të themi se një mesazh i tillë nuk i përket vetëm popullit meksikan, por mbarë popujve të Amerikës Latine...

Përgjigje: - Për vetë natyrën e saj, prania në Meksikë kishte domethënie të paramenduar kontinentale. E kjo u pa konkretisht edhe me pjesëmarrjen e kryetarëve të Konferencave ipeshkvonre të mbarë Kontinentit latinoamerikan; edhe të Amerikës së veriut. Mesazhi nga Meksika iu drejtua mbarë kontinentit, duke kujtuar edhe dyqindvjetorin e pavarësisë, që kremtojnë këto vende, çast i rëndësishëm historik për t’i gjallëruar rrënjët, misionin, dinjitetin kombëtar, me Kishën gjithnjë përkrah, si element pozitiv e konstruktiv.
Edhe shtegtimi në Kubë vijon në këtë hulli, por e dijmë të gjithë se Kuba ka veçoritë e saj, ka një Kishë të vuajtur, të privuar për shumë vjet nga veprimtaritë, që po rilind e po i jep kontribut shoqërisë, në fazën e tranzicionit. Kështu mund të them se shtegtimi në Kubë vijon të jetë në kontekstin latinoamerikan, por ka edhe specifikën e vet, gjë që, natyrisht, do të ndjehet edhe në fjalimet e në praninë e Papës në ishull.

Pyetje: - Për të përfunduar, në se duam të ruajmë në zemër një fotografi, një përfytyrim të veçantë të këtij shtegtimi, ç’ duhet të zgjedhim?

Përgjigje: - Ndershmërisht them se Eukaristia në Parkun e Dyqindvjetorit, sipas meje, ishte më e bukura që kujtoj nga papnia e Benediktit XVI, edhe si mjedis. Ishte kulm feje, takim i Papës me popullin meksikan në fe, rreth Sofrës eukaristike, me shtatoren vigane të Krishtit mbret, që sundonte sfondin e bekonte bashkësinë e gjunjëzuar para Tij. Do të shtoja edhe fotografinë e takimit me fëmijët, por qendra e kulmi mbetet gjithnjë Takimi eukaristik i një Kontinenti të tërë, me Papën







All the contents on this site are copyrighted ©.