2012-03-25 16:42:08

Takim i atë Lombardit me shtypin: Papa ka punuar gjithnjë për të vërtetën dhe transparencën


Sot, më se një milion njerëz, në festë tipike meksikane, e përshëndetën me brohori, këngë e valle Papën Benedikti XVI në León e Ganuajato, si në të dy qytetet, ashtu edhe në rrugët, që përshkoi Ati i Shenjtë. Njoftimin e dha zëdhënësi i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi, që e shoqëron Papën, në një takim me shtypin, në León:
Gjatë takimit me gazetarët, Atë Lombardi nënvizoi përzemërsinë, ngrohtësinë e harenë shpërthyese, që karakterizoi takimin e Benediktit XVI me fëmijët në Guanajuato, duke sqaruar se edukimi kulturor e moral i ndërgjegjes të të rinjve, është e vetmja rrugë, që tregon Papa, për të luftuar dhunën. Atë Lombardi e përjashtoi mundësinë e takimit të Papës me kandidatët presidencialë si dhe një takim të mundshëm në Kubë, me presidentin venezuelan, Çavez. Më pas, duke u ndaluar tek tema e lirisë fetare, ripohoi se Kisha nuk kërkon privilegje. E vetmja kërkesë e saj është të marrë pjesë në jetën e në shoqërinë meksikane.
Atë Lombardi, që konfirmoi takimin e Benediktit XVI me viktimat e terrorizmit e të drogës, e përjashtoi takimin me viktimat e pedofilisë. Kur takime të tilla u bënë në vende të tjera, kujtoi, u kërkuan nga vetë ipeshkvijtë, me parapërgatitjen e duhur e me përfshirjen në procesin e dialogut e të ndihmës nga ana e Kishës. Gjithsesi, pohoi Atë Lombardi, në disa shtegtime Papa është takuar me viktimat e pedofilisë, në disa të tjera, jo, si për shembull, në Portugali e në Francë. Nga ana e viktimave, sqaroi atë Lombardi, u vu re një farë agresiviteti, në mënyrën si e kërkuan takimin. E dhe një farë mëdyshjeje: na thanë se donin ta takonin Papën, por nuk donin të hynin në një dialog të thellë përshpirtërie. Duhet kujtuar se është krejtësisht e padrejtë të flitet për Benediktin XVI, si për një Papë, që ka punuar kundër së vërtetës e kundër transparencës, tha atë Lombardi, duke e përjashtuar plotësisht akuzën, sipas së cilës kardinali i asokohshëm Ratcinger, që nga viti 1998, ishte në dijeni të shpërdorimeve të Macielit, që pastaj u shkarkua ‘a divinis’ domethënë, u përjashtua nga e drejta për kremtimin e Mistereve hyjnore, nga vetë Benedikti XVI. Lidhur me këtë, ka pasur edhe një deklaratë solemne gjatë procesit të lumnimit.Të dy papët, përfundoi atë Lombardi, kanë qenë gjithnjë për të vërtetën dhe transparencën lidhur me këtë temë.







All the contents on this site are copyrighted ©.