2012-03-25 09:51:22

Shtatorja e Krishtit Mbret


Është shtatorja e dytë në botë për nga madhësia, pas asaj, që njihet me emrin Krishti i Korkovados, në Rio-De-Zhanéjro, si dhe një nga monumentet më të mëdha fetare të Meksikës, cak shtegtimesh me kalë (Cavalcada), që organizohen çdo vit në Solemnitetin e Epifanisë. Shtatorja lartohet në majën e Cerro Cubilete, më e larta në zonë (2.700m), e zgjedhur sepse ndodhet në qendrën gjeografike të Meksikës. Skulptura (80 tonelata, 22 metra gjatësi) e paraqet Krishtin me krahë hapur, me dy engjuj, në të dy krahët: njëri mban në dorë një kurorë mbretërish; tjetri, një kurorë ferrash.
Çuditërisht, shtatorja nuk drejtohet kah kryeqyteti i Shtetit Guanajuato ose kah kryeqyteti federal, Qyteti i Meksikos, por kah qyteti León, sepse ishte kjo dioqezë, që konsiderohet si zemra fetare e vendit, që e financoi projektin fillestar.
Shtatorja origjinale, realizuar më 1923, u shkatërrua më 1926 nga një bombardim, me urdhër të presidentit të asokohshëm meksikan, Plutarko Elias Calles, në fillim të revoltës së Cristeros (1926-1929). Skulptura e sotme, përuruar më 1940, u bashkëfinancua nga qeveria meksikane, si gjest i vullnetit të mirë për bashkëpunim me Kishën.







All the contents on this site are copyrighted ©.