2012-03-25 18:56:37

Papa në Meshën për 200 vjetorin e Pavarësisë, në León: Meksika e Amerika Latine jetojnë kohë dhimbjeje e shprese, Krishti është udha e jetës.


Sot, në të Dielën V të Kreshmëve, në orën 18.00 me orën evropiane, Papa kremtoi Meshën Shenjte, pasuar nga lutja e Engjëllit të Tënzot, në Parkun e Dyqindvjetorit të Pavarësisë të Shtetit të Guanajuatos, djep i kombit meksikan. Duke arritur në vendin e kremtimit, helikopteri me të cilin udhëtonte Papa, fluturoi mbi Shenjtëroren e Krishtit Mbret.
Rreth Atit të Shenjtë, që kryesoi Meshën, 250 kardinaj, ipeshkvijtë e Meksikës, të gjithë kryetarët e 22 Konferencave ipeshkvnore të Amerikës Latine e të Karaibeve, dhe rreth 3 mijë meshtarë, të cilët Benedikti XVI i përshëndeti përzemërsisht. Kremtimin e shoqëroi një orkestër me 60 instrumente dhe një kor me 200 këngëtarë. Të shumta, ekranet vigane rreth Parkut, për të lehtësuar pjesëmarrjen në Meshë, të një turme të pafundme besimtarësh.
Fjalët e Psalmit 50 “Krijo në mua, o Zot, një zemër të pastër”, cituar nga Papa, i përfshinë menjëherë të gjithë në atmosferën e afrimit të Javës së Madhe, e cila na përgatit për misterin e Pashkëve, të vdekjes e të ngjalljes së Zotit, e njëkohësisht, edhe për përballimin e sfidave, që e presin Meksikën dhe mbarë Amerikën Latine. Papa përshkroi, gjatë homelisë, lidhjen e ngushtë të historisë së Izraelit, me zemrën e pastër, zemrën pa mëkat të njeriut, që dëshiron të bëjë kthesë, por, duke e njohur ligështinë e vet, i drejtohet mëshirës hyjnore, me shpresë se vetëm Zoti mund ta ndihmojë të krijojë një zemër vërtet të re, e, prej këndej, një jetë e një shoqëri të re:
“E kujtojmë këtë në situatën tonë, të popujve tonë, të jetës sonë personale e komunitare, me bindjen se strategjitë njerëzore nuk mjaftojnë. Prej këndej, duhet të kërkojmë ndihmën e Atij, që mund të na japë jetë, në kuptimin më të plotë të kësaj fjale”.
Historia e Izraelit flet edhe për heroizma të mëdha, beteja të mëdha, duke vënë me forcë në dukje se, në çaste vendimtare, më shumë se në forcat e veta, Izraeli i mbështeti të gjitha shpresat në Zotin, që mund të krijojë një zemër të re, jo zemër të pandjeshme e arrogante. Këtë duhet ta kujtojmë mirë edhe sot, ne e popujt tanë. Nuk mjaftojnë strategjitë njerëzore për të na shpëtuar. Shpëtimin duhet t’ia kërkojmë të Vetmit, që mund të na japë jetë me begati, Birit të Hyjit, Jezu Krishtit.
Më pas Benedikti XVI u ndalua tek Ungjilli i Meshës, në të cilin Jezusi kumton mundimet e tij të afërta. Do të mbërthehet mbi kryq, nga lartësia e të cilit do t’i tërheqë të gjithë pas vetes. Këtu nis lumnia e Zotit, që flijohet për shpëtimin e të gjithëve, si kokrra e grurit, që bie në tokë e, duke vdekur, jep fryte të begata:
“Njerëzit do ta takojnë Atë që, ndoshta pa e ditur, e kërkonin me gjithë zemër: Zotin e vërtetë, që njihet nga të gjithë popujt. Kështu ia dëftoi Zoja e Gudalupes Juan Diegos Birin e saj Hyjnor. Jo si hero të pamposhtur legjendash, por si Zot të vërtetë, Krijues i njeriut, i afërsisë e i ardhmërisë, i qiellit e i tokës”.
Duke folur, pastaj, për monumentin e Krishtit Mbret të Kubilete, Papa kujtoi Gjon Palin II, që nuk mundi të shkelë në León, por që sot gëzohet nga qielli për këtë takim, në vendin drejt të cilit shtegtojnë miliona meksikanë e ku sot mijëra zemra rrahin njëherësh me zemrën e Papës.
Benedikti XVI shpjegoi simbolikën e dy kurorave, që mbajnë engjëjt në të dy krahët e shtatores vigane të Krishtit Mbret: njëra, kurorë mbretërish; tjetra, ferrash:
Kurorat e Krishtit, Mbret i Kubilete, një mbretërish, tjetra gjembash, tregojnë se pushteti i tij mbretëror nuk është ashtu si e kuptonte e vijon ta kuptojë ndokush. Mbretëria e tij nuk mbrohet nga ushtritë, për t’i nënshtruar të tjerët me forcë e dhunë. Mbretëria e tij bazohet mbi një forcë shumë më të madhe, që fiton zemrat: mbi dashurinë e Hyjit, të cilin e solli në botë me flijimin e vetvetes e me të vërtetën, duke dhënë dëshminë më të lartë. Ky është pushteti i Tij, që askush nuk mund t’ia marrë, e askush nuk duhet ta harrojë”.
Më pas Papa kujtoi dyqindvejtorin e lindjes së Kombit meksikan, me larmi popujsh, që i bashkon i njëjti fat, e njëjta shpresë, e njëjta ardhmëri. Prandaj u kërkoi të pranishëmve t’i luten Krishtit t’u krijojë një zemër të pastër, ku Ai mund të banojë si Princ i Paqes, falë pushtetit të Hyjit, që është pushtet i mirësisë, pushtet i dashurisë.
Në përfundim, Misioni Kontinental:
Në Aparesidë, ipeshkvijtë e Amerikës Latine e të Karaibeve i dhanë një hov të ri përpjekjes për ungjillëzimin, përmes Misionit Kontinental në të gjitha dioqezat e Kontinentit. Duhet që mbarë të krishterët dhe bashkësitë kishtare t’i bëjnë ballë tundimit të një feje të cekët e të rifitojnë gëzimin, që buron nga feja e vërtetë e krishterë, nga lumturia, e cila e mbush plot shpirtin, që njeh Krishtin, që i përket Kishës së tij. Nga ky gëzim lindin edhe energjitë për t’i shërbyer Krishtit, edhe atëherë kur jeta të ndrydh e të dërmon, për të qenë gjithnjë gati, gjithnjë në shërbim të Tij, e jo të mirëqenies vetjake”.
Në përfundim, Papa kujtoi edhe Vitin e Fesë, që do të jetë, për mbarë Kishën, ftesë për kthim të vërtetë në rrugën e Zotit, të vetmit Shëlbues të botës.







All the contents on this site are copyrighted ©.