Papa e Presidenti meksikan Kalderon: duhet një traktat për armët e lehta. Takimi me
familjarët e viktimave të kriminalitetit.
Përhapja e armëve të lehta e të kalibrit të vogël ka favorizuar veprimtarinë e kriminalitetit
të organizuar. E nënvizuan Benedikti XVI dhe Presidenti meksikan, Felipe Kalderon,
gjatë takimit privat, që zgjati rreth një gjysëm ore, në Shtëpinë e Kontit Rul, të
Ganajuajtos. Hapa të reja përpara në rrugën e çarmatimit bërthamor dhe realizimi
i shpejtë i një Traktati ndërkombëtar mbi tregtinë e armëve të vogla e të lehta. Këtë
uruan Benedikti XVI dhe Presidenti Kalderon, sipas një komunikate të presidencës së
Republikës meskikane. Gjatë takimit, Papa dhe Kreu i shtetit, shpjegon nota, shkëmbyen
mendime për sfidat globale, që përballon sot bota, ndaj të cilave si Selia e Shenjtë,
ashtu dhe Shteti meksikan mbajnë qëndrim aktiv, në nivel botëror. Ndërmjet tyre,
u kujtuan ndryshimet klimaterike dhe pasojat e tyre, siguria ushqimore dhe lufta
kundër urisë në botë, dëshira për realizimin e çarmatosjes bërthamore si dhe nevoja
për arritjen e një traktati ndërkombëtar mbi tregtinë e armëve të vogla e të lehta,
duke parë se përhapja e tyre ka favorizuar kriminalitetin e organizuar. Iu kushtua
vëmendje konflikteve të sotme në botë e u prek edhe tema e edukimit të breznive të
reja, ndërsa tema e lirisë fetare, mbi të cilën në Meksikë po punohet për një reformë
kushtetuese, u prek shkarazi. Me rastin e bisedimeve të Papës e Presidentit Kalderon,
u zhvillua edhe një takim ndërmjet delegacionit të Vatikanit, me në krye sekretarin
e Shtetit, kardinalin Tarçizo Bertone, e delegacionit të qeverisë meksikane Menjëherë
pas takimit, Benedikti XVI takoi grupet e familjarëve të viktimave të kriminalitetit
të organizuar. Ndërmjet tyre, nëna e një polici federal, motra e një vajze të rrëmbyer
dhe një ish peng.