2012-03-25 16:43:05

Mesazh i Papës për takimin në Lurdë, 50 vjet pas Koncilit: ta komunikojmë me gëzim bukurinë e fesë


Të rizbulojmë entuziazmin e komunikimit të bukurisë së fesë: kështu thotë Benedikti XVI në videomesazhin për takimin kombëtar, organizuar në Lurdë nga ipeshkvijtë francezë, për të kremtuar 50 vjetorin e hapjes së Koncilit II të Vatikanit.
“Koncili II i Vatikanit – pohon Papa – ishte dhe mbetet një shenjë e vërtetë e Zotit për kohën tonë”. Nëse e interpretojmë sipas traditës së Kishës e të magjisterit të saj, mund të bëhet gjithnjë e më shumë, forcë e jashtëzakonshme, që i siguron Kishës të ardhmen. Ati i Shenjtë uron që ky përvjetor të jetë rast për rinovimin shpirtëror e për njohjen e thellimin në tekstet konciliare, që nuk e kanë humbur aspak vlerën. Është e nevojshme, thekson Benedikti XVI, t’ia hapim gjithnjë e më tepër zemrën Krishtit, duke gjetur kënaqësi në Fjalën e Zotit e duke u bërë të aftë për ta shpallur si duhet Ungjillin nëpër rrugët e botës, në dialog me të gjithë njerëzit.
Papa uron të konsolidohet bashkimi brenda Kishës Katolike e ndërmjet të gjithë të krishterëve – një nga objektivat kryesore të Koncilit. “Përtëritja e Kishës – vazhdon videomesazhi – kalon edhe përmes dëshmisë së jetës së vetë të krishterëve, që të shkëlqejë sërish Fjala e së vërtetës, që na ka lënë Zoti”. E pastaj, jep shembullin e shenjtorëve, të cilët na tregojnë se feja është individuale, por edhe komunitare, pasi përmban në vetvete dëshminë dhe impenjimin publik, që s’mund të lihet mënjanë. Për francezët, kush mund të jetë më tepër shembull se Zhan D’Ark, së cilës këtë vit i festohet 600 vjetori i lindjes: një e re dëshmitare e Krishtit, që çoi Ungjillin në zemrën e realitetit më dramatik të historisë e të Kishës së kohës së saj, nënvizon Ati i Shenjtë.
“Rizbulimi i gëzimit të besimit në Zotin dhe i entuziazmit në komunikimin e forcës e të bukurisë së fesë – përfundon Papa – është çështje themelore për ungjillëzimin e ri”, që na kërkon të impenjohemi pa frikë, për t’i bërë gratë e burrat e sotëm, miq me Krishtin.







All the contents on this site are copyrighted ©.