2012-03-25 19:17:42

Imzot Beçiu: Kisha në Kubë ka dalë nga sakrestitë


Kryeipeshkvi Anxhelo Beçiu, zevendës-sekretar i Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, në vitet 2009-2011 nunc apostolik në Kubë, është edhe një nga shoqëruesit e Papës në këtë shtegtim ndërkombëtar. E ftuam në mikrofonin tonë, duke iu lutur të na flasë për etapën kubane të shtegtimit, të interesuar kryesisht për marrëdhëniet e sotme ndërmjet Kishës e Shtetit në këtë vend, e duke e parë vizitën e Papës si një hap para në dialogun e filluar prej kohe: RealAudioMP3

Përgjigje: - Natyrisht, lidhjet ndërmjet Shtetit e Kishës janë mjaft të mira. Vetëm dy vjet më parë kremtuam 75-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike, që nuk u ndërprenë asnjëherë, ndërmjet Selisë së Shenjtë e Shtetit kuban. Prandaj mund të themi se marrëdhëniet ndërmjet Selisë së Shenjtë e Shtetit kanë qenë gjithnjë të mira, madje do të thosha, edhe normale. Nuk ka pasur probleme. Por nuk duhet harruar se ‘termometri’ i vërtetë për të matur temperaturën e këtyre marrëdhënieve, është qëndrimi i qeverisë ndaj Kishës vendase. Duhet thënë se kohët e fundit, e sidomos në periudhën e fundit, posaçërisht pas Gjon Palit II, marrëdhëniet janë bërë gjithnjë më të mira e termometri flet për temperaturë normale në jetën e Kishës, e cila ka fituar shumë më tepër hapësirë për veprimtarinë e saj. Mund të them se ka dalë nga sakrestitë, ku ishte detyruar të jetonte e ka nisur një mori veprimtarish katekistike e bamirëse, të cilat më parë as që mund të mendoheshin. E ajo, që ka më shumë rëndësi, po tërheq gjithnjë më shumë në gjirin e saj edhe ata, që e kishin braktisur, ose që nuk donin ta njihnin fare. Prej këndej, thënë me dy fjalë, mund të flitet për dialog të sinqertë, dialog, gjatë të cilit Kisha mund t’u flasë hapur qeveritarëve për atë që mendon e që dëshiron të realizojë, për të mirën e vetë popullit kuban.

Pyetje: - Kjo vizitë e dytë mund të jetë edhe një vijë e re kufiri, ashtu siç qe edhe vizita e Gjon Palit II e cila, mund të themi, ia ndryshoi jetën katolikëve të Kubës e, ju e dini edhe më mirë, bëri të zhduket mosbesimi që kishin shumë politikanë të Kubës ndaj katolikëve...

Përgjigje: - Do të thosha, një pjesë e politikanëve. E kjo, sepse ka edhe të tjerë, që vijojnë ta shikojnë me dyshim veprimtarinë e katolikëve. Nuk duhet fshehur se nuk mungojnë edhe politikanë, të cilët kanë, si për shtetin, ashtu edhe për jetën, ca ide që nuk përkojnë aspak me ato të Kishës. Prej këndej vijojnë ta shikojnë me dyshim Kishën e të mos i besojnë fare veprimtarisë fetare, e as asaj bamirëse. Ndërsa shumë të tjerë kanë ndryshuar plotësisht qëndrim. Po tregoj vetëm një ngjarje të vogël: një herë, në sa merrja pjesë në një pritje, m’u afruan një zonjë e një zotëri, që pastaj më thanë se ishin anëtarë të asamblesë popullore e, duke vijuar bisedën, shtuan: “Ju jeni përfaqësues i Vatikanit? Deshëm vetëm t’ju shprehnim admirimin tonë për Kishën. S’mund të mos e admirojmë, kur shikojmë famullitarin e kishës, ku shkojmë nga një herë. Është njeri i jashtëzakonshëm. Veç ta shikosh si e sa i ndihmon të varfërit. Organizon edhe mensën, për ata, që kalojnë çaste të vështira. Ia thashë këtë një shoku të partisë. Kujtova se do të entuziazmohej, si unë. Por ai ma preu shkurt: “Nuk është e mundur! Nuk duhet ta lejojmë. Këto punë mund t’i bëjë vetëm partia!”. “Pse nuk i bën, pra, ia ktheva. E me që nuk po i bën, në vend që ta pengojmë, është e mira ta ndihmojmë. Madje edhe ta admirojmë për punën, që bën, e jo ta pengojmë”.
Ja, pra, një shembull i vogël, që tregon se ka nga ata që e kuptojnë Kishën, por ka edhe nga ata, që kuptojnë vetëm ç’u thotë partia. Mbeten, kështu, të bllokuar: gjithnjë me vizion partiak për jetën e shoqërinë.

Pyetje: - Ç’qëndrim mban qeveria ndaj veprimtarisë së Kishës – e kardinalit Ortega, në mënyrë të veçantë - në këtë rol delikat të ndërmjetësimit, që po luan gjatë kësaj faze kaq të rëndësishme të historisë së Kubës...

Përgjigje: - Vetë fakti që është thirrur të ndërmjetësojë, tregon se Kisha ka nisur të përfillet, të vlerësohet nga ana e qeverisë, të njihet për punën, që po bën e për shërbimin, që po kryen. E duhet të theksoj se po e kryen në heshtje, në lidhje të ngushtë me njerëzit. Nuk mund të bëjë mrekulli, nuk ka mjete të shumta, por ka një forcë të pathyeshme, atë të Ungjillit. E pikërisht forca e Ungjillit e nxit të bëjë gjëra të vogla, por shumë konkrete për njerëzit. Ndërmjet tjerash, në vitin 2008, kur mbi Kubën kaloi uragani shkatrrimtar, që la pas vetëm vdekje e gërmadha, Kisha ishte në vijën e parë të frontit në ndihmë të popullsive të dëmtuara. Duke aktivizuar të gjitha organizatat bamirëse të Kishës universale, u bë pika më e fuqishme e mbështetjes për popullsitë, që kishin pësuar dëme të pallogaritshme, kishin mbetur pa strehë, pa bukë pa ujë, pa ilaçe, pa gjithçka. Në ato çaste Kisha bashkëpunoi ngushtë me qeverinë, gjë që u vlerësua shumë. Po kjo është gjithnjë madhështia e Kishës: atë e bën të pathyeshme Ungjilli e veprimtaria bamirëse. Edhe kur ia heqin nga duart të gjitha mjetet: shkollat, spitalet dhe institucionet e tjera, për të cilat ka një përvojë shumëshekullore, ajo e vijon se e vijon udhën, pikërisht sepse ndriçohet e forcohet nga Shpirti i Zotit, nga Ungjilli e nga veprimtaritë baimirëse, që vijojnë gjithnjë, haptas a fshehtas, duke dhuruar shumë, por edhe pak: gjithsesi, duke dhuruar atë, që mund të dhurohet edhe në kohë të martirizimit më gjakatar: dashurinë e krishterë.

Pyetje: - Një shembull është edhe shtegtimi i shtatores së Zojës së Kobres, Nënës së dashurisë së krishterë në të gjitha famullitë. Vizita e Benediktit XVI do të jetë edhe nën shenjën e këtij devocioni. Pjesëmarrja e madhe në këtë shtegtim na bind se dëshmia e fesë e devocioni marian i kubanëve nuk u shuan kurrë, pavarësisht nga vështirësitë e së kaluarës....

Përgjigje: - Zbulova, duke e parë drejtpërdrejt, se Virgén de la Caridad është Nëna dhe Zoja e të gjithëve, besimtarë e jo besimtarë. Vërehet qartë në procesione, kur shikon njerëz, që mendoje se janë tepër larg nga Kisha, duke zëvendësuar të krishterët e lodhur prej rruge, për të mbartur shtatoren e Zojës deri te vendi i kremtimit. Të mrekullon vërtet një pamje e tillë. Ky shtegtim ishte prova e fundit në pritje të Papës, kështu të gjithë janë tejet të përgatitur për ngjarjen e madhe. Pastaj e dimë mirë se Zoja ka ‘sekretet’ e veta, përmes të cilave e çon përpara historinë me hapa të vogla, po janë pikërisht këto hapa, që sjellin, pak nga pak, ndryshimet aq të dëshiruara.

Pyetje: - Papa vetë e paralajmëroi, në homelinë e 12 dhjetorit të kaluar, një mesazh të mundshëm, kushtuar rolit që duhet të luajë feja katolike në udhën e integrimit të Amerikës Latine, e edhe rolit të ri të kësaj të fundit, në kontekstin botëror...

Përgjigje: - E dimë se në Amerikën Latine jeton një numër kolosal katolikësh, madje më duket se është numri më i madh i katolikëve, që kemi në Kishë. Prej këndej, është e qartë se luajnë e do të luajnë një rol të dorës së parë në jetën globale të Kishës. E vizita e Papës do t’i ndihmojë katolikët në Amerikën Latine të përforcohen në fe, të jenë gjithnjë besnikë të Kishës, sepse e dimë që në Amerikën Latine janë gjithnjë më të pranishme sektet e grupe të tjera fetare, gjë që përbën një problem shqetësues. E shumë nga meksikanët po joshen nga këto realitete të reja, të cilat vështirë se mund të quhen ‘kishtare’. Me to bashkohen kryesisht të krishterët e katolikët, që largohen nga Kisha. Prej këndej, prania e Papës, fjala e tij, do t’i ndihmojë fuqimisht të mbeten besnikë të Kishës së vërtetë, Kishës së Krishtit.







All the contents on this site are copyrighted ©.