2012-03-24 12:27:52

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 5-të të Kreshmëve “B”


Dëgjues të nderuar, ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të liturgjisë hyjnore të së dielës, kësaj herët do të dëgjojmë dhe meditojmë së bashku leximet biblike të dielës së 5-të e të fundit të kohës së Kreshmëve të ciklit të dytë, sipas kalendarit kishtar.
Pashkët tashmë janë afër, po çka do të thotë të kremtosh Pashkët? Çka do të thotë të përkujtosh Pashkën e Jezusit? Në këtë na përgjigjet leximi i parë i kësaj së diele nga Jeremia profet:Do ta shkruaj ligjin në zemrën tuaj” “ (Jer 31,33). Pashkët vinë në zemër! Atëherë nëse nuk ndryshon zemra, nuk ka Pashkë. Nëse nuk rritet dashuria, mirëkuptimi, solidariteti brenda shtëpive tona, nuk ka Pashkë. Nëse nuk bëjmë gjeste pajtimi me ata që na bërë të vuajmë, nuk ka Pashkë. Sidomos nëse nuk e pranojmë Jezu Krishtin në jetën tonë duke u bërë një gjë e vetme me zgjedhjet e Tij, me përcaktimet e Tija, nuk ka Pashkë.
Po Krishti çfarë të risie ka sjell në botë? Ta dëgjojmë Ungjillin e kësaj së diele, që na paraqet Jezusin në javën e mbramë të jetës së Tij. Jezusi gjendet në Jerusalem, në mesin e njerëzve: Zoti ndër njerëz!
Disa u kërkojnë apostujve: Duam ta shohim Jezusin! Duam ta njohim! Është kjo një pyetje e ligjshme, një kërkesë që përsëritet me të drejtë, një pyetje që lexohet në sytë e shumë njerëzve. E megjithatë, nëse dikush sot do të na kërkonte neve: ‘Më ndihmo ta njoh Jezusin!’, ne çka do të përgjigjeshim? Vështrimi jonë i fesë na mundëson ta shohim Jezusin e ta takojmë në fjalën e tij e në bukën e tij, në dashurinë e mirësinë e çdo njeriu.
Liturgjia e Fjalës së Zotit e kësaj së diele të 5-të të Kreshmëve, na fton të depërtojmë thellë në misterin e Jezusit, që dëftohet në vdekjen e ngjallen e tij, dhe të kuptojmë domethënien shpëtimprurëse të këtij misteri për jetën e njeriut. Për të na kthyer besëlidhjen me Atin Qiellor, Jezusi ka vdekur porsi kokrra e grurit që zhduket në tokë që të mbin në një jetë të re.
Liturgjia e Fjalës Hyjnore

Leximi i parë Jer 31, 31-34

Pabesnikëria e hebrenjve ndaj besëlidhjes me Hyjin e ka çuar popullin në skllavëri. Por Hyji qëndron besnik, nuk e mohon popullin e tij. Por kur hebrenjtë provojnë përsëri përvojën e internimit, profeti paralajmëron një marrëveshje të re të Hyjit me popullin e vet. Ligji nuk do të jetë më i shtypur mbi tavolinën prej guri, por në zemrën e njeriut.

Lexim prej Librit të Jeremisë profet

Ja, po vijnë ditët - është fjala e Zotit – kur do të lidh me shtëpinë e Izraelit e me shtëpinë e Judës një Besëlidhje të re. Jo si Besëlidhja që e pata bërë me etërit e tyre, atë ditë kur i mora për dore, për t’i nxjerrë nga toka e Egjiptit. Këtë Besëlidhje ata e thyen. Atëherë unë u dëftova se jam zotëria i tyre - është fjala e Zotit. Por ja Besëlidhja që unë do ta lidh pas këtyre ditëve me shtëpinë e Izraelit - është fjala e Zotit: Në shpirtin e tyre do ta fus Ligjin tim, do ta shkruaj në zemrën e tyre. Atëherë do të jem Hyji i tyre e ata do të jenë populli im. Dhe atëherë s’do të kenë nevojë ta mësojë njëri-tjetrin e vëllai vëllanë: ‘Njihe Zotin!’, sepse të gjithë do të më njohin, prej më të voglit e deri në më të madhin – thotë Zoti – sepse do ta fal fajësinë e tyre e s’do ta kujtoj më mëkatin e tyre.”
Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

Psalmi 51
Krijoje në mua, o Hyj, një zemër të pastër
Ki mëshirë për mua, o Hyj,
sipas mëshirës sate,
pashë mirësinë tënde shlyeje mëkatin tim!
Më laj krejtësisht prej mëkatit tim
e më pastro prej fajit tim.

Krijoje në mua, o Hyj, zemrën e pastër,
përtërij në mua një shpirt të qëndrueshëm!
Mos më flak larg fytyrës sate,
mos e hiq prej meje shpirtin tënd të shenjtë.

Ma kthe gëzimin e shpëtimit tënd,
dhe më forco me shpirt të gatshëm.

Leximi i dytë Heb 5,7-9

E unë do t’ua mësoj mëkatarëve udhën e shëlbimit, e fajtorët do të kthehen tek ti.

Pali na përshkruan agoninë e Jezusit në Gjetseman dhe na shfaq Jezusin, njeriun e vuajtur që i lutet Atit. Në atë natë ankthi, Krishti është bërë kryetar dhe meshtar i një njerëzimi të ripërtërirë. Hyji fton të gjithë të krishterët të marrin mbi vete peshën e dhimbjes njerëzore, për të qenë si Krishti njerëz që u dhurohen të tjerëve.
Lexim prej Letrës drejtuar Hebrenjve
Pali na përshkruan agoninë e Jezusit në Gjetseman dhe na shfaq Jezusin, njeriun e vuajtur që i lutet Atit. Në atë natë ankthi, Krishti është bërë kryetar dhe meshtar i një njerëzimi të ripërtërirë. Hyji fton të gjithë të krishterët të marrin mbi vete peshën e dhimbjes njerëzore, për të qenë si Krishti njerëz që u dhurohen të tjerëve.
Krishti, në ditët e jetës së vet këtu mbi tokë, i kushtoi urata dhe lutje me ofshame të mëdha dhe me lot Atij që mundte ta shpëtonte nga vdekja, dhe qe vështruar për shkak të nënshtrimit të vet. Ai, megjithëse ishte Bir, mësoi nga ato që pësoi të jetë i dëgjueshëm dhe, pasi e fitoi përsosmërinë, për të gjithë ata që e dëgjojnë, u bë shkaku i shëlbimit të amshuar.
Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Kush do të më shërbejë, le të vijë mbas meje. Ku jam unë, atje do të jetë edhe shërbëtori im.
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

Ungjilli Gjn 12, 20-33
Në këtë pjesë është përshkruar paradoksi i Ungjillit: për të fituar mbi vdekjen është e nevojshme të lejojmë që të shtypemi nga vdekja; për të arritur fitoren është e nevojshme të jetojmë momentin e mundimeve; për të jetuar është e nevojshme të vdesësh. Jezusi nuk vdes për tu dekompozuar, por për të rikrijuar një shumicë personash. Zgjedhjet e dhimb-shme të tanishme nuk janë vetëm humbje, por i japin jetë një të ardhmjeje më të bukur.
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit
Në atë kohë, ndër ata që kishin ardhur në festë për të adhuruar, ishin edhe disa grekë. Ata iu afruan Filipit, që ishte prej Betsaidës së Galilesë, dhe iu lutën: “Zotëri, dëshirojmë ta shohim Jezusin.” Filipi shkoi dhe i tha Andreut; Andreu e Filipi shkuan e i treguan Jezusit.
Jezusi u përgjigji: “Arriti ora të lavdërohet Biri i njeriut. Përnjëmend, përnjëmend po ju them: nëse kokrra e grurit e mbjellë në dhe nuk vdes, jet e vetme; po nëse vdes,
jep shumë fryt! Kush e do jetën e vet, do ta humbë. Ai që e urren jetën e vet në këtë botë, ai do ta ruajë për jetën e pasosur. Kush do të më shërbejë, le të vijë mbas meje. Ku jam unë, atje do të jetë edhe shërbëtori im. Atë që do të më shërbejë, do ta nderojë Ati im. Tani shpirtin e kam të tronditur, e ç’të them? O Atë, më shpëto nga kjo orë? Porse, fill për këtë erdha në këtë oreë! O Atë, jepi lavdi Emrit tënd!”
Ndërkaq jehoi një zë prej qiellit: “E lavdërova dhe prapë do ta lavdëroj!” Tashti, populli që ishte pranë dhe po dëgjonte, thoshte: “Bubulloi!” Tjerë thoshin: “Ëngjëlli foli me të!” Jezusi u përgjigji: “Ky zë nuk jehoi për mua, por për ju! Tani erdhi dita të gjykohet kjo botë, tani princi i kësaj bote do të hidhet jashtë! E unë, kur të jem lartësuar nga toka, do t’i tërheq tek unë të gjithë njerëzit.” Foli kështu për të shënuar se me ç’vdekje do të vdiste.
Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht.

Më tepër mbi liturgjinë e Fjalës së Zotit të dielës së 5-të të Krezhmëve, mund të dëgjoni këtu...............RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.