Kisha në Kubë është e gjallë: kështu drejtori i qendrës “Felix Varela” të Havanës
E pikërisht në Kubë rritet padurimi për vizitën e Benediktit XVI, që do të mbërrijë
të hënën. Kjo atmosferë ndihet jashtëzakonisht në qendrën kulturore të krishterë “Felix
Varela” në Havanë. Intervistuam drejtorin e saj, atë Yosvany Cardajal Sureda: Qendra kulturore
luan një rol të rëndësishëm për Kishën, përsa u përket marrëdhënieve me botën e kulturës.
Kjo qendër mbledh të gjitha, ose gati të gjitha manifestimet kulturore ekzistuese,
duke u përpjekur ta afrojë botën e kulturës me atë të Kishës. Këtu u japim laikëve
dhe të gjithë atyre, që duan ta njohin Kishën, formimin e nevojshëm filozofik e teologjik,
elemente të doktrinës së krishterë, që i ndihmojnë për të vepruar si duhet në shoqëri. Ç’vend
zë krishterimi në kulturën aktuale kubane? Aktualisht, këtu në Kubë, nuk vërehet
qartë një “kulturë” e krishterë, por në manifestimet kulturore të ishullit ka elemente
të krishtera. Si për shembull, muzika kubane, që ka lindur në kishë e më pas ka marrë
drejtim tjetër. Pra, nuk ekziston ndonjë kulturë krejtësisht e krishterë - të paktën,
për mënyrën se si shfaqet - por ndihet se shpirti i kubanëve është shumë afër Kishës.
Shumë artistë duan të jenë të pranishëm në kishë e të krijojnë vepra me vlera të krishtera,
në muzikën kishtare, në teatër, në letërsi. Ç’rol ka famullia në këtë projekt
kulturor? Gati të gjitha famullitë, sidomos në Havanë, janë qendra të dialogut
pozitiv me kulturën. Për shembull, në famulli mund të organizohen takime intelektualësh,
që mblidhen për të lexuar një dokument, për debat, për të recituar poezi, ose për
të dhënë shfaqje teatrale; në famulli jepen edhe koncerte, ku marrin pjesë shumë muzikantë;
pastaj, kemi aspektin formues, sepse në famulli zhvillohen shumë kurse për formimin
kulturor e fetar të njerëzve. Janë manifestime, që e afrojnë Kishën me botën e kulturës,
të mendimit, të artit. Cili është vendi që zë supersticioni në kulturën popullore
fetare kubane? Populli kuban ka qenë gjithnjë supersticioz. Një nga mendimtarët
e mëdhenj kubanë, atë Felix Varela, për të cilin po vazhdon çështja e lumnimit, në
“Letrën drejtuar Elpidit” – një personazhi abstrakt, që pasqyron realitetin kuban
të kohës së vet – thoshte se njëra nga tri të këqiat, që vërente në epokën e vet,
ishte pikërisht supersticioni. Fanatizmi, pastaj, dhe e treta, mungesa e fesë, mungesa
e Zotit. Tri të këqia, akoma të pranishme në kulturën e shoqërinë tonë. Sot, pas një
boshllëku në formimin fetar - feja e krishterë nuk dilte nga kisha se ishte e ndaluar
- supersticioni ka zënë vend kryesisht në fetë primitive, natyraliste, si “santeria”,
lindur në Kubë nga takimi ndërmjet traditës afrikane, sjellë nga zezakët e transportuar
me forcë në ishull për të punuar si skllevër, dhe katolicizimit. Shkrirja e këtyre
dy traditave ka sjellë si rezultat “santerinë”, shprehje e supersticionit dhe e primitivizmit.
Nuk është fe, që e zhvillon njeriun nga pikpamja etike e as e nxit të impenjohet në
shoqëri. Ndërsa, të jesh katolik, të jesh i krishterë, do të thotë të shkosh në kishë,
por të impenjohesh edhe në shoqëri me vlerat e Ungjillit. Ata që praktikojnë fenë
afrikane e të tjerat, që janë zhvilluar këto vite, në mungesë të formimit të vërtetë
fetar, nuk kanë nevojë të sillen kështu. Realiteti i këtyre besimeve jetohet në formë
private, me qëllim zgjidhjen e menjëhershme të problemeve shpirtërore… Kjo ka bërë
që supersticioni të rritet edhe më shumë. Për ne, kjo është sfidë ungjillëzimi. Duhet
të ungjillëzojmë kulturën e botën e besimeve popullore. Atë Yosvany, si mund
ta ndihmojë projektin kulturor të Kishës në Kubë, prania e Papës Benedikti XVI? Vizita
e Papës në Kubë na bën të kuptojmë se Kisha jonë është e gjallë, është Kishë ungjillëzuese,
që ka metodën e vet, me të cilën e shpall me zjarr Ungjillin shtëpi më shtëpi. Nuk
shqetësohet vetëm për kishën, por dëshiron të ungjillëzojë kulturën, botën intelektuale.
Me vizitën e Papës, ne pohojmë se feja jonë është e gjallë, se Kisha në Kubë punon,
jeton, ungjillëzon e se Papa vjen për të na inkurajuar e përforcuar në fe, sidomos
në këtë vit kremtimesh për 400-vjetorin e gjetjes së “Zojës së Dashurisë së krishterë”,
e cila është Pajtorja jonë. Këto kremtime tregojnë se populli kuban nuk ia ka mbyllur
kurrë portën fesë, të cilën sot mund ta shfaqë qartë e lirisht. Gjatë shtegtimit të
shtatores së Zojës së Dashurisë në të gjithë ishullin, populli mundi ta shprehte hapur
fenë në Zotin. E Papa vjen të na thotë se Zoti është me ne, se na ndihmon e se Kisha
duhet ta vazhdojë punën e saj ungjillëzuese.