Karl Gurakuqi, personalitet i kulturës shqiptare, në përvjetorin e lindjes.
Karl Gurakuqi(24.3.1895-6.12.1971), figurë e njohur e kulturës shqiptare, nxënës i
shkollës letrare të françeskanëve, bashkëpunëtor i ngushtë në mërgim, i jezuitit të
madh, Atë Zef Valentinit, lindi më 29 tetor 1895 në Shkodër. Mësimet fillore dhe të
mesme i kreu pranë shkollës françeskane në vendlindje. Studimet e larta në degën e
filozofisë i vijoi dhe i përfundoi në Salcburg e më tej, në Grac të Austrisë, ku u
formua një pjesë e intelektualëve më në zë të viteve '30, që hodhën themelet e kulturës
moderne shqiptare. Pas përfundimit të studimeve, më 1917, u kthye menjëherë në
atdhe, ku punoi si profesor i gjuhës shqipe dhe si inspektor arsimi në Vlorë. Bashkëpunoi
me të përkohshmet e ndryshme, ku botoi shumë artikuj, të cilët përbëjnë një kontribut
të çmuar në fusha të ndryshme të gjuhësisë. Drejtoi të përkohshmen "Agimi", "Revistën
pedagogjike", "Mësuesi", "Shkolla kombëtare". Qe redaktor i revistave "Atdheu" dhe
"Illyria". Bashkëpunoi në botimin e "Vizareve të Kombit" dhe të "Shkrimtarëve shqiptarë”
- dy vëllime me vlera të jashtzakonshme për historinë e letërsisë shqipe. Sundimi
diktatorial e detyroi të largohej fizikisht nga atdheu, por shpirtërisht ai mbeti
gjithnjë pranë Shqipërisë. U vendos në Palermo, ku u bë krahu i djathtë i Profesor
Atë Zef Valentinit S.J., që kishte ngritur atje katedrën e gjuhës shqipe - një nga
tri kështjellat e shqipes, ndërsa dy të tjerat ishin në Romë - me profesor Ernest
Koliqin e në Bari, me profesor Atë Jakob Marlekajn O.F.M.. Bashkëpunoi ngusht në revistën
zëmadhe "Shêjzat", duke hartuar edhe indeksin e Revistës "Nëpër vullajt e Shejzave"
Në fushën e teksteve të punuara prej tij, kujtojmë "Gramatikën latine", "Sintaksën
latine"; "Te praku i jetës", "Rreze drite" etj. I tij është edhe përkthimi i Gjenovefës
së Brabantit, që pati aq shumë lexues gjatë një gjysëm shekulli. Karl Gurakuqi vdiq
më 1971 në Palermo, ku eshtrat e tij presin që dikush të kujtohet t'i mbartë për të
pushuar në paqe në Atdheun, të cilit i kushtoi gjithë jetën.