2012-03-24 14:16:36

Guanajuato (shqipto Guanaguato)


Me 70 mijë banorë, është kryeqytet i shtetit, me të njëjtin emër. U ndërtua mbi një kodër, emri i së cilës ka kuptimin ‘kodra e bretkocave’, mbi një sistem të vjetër kanalesh për furnizimin e qytetit me ujë. Sot kanalet janë shndërruar në rrugë automobilistike. Sapo shkel në Gunajuato, të duket se je duke ecur në rrugët e nëndheshme të një qyeti mesjetar, të ruajtur mirë e të lyer me ngjyra të ndezura. Në qendër të bie në sy një shesh i vogël, në stil kolonial: një kioskë, rrethuar nga pemët e bankat, ku njerëzit mblidhen, takohen, bisedojnë ose mbrohen nga dielli i mesditës. Nga të gjitha anët e qendrës, vërehen kodra, me shtëpi ngjyra-ngjyra.Qyteti u zhvillua ekonomikisht sidomos gjatë viteve të kolonializimit spanjoll, falë kryesisht shfrytëzimit të minierave të arit e të argjendit. Është i njohur edhe si seli e lëvizjes kombëtare meksikane për pavarësi, udhëhequr nga Miguel Hidalgo, të cilit iu pre koka, për t’u vendosur, pastaj, në një nga kamaret e pallatit Alhóndiga de Granaditas. Në këtë kohë nisi të bëhej edhe qytet i rëndësishëm universitar. Këtu e ka selinë edhe Universidad de Guanajuato, themeluar më 1732, me arkitekturë madhështore. Një element tjetër kulturor i njohur në Guanajuato, është edhe Festivali ndërkombëtar Cervantin, me shfaqje të ndryshme artistike, që organizohet çdo vit në muajin tetor. Për t’u vizituar, “Muzeumi des las Momias”, muzeu i mumieve, përmes të cilit tregohen 150 vjet nga historia e vendit. Qyteti dhe minierat e afërme përfshihen, që nga viti 1998, në listën ‘Pasuri e Njerëzimit’, të UNESCO-s. Guanajuato është vëllazëruar, ndërmjet të tjerëve, edhe me qytetin italina Spoleto.







All the contents on this site are copyrighted ©.