2012-03-24 15:09:12

Editorial i atë Lombardit: Vizita e gëzimit


E udhëtimit të Papës në Meksikë e në Kubë, që sapo ka filluar, ia kushton komentin javor, zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi. Ta dëgjojmë:
“Çdo buzëqeshje, që e shndrit fytyrën, është një rreze drite, një ftesë për të buzëqeshur edhe ne. Dialog i frytshëm ky, që s’ka nevojë për fjalë. Për ata që shkojnë pas Papës, në udhëtimet e tij, buzëqeshjet, duartrokitjet, shprehjet e gëzimit përgjatë rrugës, janë aspektet, që bëjnë më shumë përshtypje. Nganjëherë turma vazhdon me kilometra e kilometra e kurrë nuk është një masë amorfe, por përbëhet nga persona të veçantë, të panumërt, me shpirt e histori individuale, që flasin me sy e me gjeste.
E Papa preket aq thellë sa mëse një herë, pas udhëtimit të fundit në Benin, foli për gjallërinë spontane dhe mikpritjen e ngrohtë, në të cilën pa dëshirën e jashtëzakonshme për jetë – e për jetë të mirë – të një populli të varfër, të cilit nuk i mungojnë problemet dramatike, por beson e shpreson në të ardhmen.
Ngrohtësia latinoamerikane nuk është më e pakët se ajo afrikane. E meksikanët nuk duan të mbeten pas në shprehjen e dashurisë e të gëzimit. Është diçka e bukur, që vetëm pamja e Papës së moshuar shkarazi, ndërsa kalon, zgjon kaq hare të sinqertë e të ndjerë. Është shenjë se njerëzit e kuptojnë që ai sjell një mesazh të çmuar për jetën dhe paqen.
Papa flet shpesh për gëzimin e krishterë, një gëzim i thellë, i cili lind nga feja në Krishtin e ngjallur, që askush s’mund t’ia rrëmbejë besimtarit nga zemra. Të tijat, janë fjalë me peshë. Urojmë, që gëzimi i mikpritjes – përmes dëgjimit të Ungjillit - të shndërrohet në gëzimin jetëgjatë të shpresës, që nuk zhgënjen”.







All the contents on this site are copyrighted ©.