2012-03-23 18:42:45

Kardinali Sarah: Papa shtegton për shpëtimin e popullit meksikan e kuban.


Hirësia e Tij, Robert Sarah, njeri i Kuries Romake, kryetar i Këshillit Papnor Cor Unum, është një nga kardinajtë, që bëjnë pjesë në delegacionin e zgjedhur nga Benedikti XVI për ta shqëruar në vizitën e tij baritore në Meksikë e në Kubë. Të tjerët janë: kardinali Mark Ojé, kryetar i Komisionit Papnor për Amerikën Latine; kardinali Javier Lozano Barragan, kryetar nderi i Këshillit Papnor për punonjësit e shëndetësisë; kardinali Antonio Kanixare, prefekt i Kongregatës për Kultin Hyjnor; imzot Dominik Mambertì, sekretar i Vatikanit për marrëdhëniet me shtete.
Gjatë një interviste, dhënë Vatican Insider, në prag të nisjes drejt Meksikës, pyetjes si e priti kërkesën e Papës për të bërë pjesë në delegacionin shoqërues, Hirësia e Tij, Robert Sarah, iu përgjigj:

Përgjigje: - Jam shumë i nderuar e thellësisht i prekur, që mund ta shoqëroj për herë të tretë Atin e Shenjtë në një shtegtim apostolik. Janë çaste të një hiri të madh shpirtëror, që më nxisin t’i shërbej me gjithë forcën time Kishës e Papës, duke shkrirë në këtë shërbim, gjithë vetveten. I jam mirënjohës Zotit, që më krijon mundësinë ta jetoj edhe këtë shtegtim apostolik, në të cilin do të prek me dorë shprehjen fesë e të dashurisë së popullit latinoamerikan për Zotin. Kjo fe e kjo dashuri bëhet më e gjallë e më konkrete në takimin e gëzueshëm, të përzemërt, nxitës me Pasardhësin e Pjetrit. Shpresa, Feja, Dashuria, të cilën Ati i Shenjtë e ndikon tek njerëzit, që takon, është aq e madhe sa, pa dyshim, edhe mua më nxit gjithnjë më shumë ta kryej detyrën time me gëzimin e Zotit, i vetmi që mund ta shpëtojë vërtet njeriun e sotëm nga dhuna e zvetënimi.

Pyetje: - Si ju duket Papa, ndërsa ndërmerr një shtegtim kaq impenjativ: i lodhur? I shqetësuar? Apo krejt në formë?

Përgjigje: - Pavarësisht nga fakti se shtegtimi i përtej oqeanit kërkon shumë energji, jam i bindur se Papa do ta përballojë mrekullisht mirë, sepse ishte dëshira e tij t’i vizitonte këto popuj e t’i përfoconte në fe. Nuk shqetësohem për shëndetin e tij, sepse, pavarësisht nga mosha, Papa kryen qetësisht një veprimtari baritore tepër të ngarkuar. Natyrisht mjekët e këshillojnë të mos lodhet tepër. Prandaj, për të dhënë gjithçka mund të japë në këtë shtegtim apostolik, e ndërpreu edhe audiencën e përgjithshme të së mërkurës së kaluar. Po unë jam i bindur se Papa është plotësisht në gjendje ta përballojë çdo vështirësi, sepse shkon në një botë të largët, për qëllimin më të madh të jetës e të veprimtarisë së Tij, për ta bërë sa më të njohur e sa më të dashur Jezusin , e vetmja shpresë e një bote në krizë të thellë shumëpërmasshe.

Pyetje: - Meksika e Kuba: për çfarë kanë nevojë këto dy vende? E ç’mund t’u japë Benedikti XVI me këtë vizitë?

Përgjigje: - Të gjithë popujt sot kanë nevojë për paqen, e sidomos, për Zotin. E kanë nevojë të rizbulojnë dinjitetin e njeriut e bukurinë e fesë. Meksika e Kuba janë dy vende, që jetojnë çaste delikate të historisë së tyre. Meksika vërtitet në vorbullën e dhunës, që cënon rëndë dinjitetin e çdo njeriu. Jeta e shumë të rinjve njolloset nga një situatë e tillë, pa vlera. Fenomeni i drogës duket se po vijon të lulëzojë, e kjo ka si pasojë ndeshjen ndërmjet bandave, që duan të ndajnë territorin e pushtetin, për të përmbushur, kështu, vetëm interesat e tyre materiale. Një situatë e tillë nuk mund t’u krijojë breznive të reja kushte për të ecur drejt një ardhmërie të qetë, të sigurtë. Prej këndej theksoj se të dy vendet kanë nevojë ta venë Zotin në qendër të jetës, sepse vetëm kështu do të marrin guximin të heqin dorë nga e keqja e të nisen në udhën e së mirës. Pa dyshim Ati i Shenjtë do t’i ndihmojë, me fjalët e tij, këto popullsi, që të mbeten të forta në fe e të shpresojnë për një jetë më dinjitoze e më të drejtë, në se do të vënë në qendër të saj Jezusin.

Pyetje: - Ju duket se do të ishte më i plotë shtegtimi, po të kishte kaluar edhe nëpër shenjtëroren e Gudalupes?

Përgjigje: - Dashuria për Nënën qiellore, nuk mund të lidhet me një vend të vetëm. E aq më pak mund të vihet në dyshim devocioni i thellë i Atit të Shenjtë për Nënën e Jezusit e, prej këndej, edhe për Zojën e Gudalupes. E nuk është e rastit as që të dielën e kaluar, gjatë Engjëllit të Tënzot, Papa u kërkoi besimtarëve të luten për shtegtimin e tij e t’ia besojnë posaçërisht ndërmjetësimit të Zojës së Bekuar, që duhet e nderohet aq shumë në ato vise, që do t’i vizitojë Papa. Nuk më duket ndonjë mungesë e madhe mosprania në Guadalupe, duke pasur parasysh se Benedikti XVI zgjodhi një vend tjetër për t’u takuar me Zojën e Bekuar, Guanajuaton, vendin ku Zoja i qe dukur Juan Diegos, për të relizuar atë, që ishte dëshira e paraardhësit të tij, Gjon Palit II, i cili nuk mundi ta bëte këtë, për një mori arsyesh. Besoj se kjo do t’i pëlqejë shumë popullit meksikan, që do të shikojë në figurën e Benediktit XVI një pasardhës të denjë të Shën Pjetrit, të aftë për t’i inkurajuar njerëzit të jetojnë një fe heroike.

Pyetje: - Ç’shpresoni ju, nga ky shtegtim apostolik?
Përgjigje: - Ashtu si në çdo shtegtim apostolik, Ati i Shenjtë do të shuajë etjen e njerëzve, që kërkojnë Zotin. Jam i sigurtë se edhe këtë radhë Papa do t’ia dalë mbanësh të hyjë në zemrën e çdo njeriu. Posaçërisht, shpresoj të hyjë në zemrën e atyre që, në këtë Kohë Kreshmësh, duan të jetojnë sa më pranë Jezusit e kanë nisur tashmë rrugën e pendesës, të kthesës së madhe në rrugën e Zotit, i vetmi që mund të japë shpresë për një ardhmëri plot dinjitet njerëzor e për një jetë vërtet të bukur. Një shoqëri mund të jetë me të vërtetë e drejtë e njerëzore, vetëm kur ka në bazë Zotin, sepse ku është Ai, mbretëron paqja e lulëzon jeta. Këta popuj kanë etje për Zotin e për paqen, prej këndej do ta ndjejnë fort hirin e pranisë së Atit të Shenjtë, e do ta shikojnë si rast të përshtatshëm për të vijuar udhën me forcën e fesë, duke u bërë gjithnjë më shumë dëshmitarë të dashurisë së Zotit.







All the contents on this site are copyrighted ©.