Pak ditë më parë, në një nga sallat më të bukura të Romës, u dha një shfaqje, titulluar
“Shkëlqimi i ujit-Poezi të KarolVojtilës”, recituar nga aktorë të talentuar, shoqëruar
me muzikë nga kapela Ars Musicalis e Shoqatës ‘Muzika për paqen’. Poezitë u krijuan
në vitin 1950, tre vjet para se autori i tyre poet, të bëhej edhe papë. Zgjodhëm vetëm
një prej tyre, atë që i dha titullin koncertit të fjalës artistike, me vargjet e një
autori fare të pazakontë, tepër të njohur si Papë, pak e aspak, si Poet, fat që në
kohët moderne e kanë shumë nga kokëshkretët, që vijojnë të besojnë se modernizmi nuk
do t’ia dalë kurrë ta vrasë ‘kohën e artë të poezisë’: Kënga e Shkëlqimit
të ujit
Nga fundi i fundit, ku desha veç të thith ujin
me buzë plasaritë, në bebe të syrit më vërshoi Shkëlqimi...Të shumta zbulimet
mia deri në këtë ças vetëtitës, kur qiellin e lartë e jetën e
zbrazët i pashë, pasqyruar në fund të pusit.
Nga vetja pa
hequr kurrë dorë, unë dua Të të thith brenda meje. Në fund të
shpirtit të më mbetesh, si mbeten në pasqyrë të pusit fletët e
lulet, që i lulëzojnë përmbi. E në bebe të mahnitur të syrit rrezja
të më vezullojë, e lidhur me dritë të gjithësisë, korp më korp
duke prekur Shkëlqimin! Njerëzit, që e kanë njohur në këndvështrimet më të
ndryshme Papën Vojtila, dolën nga salla me vetëdijen se kishin depërtuar në skajin
më të panjohur të shpirtit të Gjon Palit II, në atë ku fshihej Poeti. Duke hyrë, kështu,
edhe në thellësitë e pasqyrimeve të pusit, që është shpirti i njeriut: Poet e spektator.
I etur për Shkëlqimin.