2012-03-22 15:16:35

Papa pritet me padurim në Kubë, ku feja është e fortë e thirrjet për meshtari shtohen ditë për ditë


Edhe Kisha kubane numëron ditët e pakta, që e ndajnë nga mbërritja e Benediktit XVI, të hënën e ardhshme. Papa do të vizitojë Santiago de Cuba dhe Havanën e do të kremtojë me kubanët 400-vjetorin e gjetjes së shtatores së Virgen de la Caridad del Cobre, Pajtore e Ishullit karaibik. Vend komunist, që me vështirësi po i hap disa dritare botës, Kuba ka ndryshuar gradualisht qëndrimin ndaj Kishës Katolike, e cila mbështetet nga puna e palodhur e laikëve. Frytet e saj janë thirrjet e shumta për meshtari, me të rinj, që mbushin seminaret. Intervistuam pikërisht zv.rektorin e seminarit të Shën Karlit e të Shën Ambrozit në Havanë, atë Ariel Suarez, i cili na flet për formimin intelektual e shpirtëror të meshtarëve të ardhshëm kubanë:
Përsa i përket formimit intelektual, seminari ynë është pasuruar shumë nga bashkëpunimi me fakultetin e Teologjisë në Universitetin Gregorian të Romës, që nga viti 2005. Si rezultat i këtyre marrëdhënieve të frytshme, disa nga studentët, pasi mbarojnë studimet në Havanë, shkojnë në Romë për të marrë diplomën universitare e pastaj kthehen për të dhënë mësim në seminar. Kontribuojnë kështu, në përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies. Me rastin e vizitës së Benediktit XVI, çdo të hënë të Kohës së Kreshmëve, po thellohemi në njërin nga tekstet e Atit të Shenjtë për seminaristët, si: letra, që u drejtoi seminaristëve të gjithë botës në tetor 2010; fjalime e homeli, si ajo për seminaristët e Friburgut, në Gjermani, apo ajo e Ditës Botërore të Rinisë në Madrid.
Ç’lloj thirrjesh lindin në Kubë?
Thirrjet, si mashkullore, ashtu edhe femërore, vijnë kryesisht nga famullitë. Aty ku famullia është e gjallë, e gëzuar, ku ndjehet entuziazmi i fesë, ku Zoti vihet vërtet në qendër, ku njerëzit luten e ndihmojnë nevojtarët, aty, lindin thirrjet. Pas gjithë kësaj, zakonisht, është figura e një prifti, ose e një murgeshe. Në këtë moment, në seminar kemi të rinj, që pas shkollës së mesme, kanë vendosur ta ndjekin Zotin si meshtarë, por kemi edhe shumë të tjerë, që e kanë ndjerë thirrjen pas studimeve universitare e të tjerë akoma, që vijnë nga bota e punës. Shumica nuk janë bij të familjeve të krishtera. E njohin Jezusin e Kishën gjatë adoleshencës, prandaj duke qenë mjaft të rritur, kanë entuziazmin e atyre, që e zbulojnë Ungjillin si thesar, por kanë edhe brishtësinë e besimtarit pa rrënjë të thella. U japim mbështetje psikologjike, që i ndihmon ta kuptojnë thirrjen e të verifikojnë nëse mund të jetojnë me impenjimet tipike të një meshtari, ku përfshihet, pa dyshim, celibati, por sidomos aftësia për t’ia dhuruar vetveten vëllezërve, me thjeshtësi e përvuajtëri. Kështu jetojnë priftërinjtë në Kubë, pa vlerësime të mëdha shoqërore, me pak të ardhura, pa zhurmë e pa bujë.
Kaq e vështirë është të jesh prift në Kubë?
Duhet të them se në 50 vjetët e fundit, famullia është bërë vërtet zemra e jetës kishtare kubane. Kisha jonë nuk ka shkolla, universitete, mass media. E megjithatë, me punë e vuajtje, ka hyrë në ambiente të reja. Një famulli në qytet, nuk është njësoj me një famulli në fshat e, famullia e mbajtur nga rregulltarët nuk është njësoj me atë, që e mban një meshtar dioqezan. Ka ndryshueshmëri të madhe, që sjell pasuri të madhe. Gjejmë një aftësi krijuese të pabesueshme: mensën e famullisë për të varfërit, ndihmën për të rinjtë, që duhet të japin provim në universitet, kurset e gjuhëve të huaja e të informatikës, projektet për fëmijët autistë, ose për ata me sindromën Down e kështu me radhë. Në shumë vende të ishullit, sidomos në fshat, ku kisha nuk ka shumë struktura, që prej 20 vjetësh, ekziston një nismë, që ne e quajmë “shtëpia e misionit”: një laik hap portat, vë në dispozicion shtëpinë, për lutjen, për katekizmin, për leximin e meditimin e Biblës. Famullitari më i afërt kremton meshën, kur mundet, por zakonisht, janë laikët, ose murgeshat, përgjegjëse për punën në “shtëpinë e misionit”.
Atë Suarez, po më thoni se mungojnë meshtarët?
Puna e famullitarit është e shumtë dhe e lodhshme. Jemi vendi i Amerikës Latine me më pak meshtarë për banorë e, kjo do të thotë se një prift në Kubë mund të jetë njëkohësisht famullitar i tre, katër, gjashtë o shtatë bashkësive. Në zonat fshatare, duhen bërë edhe shumë kilometra rrugë, për shkak të distancave. Lëvizjet e grupet mbahen me bashkëpunimin e laikëve e të murgeshave e, sidomos, me këto përvoja familjare, që i kemi shumë për zemër, sepse kështu ka jetuar Kisha gjatë këtyre viteve.








All the contents on this site are copyrighted ©.