2012-03-22 15:16:19

Nesër Papa do të jetë në Meksikë. Kryeipeshkvi i León: jemi në festë


Nesër paradite Benedikti XVI do të nisë udhën e gjatë drejt Meksikës, etapa e parë e shtegtimit të tij të 23-të apostolik, që do të përfundojë më 29 mars, pas tri ditësh vizite në ishullin e Kubës. Në këto çaste, qytetet meksikane Guanajuato e León janë gati për ta pritur me krahë hapur Papën, në një pëqafim, i cili i krijon Atit të Shenjtë mundësitë të rrokë gjithë Meksikën, madje, gjithë Amerikën Latine, përmes barinjve të popullsive amerikane. Kështu na e përshkruan takimin e afërt të amerikanolatinëve me Papën, i dërguari i Radio Vatikanit, Xhankarlo la Vela, nga León:

“Papa Benedikti XVI, të presim me krahë hapur!”: këto fjalë, e të tjera, lexohen në afishet vigane, që këto ditë kanë mbuluar në të katër anët muret e León. I gjithë vendi është veshur për festë, në pritje të përqafimit me Papën, një festë, që nuk mbetet vetëm ndër mure, por pushton kryesisht zemrat e të gjithë banorëve të kësaj zone gazmore meksikane, që di të mikpresë, duke krijuar atmosferë të veçantë. Gëzimi shpërthen kudo: në sytë, në buzëqeshjet, në komentet, që mbushin plot pritjen, në sa orët vrapojnë e dita e re afrohet. Pas pesë vizitave të Gjon Palit II, edhe vizita e Benediktit XVI mbetet ngjarje e madhe, e jashtëzakonshme për Guanajuaton, Shteti më katolik i Meksikës.
Të dëgjojmë Karlon e Rozën, një çift i ri, që do të marrë pjesë në takimet e ndryshme me Papën:
(Karlo) Es para nosotros y para mi en particular mucho, mucho importante. … Për ne të gjithë, është një ngjarje tepër e rëndësishme. Hir i madh për mbarë vendin tonë, të tronditur thellë nga dhuna: në një vend të tillë vjen Papa, njeri i paqes e i shpresës. Vjen të na sjellë paqe e shpresë, në emër të Krishtit”.

(Roza) “Sentimos que es tan grande algo que nos va traer para el bien de la familia …
E ndjejmë thellë se do të sjellë një kumt tepër të rëndësishëm, për të mirën e familjes, për t’i vënë pritë fenomenit të sotëm të shpërbërjes së bërthamës familjare e për të theksuar vlerat, që u duhen mësuar fëmijëve tanë”.
Papa pritet, pra, si lajmëtar i paqes e i shpresës. E këto janë edhe fjalët kyçe të shtegtimit papnor për njerëzit, që duan ta flakin me çdo kusht barrën e padurueshme të dhunës dhe të të gjitha shfaqjeve të saj të shëmtuara, që nga shkelja e të drejtave, tek rrëmbimet e vrasjet kundër popullit të thjeshtë, të pafaj, pa asnjë mbrojtje. Prania dhe fjalët e Papës Benedikti XVI mund të jenë një mënyrë për ta rithemeluar vendin – shkruan një nga gazetat më të mëdha - mbi bazën e vlerave të vëllazërimit e të bashkëjetesës paqësore.

Qyteti i Guanajuatos e i León nuk patën fatin ta kenë në gjirin e tyre Gjon Palin II, gjatë pesë vizitave të tij në Meksikë. Ndoshta prandaj edhe përpiqen të organizojnë një pritje sa më të ngrohtë, sepse për ta është takimi i parë me Papën. Kështu shprehet, në mikrofonin e të dërguarit tonë La Vela, kryeipeshkvi i Leon, imzot Martin Rabago, duke na përshkruar atmosferën e festës:

Përgjige: – Yo podría decir que lo espirito general de la populación es de una inmensa…
Mund të them se mbarë popullsia është pushtuar nga një gëzim i papërshkrueshëm. Ky është qytet, që krenohet për traditën e vet katolike. Ta tregon puna vetë: 94% e banorëve janë katolikë. Është përqindja më e lartë në Republikën e Meksikës. E pastaj, në ndryshim nga qytetet e tjera, që kanë pasur fatin të takohen me Gjon Palin II, në León nuk ka shkelur kurrë ndonjë papë. Prej këndej, i gjithë qyteti është në këmbë. I gatshëm për të dhënë kontributin, për të bashkëpunuar, për të ndihmuar në përgatitjen e një pritjeje sa më të ngrohtë për Atin e Shenjtë.

Pyetje: - I gjithë populli meksikan e jeton fenë me këtë thellësi e emocion, si qyteti i León?

Përgjigje: - Sí, es una ciudad que vive mucho de una religiosidad popular…
Po, është qytet që e jeton fenë me frymë popullore, karakteristikë, kjo, për të gjithë Meksikën. Mund të them se kjo është vlerë. Por, pa harruar ungjillëzimin e ri, sepse një fe, që jetohet vetëm me frymë tradite, është tepër e brishtë.

Pyetje: - Ç’mund t’i japë Papa një bashkësie kaq të impenjuar?

Përgjigje: - Bueno, yo creo que el Papa vendrá a darle continuidad a los trabajos…
Besoj se Papa vjen për të mbështetur vazhdimësinë e punës së nisur në Konferencën V të përgjithshme të episkopatit latino-amerikan të Aparesidës. Jemi për rrugë, duke vënë në jetë Misionin Kontinental. Nuk e di ç’do të thotë Papa, por jam i sigurtë se fjalët e tij do të jenë vazhdimësi e fjalimit të hapjes, që pati mbajtur në Aparesidë. Posaçërisht përsa i përket situatës së dhunës, në të cilën jeton Meksika. Fjalët e Papës do të jenë ballsam mbi këtë plagë e mbi plagët e tjera, si pabarazia shoqërore, papunësia, korrupsioni. E pastaj, duke marrë zemër nga porositë, që do të na japë Papa, do të impenjohemi të ndërtojmë, duke u nisur nga Ungjilli, një shoqëri, që të ketë një vizion më të krishterë.

Pyetje: - Mesazhi që dëshironi t’i drejtoni në këto çaste bashkësisë suaj?

Përgjigje: – En general, lo que se predica es lo evangelio…
Përgjithësisht, atë të Ungjillit, të cilin e predikoj. Duke kujtuar se përmes predikimit të vlerave të përjetshme të Ungjillit, përpiqemi të japim edhe orientimet e Doktrinës shoqërore të Kishës. Në León jeton një grup i vogël, me pushtet të madh ekonomik e politik. E kemi për detyrë t’i bëjmë këto njerëz të ndjeshëm përballë të varfërve, sidomos punëtorëve, që punojnë në sipërmarrjet e tyre. Nuk është e mundur që njerëz, të cilët marrin pjesë në Meshën e së dielës, të rifillojnë, të hënën, shfrytëzimin e egër të punëtorëve të tyre... Pa harruar, këtu, rininë, që përbën kujdesin tonë më të madh, sepse në gjirin e të rinjve vërehet një klimë relativiste, me prirje të thella individualiste e hedoniste. S’ kam pse zgjatem, sepse një klimë e tillë ka pushtuar mbarë botën.

Pyetje: - Diçka e veçantë në përgatitjen tuaj për pritjen e Papës?

Përgjigje: – Bueno, las manifestaciones que tendremos van muy a tono con lo que es…
Manifestimet, që kemi përgatitur, i përshtaten plotësisht karakteristikave të kulturës meksikane. Jemi popull që di të festojë, di të këndojë, të brohorasë, të preket deri në lot. Kështu do ta presim edhe Papën, duke qeshur nga ngazëllimi e edhe duke qarë nga gëzimi. E sidomos duke kënduar. Për këtë po përgatiten grupet ‘mariki’, që do ta presin Papën në aeroport e do ta shoqërojnë gjithë rrugës. Mirupafshim, pra, në festën tonë të gëzimit e të këngë, të fesë e të shpresës!







All the contents on this site are copyrighted ©.