2012-03-22 17:05:14

Kardinali Bertone: në Kubë, Papa do të ndihmojë demokracinë


“Nuk besoj se vizita e Papës do të instrumentalizohet nga qeveria kubane”, por përpkundrazi, do të ndihmojë “procesin e zhvillimit drejt demokracisë”: kështu flet Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone, në një intervistë publikuar në gazetën italiane “La Stampa”, në prag të nisjes së Benediktit XVI për në Meksikë e në Kubë.
Më pas, kardinali trajton edhe argumente të tjera, si qëndrimi i Selisë së Shenjtë në rastin e një sulmi izraelit kundër Iranit. “Selia e Shenjtë – nënvizon ai – mendon se rruga për zgjidhjen e problemeve e të konflikteve, pavarësisht nga vështirësitë, është ajo e dialogut e jo e luftës”. Vatikani ndjek me vëmendje çdo gjë, që ndodh në Lindjen e Mesme.
Përsa u përket marrëdhënieve me Kinën, kardinali Bertone shpjegon se dialogu vazhdon, por nganjëherë bëhet i vështirë e madje, edhe ndalet, për të rifilluar më vonë. I pyetur për një udhëtim të mundshëm të Atit të Shenjtë në Azi, Sekretari i Shtetit të Vatikanit nuk e përjashtoi. Argumentet e tjera kanë të bëjnë me daljen e disa dokumenteve nga Selia e Shenjtë, në rastin e njohur si “vati-leaks” e me akuzat për korrupsion, të cilat kardinali i komentoi, duke vënë në dukje se njerëz, që nuk e kryejnë me ndershmëri detyrën e tyre, ekzistojnë kudo e, edhe në Vatikan.
Në fund, prelati katolik kujton se në dhjetor 2009, në moshën 75-vjeçare, i dorëzoi Papës dorëheqjen nga posti i Sekretarit të Shtetit, por Benedikti XVI deshi që ai ta vazhdojë detyrën.







All the contents on this site are copyrighted ©.