2012-03-21 18:28:21

Pjesëmarrje e jashtëzakonshme në funeralin e Papës Shenuda III në Kajro


Dhjetra mijëra vetë morën pjesë dje në funeralin e Papës kopt Shenuda III i Aleksandrisë, i cili ndërroi jetë të shtunën në moshën 88 vjeçare. Ceremonia u kremtua në katedralen e Shën Markut, ndërsa jashtë shtyheshin aq shumë njerëz, saqë 34 besimtarë mbetën të plagosur. Ati i Shenjtë, Benedikti XVI u përfaqësua nga kardinali Valter Kasper, ish-kryetar i Këshillit Papnor për Nxitjen e Bashkimit të të Krishterëve.
Sot, ditë zie kombëtare, kreu i koptëve u varros në manastirin e Anba Bishoy në Uadi el-Natrun, pikërisht në vendin ku qe burgosur gjatë regjimit të Anuar Sadatit. Duke kujtuar Shenudën III, patriku latin i Jeruzalemit, Fuad Tval e quajti “një figurë të rëndësishme për të krishterët e Lindjes”. Në mesazhin e ngushëllimit, shkruan: “E kreu misionin e tij të krishterë me besim të patundur e fe të thellë, në mesin e ngjarjeve të turbullta të botës arabe e të mbarë globit”. Edhe Benedikti XVI, në mesazhin e ngushëllimit, pati përmendur me mirënjohje, impenjimin e papës kopt për Lindjen e Mesme.







All the contents on this site are copyrighted ©.