2012-03-21 18:26:52

Kryetari i ipeshkvijve për vizitën e Benediktit XVI: e gjithë Meksika është shumë e lidhur me figurën e Papës.


Për Benediktin XVI sot është parapragu i fluturimit të gjatë i cili, të premten e ardhshme, do ta çojë në Meksikë, kombi i parë që do të vizitojë gjatë shtegtimit të tij të 23-të apostolik ndërkombëtar. Papa do të ndalohet kryesisht në qytetet Leon e Guanajuato, ku vlojnë përgatitjet e fundit, në pritje të arritjes së Atit të Shenjtë. I dërguari i Radio Vatikanit në Meksikë, Xhankarlo La Vela e pyeti imzot Karlos Aguiar Retes, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Meksikës dhe i Konferencës së Ipeshkvijve të Vendeve latino-amerikane, si po e pret bashkësia meksikane vizitën e Papës:

Përgjigje: – Es una expectativa de grande esperanza…
E pret plot me shpresë. Bashkësia meksikane, e në veçanti bashkësia katolike e vendit, po i kushton kësaj vizite pjesën më të mirë të vetvetes. Dioqezat, me të 91 qarqet kishtare, po punojnë me zell të jashtëzakonshëm mbi bazë famullish, në mënyrë që të gjithë, përfshirë edhe milionat e katolikëve, që nuk mund të jenë të pranishëm në Guanajuato, të mund t’i ndjekin plotësisht të gjitha ngjarjet e mëdha të kësaj vizite, të cilat do të transmetohen drejtpërdrejt nga televizioni e do të ndiqen nga të gjitha mjetet meksikane të komunikimit. Vërehet fuqimisht dëshira që të gjithë të mund ta ndjejnë afërsinë e Atit të Shenjtë, të jetojnë atë, që do të jetojnë 300 mijë vetët e pranishëm në kremtimin e Eukaristisë, e të provojnë të njëjtin emocion të paharrueshëm, duke dëgjuar fjalën me frymëmarrje të gjerë, që presim nga Ati i Shenjtë.

Pyetje: - Ç’prisni nga fjalët e Atit të Shenjtë?

Përgjigje: – En primer lugar, para nosotros ya es una grande alegría la sola presencia…
Para së gjithash, për ne ngjall gëzim të thellë prania e Papës, në vetvete, sepse ai na sjell mesazhin e madh të bashkimit, dëshirën për të ndenjur gju më gju me ne, për të jetuar për disa çaste, vetë jetën tonë. Kjo, thënë në përgjithësi. Ndërsa, në veçanti, shpresojmë se fjala e tij, që shquhet gjithnjë për thellësi të madhe dhe i përshtatet mrekullisht mirë çasteve e rrethanave të ndryshme të jetës, mbi bazën e Fjalës së Zotit e të magjisterit të Kishës, do të na ndihmojë e do të na japë zemër për ta mbajtur gjithnjë të ndezur entuziazmin tonë, që puna kishtare, e nisur me misionin kontinental, të vijojë gjithnjë në perspektivë e në ndihmë të zgjidhjes së problemeve, të cilat i jetojmë ditë për ditë në vendin tonë.

Pyetje: - Në Meksikë është ende i freskët emocioni, që patën shkaktuar pesë vizitat e paraardhësit të Benediktit XVI, të Lumit Gjon Pali II. Ç’kujtoni nga këto vizita?

Përgjigje: – El Santo Padre Juan Pablo II, primer Papa que visitó nuestro País…
Ati i Shenjtë Gjon Pali II, papa i parë që vizitoi vendin tonë, e kuptoi menjëherë, që nga shtegtimi i tij i parë, ç’emocion të madh ngjallte tek besimtarët afërsia e Pasardhësit të Shën Pjetrit, pamja e tij. Ndjeu edhe sa e do Meksika Mëkëmbësin e Krishtit. Edhe në kohët e papëve të tjerë, si Pali VI, Gjoni XXIII, Piu XII, Piu XI, kur Meksika jetonte çaste tejet të vështira, për shkak të konfliktit fetar, figura e papës ka qenë gjithnjë element me rëndësi të dorës së parë në jetën kishtare të vendit. Prej këndej, Gjon Pali II u hyri menjëherë në zemër meksikanëve, që e ndjenë se prania e Papës çelnikoste lidhjen e tyre të përhershme me atë, që përfaqëson Kishën e Krishtit. Dashuria, që u shpreh haptas për Karol Vojtilën, do të shprehet, pa asnjë dyshim, edhe për Benediktin XVI: e kjo, sepse ka të bëjë me figurën e papës në vetvete; me figurën, që mishëron institucionin e jashtëzakonshëm, shërbimin papnor. Identiteti personal, pastaj, e pasuron dhe e ushqen njohjen historike të papëve, që kanë qenë këto dy shekujt e fundit në timon të Kishës, së cilës i prijnë atje ku dëshiron Ati ynë. Gjithë këtë, populli meksikan e ndjen fuqimisht e ne, barinjtë, e vërejmë në çaste nga më të ndryshmet, duke nisur nga bisedat e zakonshme, për të kaluar tek takimet me bashkësitë. Atmosfera meksikane është e ngarkuar me emocione të forta, që bëhen edhe më të ndjeshme, sa më shumë afrohet çasti i lum, kur në trojet tona do të shkelë vetë Papa.

Pyetje: - Kjo është një epokë e vështirë për mbarë botën, si në nivelin ekonomik, ashtu edhe në atë shoqëroro-politik. Ç’mund të na thoni për situatën në Meksikën, që pret Benediktin XVI?

Përgjigje: – Un país, como lo ha dicho usted, en medio de problemas…
Një vend që, siç e thatë edhe ju vetë, po jeton probleme të pajetuara më parë; po përballon situata tejet të ndërlikuara, të cilat vështirë se mund të zgjidhen ashtu shpejt e shpejt. Po ne e dimë, e pikërisht falë fesë sonë, se në këtë situatë dishepujt e Krishtit rriten e fitojnë pjekuri. Këtë besim ka Kisha meksikane, e cila i përballon problemet e sotme me shpresë. Kisha beson e shpreson me gjithë shpirt se vizita e Atit të Shenjtë do të ngjallë entuziazëm të madh e gëzim të madh, duke na i lehtësuar, kështu, ndjeshëm, shqetësimet, që nuk mungojnë në jetën tonë të përditshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.