2012-03-20 13:38:32

“Oborri i jo besimtarëve” shkon në Palermo për t’iu përgjigjur me kulturën e dialogut e të drejtësisë kriminalitetit të organizuar siçilian


“Oborri i jo besimtarëve” do të shkojë në Palermo të Italisë nga data 29 deri më 30 mars. Pas Bolonjës, Parisit, Bukureshtit, Firences, Romës dhe Tiranës, ku u zhvillua në nëntor të vitit të kaluar, takimi i organizuar nga Këshilli Papnor i Kulturës, që u paraqit sot në Vatikan, do të hyjë në etapën siçiliane, për t’i vendosur besimtarët e jo besimtarët para një sfide shumë të rëndësishme për Italinë: t’i përgjigjen me kulturën e drejtësisë e të ligjit, kriminalitetit të organizuar, mafies, dhe të hedhin ura për dialogun me rrymat e ndryshme të pranverës arabe.

Tema e këtij “Oborri të jo besimtarëve” është pikërisht “Kultura e ligjit dhe shoqëria shumëfetare”. Ja si flet për këtë etapë, kryetari i dikasterit organizator të Vatikanit, kardinali Xhanfranko Ravazi:

Palermo ka origjinalitetin e vet përsa u përket dy temave, që ndërthuren në titull: kultura e ligjit dhe shoqëria shumëfetare. Pra, nga njëra anë kemi profilin shoqëror – atë të ligjit, që pa pushim vihet në dukje nga bota civile, nga bota politike, por ka ndikime të fuqishme edhe mbi botën shpirtërore e fetare. Mjafton të mendojmë për martirët e vërtetë të mafies, emblematikë për Palermon. E nga ana tjetër, siç dëshmojnë monumentet siçiliane, qyteti ka qenë gjithnjë udhëkryq për shumë etni e fe.

Si mund të ndikojë dialogu ndërmjet kulturave e feve në afirmimin e vlerës së ligjit në shoqëri?

Elementi themelor është drejtësia, ligji. Duhet pasur parasysh se tradicionalisht, ligji nuk respektohet në Palermo, megjithëse ky është shpesh stereotip. Sot, në Palermo, “antimafia” është kthyer nga vetëdije në institucion, por siç do të dëshmojnë të pranishmit në mbrëmjen e hapur për të rinjtë, edhe përmasa kishtare, morale e fetare është e rëndësishme për mbrojtjen e drejtësisë, sepse kalon përmes ndërgjegjes. Megjithatë, derisa të mos kemi një popull të ri, derisa të mos punojmë me edukimin e rinisë, nuk mund të themi se kemi një qytetërim më të mirë se në të kaluarën. Prania jonë në Palermo do të thotë të ringremë zërin, si dikur Gjon Pali II në Agrixhento, kundër mafies e degjenerimit të moralit, të shoqërisë e të drejtësisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.