2012-03-20 10:52:21

Të dalim nga anonimati: Raporti 2011 i Observatorit për intolerancën dhe diskriminimin fetar në Evropë


Në Evropë, vërehen gjithnjë e më tepër episode intolerance e diskriminimi kundër të krishterëve. Njëkohësisht, interesi në rritje i mediave për këtë problem, ka bërë të dalin në pah gjithnjë e më shumë raste, me jehonë të gjithë botën. Këto janë dy faqet e së njëjtës medalje, përshkruar në raportin 2011 mbi të krishterët në Evropë, publikuar në faqen e internetit të Observatorit për intolerancën dhe diskriminimin fetare në Evropë (OIDCE). Ky raport, i cili mund të konsultohet në faqen intoleranceagainstchristians.eu, është i vetmi, që jep informacion të plotë mbi gjendjen e të krishterëve në kontinentin e vjetër.
“Ipeshkvijtë e Evropës – deklaron i ngarkuari i tyre për ndjekjen e veprimtarive të Observatorit, ipeshkvi hungarez Andràs Veres – tregohen veçanërisht të kujdesshëm para shfaqjeve të diskriminimit e të intolerancës fetare, të cilat vënë në dukje se vlerat e të drejtat themelore të vetë Evropës, si liria fetare e njohja juridike e Kishave, janë larg së qeni realitet në disa vende të kontinentit”.
“Njëkohësisht – vazhdon imzot Veres – rastet e përmendura në raport dëshmojnë se feja është një element gjithnjë e më i pranishëm në jetën e njerëzve. Shfaqjet e intolerancës përbëjnë një realitet alarmues, sepse nxjerrin në pah situata pak të njohura deri tani e gjithnjë në rritje, gjë që na kujton rolin themelor që i takon fesë në kohezionin shoqëror. Prandaj, raporti u kërkon të krishterëve, që kanë pësuar diskriminime, të dalin nga anonimati e të flasin me guxim: besimi në Zotin nuk duhet të ndjehet si ndonjë faj, apo shenjë dobësie. Përjetimi dhe dëshmimi i fesë, duke respektuar lirinë dhe ndjeshmërinë e të tjerëve, nuk mund të jetë veçse përfitim për të gjithë, të krishterë e jo. Ipeshkvijtë e Evropës janë solidarë me të gjithë ata, të cilëve nuk u respektohen të drejtat dhe, kujtojnë se liria fetare është e çmuar dhe duhet mbrojtur, që të vazhdojë të jetë një nga shtyllat e paqes së kontinentit tonë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.