2012-03-20 14:43:51

Kardinali Bertone mbi vizitën e Papës në Meksikë: do të çojë një mesazh dashurie e optimizmi.


Papa Benedikti XVI i kalon ditët që e ndajnë nga nisja e udhëtimit të tij të 23-të së pari në Meksikë e pastaj në Kubë, në lutje të përditshme, duke rishikuar fjalimet dhe me një dashuri të madhe për Zojën e Bekuar të Guadalupes. Për këtë arsye, aktivitetet javore të Papës Ratcinger – duke përfshirë edhe audiencën e përgjithshme të nesërme – janë anuluar. Njoftimin mbi këto të dhëna të hollësishme për ndjenjat e veçanta të Papës në pragun e nisjes së tij për Meksikë e dha sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone, në një intervistë për Televisa meksikane:
“Zgjedhja e Meksikës, pa dyshim, është një akt i dashurisë së madhe që Papa ka për Meksikën, për këtë Vend të madh të Amerikës Latine, për këtë Vend të madh katolik, për këtë Vend që në njërën anë po zhvillohet shpejtësi të madhe e, në anën tjetër po kalon edhe përmes problemeve e sfidave të jashtëzakonshme, siç është sfida e dhunës, e korrupsionit, e trafikut të drogës, sfida këto që kërkojnë impenjimin e të gjithëve, impenjimin e të gjitha institucioneve fetare, civile, shoqërore për të tejkaluar këtë fazë e për të rindërtuar themelet e Meksikës mbi vlera të krishtera, që janë në gjakun e popullit meksikan: vlerat e bashkëjetesës paqësore, të vëllazërimit, të solidaritetit e të ndershmërisë. Prandaj Papa sjell një mesazh inkurajimi në këtë drejtim e këtë mesazh ua sjell sidomos të rinjve në mënyrë që të mos demoralizohen, të e humbasin guximin e shpresën, të mos bien pre e synimeve dhe fitimeve të lehta, por të impenjohen në ndërtimin e një shoqërie solidare, të një shoqërie të ndershme ku çdonjëri e ka vendin e vet dhe mund t’i gëzojë të drejtat themelore personale. Pra, ai i Papës është një mesazh dashurie e inkurajimi të madh e mund të them edhe i një optimizmi”.
Meksika e Selia e Shenjtë kanë kremtuar tashmë njëzetvjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Si i shikoni ju marrëdhëniet ndërmjet dy Shteteve si dhe marrëdhënien ndërmjet Shtetit e Kishës?
“Marrëdhëniet ndërmjet Shtetit e Kishës në Meksikë janë zhvilluar e rritur, pas dyshim, në mënyrë pozitive: nëse kujtojmë, në shekullin e kaluar, kishte edhe tensione....Megjithëse populli, e ndjente Kishën si “të veten”, Kisha konsiderohej si shpirti i popullit, mirëpo nga pikëpamja politike, civile e strukturore kishte kundërshtime, ekzistonte një tension. Para njëzet vjetësh janë vendosur marrëdhëniet diplomatike: kjo është shenjë e rëndësishme publike për Kishën si e tillë. Është një njohje e funksionit universal që është zhvilluar nga Kisha e nga Selia e Shenjtë. E këtu duhet kujtuar edhe zhvillimin që Meksika pati në bashkësinë ndërkombëtare, mund të themi mes “Erërave” . Është domethënëse prandaj që këto marrëdhëniet janë konsoliduar e të frytshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.