2012-03-19 15:53:41

Zëdhënësi i Vatikanit dënon ashpër masakrën e Tuluzës në Francë


Tmerr në Francë, pas atentatit kundër një shkolle hebraike të Tuluzës, që sot paradite shkaktoi vdekjen e një mësueseje dhe të tri nxënëseve. 30 vjeçari ishte mësues i fesë, ndërsa dy nga fëmijët, 3 dhe 6 vjeç, ishin bijtë e tij. Viktima e tretë, vajzë, 10 vjeçare. Një nxënës mbeti i plagosur. Në korin e zërave, që u ngritën për të dënuar aktin, ndoshta me natyrë antisemite, edhe ai i Selisë së Shenjtë. Zëdhënësi i Vatikanit, atë Federiko Lombardi, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, e quajti “një akt të përbindshëm dhe të poshtër”, që zgjon “indinjatë të thellë e turbullim”, na shtyn “t’i dënojmë e mallkojmë autorët, si për shkak të moshës e pafajësisë së viktimave të vogla, ashtu edhe për faktin se u krye pranë një institucioni paqësor edukativ hebraik”. Atë Lombardi bashkohet me solidaritetin e shprehur nga kryeipeshkvi i Tuluzës për familjet e viktimave dhe për bashkësitë hebraike.
Edhe presidenti francez Nikolas Sarkozi ndërpreu fushatën zgjedhore dhe shkoi në Tuluzë për t’u qëndruar pranë familjeve të viktimave, por edhe bashkësisë hebraike, të frikësuar nga mundësia që atentati të jetë me natyrë antisemite e të përsëritet. “Është tragjedi – theksoi Sarkozi – që ekzistojnë të çmendur, të aftë për akte të tilla, që nuk kanë asnjë respekt për dinjitetin e për jetën e njerëzve”. “Asgjë s’është më e papranueshme se vrasja e fëmijëve të pafajshëm”, deklaroi edhe kreu i Komisionit Evropian, Barroso.
Policia dyshon se atentati është kryer nga vrasës, që javën e kaluar, gjithnjë në Tuluzë, qëlluan kundër disa ushtarëve, që lëviznin në grup për një shëtitje. Bilanci: tre viktima e një i plagosur. Armët e përdorura duken të njëjta. Pas atentatit e pas shqetësimeve të shprehura nga bashkësia hebraike, është dhënë urdhër të forcohen masat e sigurisë në shkollat izraelite të gjithë Francës.







All the contents on this site are copyrighted ©.