2012-03-19 09:49:39

Papa në Engjëllin e Tënzot: lutuni për shtegtimin tim në Meksikë e në Kubë.


Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot dje në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, Papa Benedikti XVI u kërkoi besimtarëve ta shoqërojnë me lutje gjatë shtegtimit të tij apostolik, që do ta nisë të premten e ardhshme, në Meksisë e Kubë. Në vijim Papa kujtoi prindërit e fëmijëve belgë, vdekur gjatë aksidentit rrugor, ngjarje që, këto ditë, tronditi mbarë botën, duke u shprehur dhimbjen e thellë e duke i siguruar se është shpirtërisht pranë tyre. Akoma, duke kujtuar Ditën e ardhshme të Ujit, uroi që të mos i mungojë askujt në mbarë botën një burim i tillë kaq jetik. Në katekizmin kushtuar Ungjillit të së dielës, ripohoi se, posaçërisht gjatë Kreshmëve, ka shumë rëndësi që besimtarët ta vënë në plan të parë Sakramentin e Rrëfimit, për t’u gjunjëzuar, pastaj, me shpirt të pastruar, para Jezusit Eukaristik.

Duke përshëndetur shtegtarët e gjuhës spanjolle, Papa uroi që shtegtimi i tij apostolik në Meksikë e në Kubë të jetë plot me frytet e begata të jetës së krishterë e të përtëritjes shpirtërore, që të kontribuojnë, kështu, për progresin e vërtetë të popujve meksikan e kuban.
Ndërsa në italisht, i ftoi besimtarët të luten për këtë ngjarje shumë të rëndësishme:
Ju kërkoj të luteni për shtegtimin apostolik në Meksikë e në Kubë, ku do të jem nga e premtja e ardhshme. T’ia besojmë ndërmjetësimit të Zojës së Bekuar, që duhet dhe nderohet aq shumë në të dy vendet, që do t’i vizitoj”.
Ati i Shenjtë i lartoi Zotit lutjen për shpirtrat e fëmijëve belgë, vdekur gjatë aksidentit tragjik rrugor në Zvicër, të martën e kaluar. Duke folur në frëngjisht, i siguroi të gjithë ata, që janë në zi, për afërsinë e tij në lutje.
Në qendër të vëmendjes, komenti i Ungjillit të së dielës. Papa nëvizoi se Jezusi e di mirë që kulmi i misionit të tij është kryqi, maja e majave të dashurisë, prej nga buron shpëtimi, shpërblimi i njeriut. Por, shtoi Benedikti XVI, në se dashuria përdëllyese e Hyjit, që dhuron Birin e Tij të vetëm për shpërblimin e jetës sonë, është e pakufishme, e madhe është edhe përgjegjësia jonë përballë një flijimi të tillë të papërshkrueshëm me fjalë njerëzore:
Secili nga ne duhet të pranojë se është i sëmurë, në se dëshiron të shërohet; secili duhet ta rrëfejë mëkatin e vet, që falja e Zotit, dhuruar mbi Kryq, të veprojë mbi zemrën e mbi jetën e tij”.
E megjithëkëtë, theksoi jo pa keqardhje të thellë Papa, nganjëherë njeriu do më shumë errësirën, sesa dritën, sepse është tepër i lidhur me mëkatet e veta:
Por vetëm duke ia hapur zemrën dritës, vetëm duke ia rrëfyer sinqerisht fajet Zotit, mund të gjindet paqja e vërtetë e gëzimi i vërtetë. Prej këndej, ka rëndësi të jashtëzakonshme të rrëfehemi rregullisht, në veçanti, gjatë Kreshmëve, për të marrë dhantinë e faljes së Zotit e për të ecur deri në fund të rrugës së pendesës”.
Pas reflektimin kushtuar Ungjillit, Papa kujtoi Forumin e Marsejës, kushtuar ujit, si dhe Ditën e ardhshme Botërore të Ujit, e cila sivjet nënvizon lidhjen ndërmjet këtij burimi të çmuar dhe sigurisë ushqimore:
Uroj që këto nisma të ndihmojnë, që të garantohet uji për të gjithë, në mënyrë të barabartë, të sigurtë e të përshtatshme, duke promovuar, kështu, të drejtat që ka çdo njeri për jetën dhe ushqimin, si dhe përdorimin me përgjegjësi e solidaritet të pasurive të tokës, në dobi të breznive të sotme e të ardhshme”.
Në përfundim Papa përshëndeti pjesëmarrësit në takimin, që vijon, në Gniezno të Polonisë. Uroj që kjo ngjarje, theksoi duke folur në polonisht, t’i kujtojë Evropës rrënjët e saja të krishtera dhe nevojën për të ndërtuar një shoqëri civile, bazuar mbi vlerat ungjillore.
Gjatë përshëndetjes, drejtuar shtegtarëve italianë, Ati i Shenjtë u kushtoi një vëmendje të dorës së parë të gjithë atyre, që kalojnë çaste të vështira, sepse të shtypur nën barrën e rëndë të krizës ekonomike:
“Përshëndes punojnjësit e Alkoa di Portovesme, duke i siguruar se jam pranë, se lutem për ta e për familjet e tyre e duke uruar që të gjejnë sa më shpejt rrugëdalje nga situata e vështirë”.
Së fundi, Papa Jozef Ratcinger, duke kujtuar se Kisha kremton festën e Shën Jozefit, i falënderoi me gjithë zemër të gjithë ata, që do ta kujtojnë sot në lutje, në sa kremton një ditë kaq të shënuar, siç është dita e emrit, për të krishterët, shumë më e rëndësishme se ditëlindja.








All the contents on this site are copyrighted ©.