2012-03-19 15:54:00

Ngushëllimi i Benediktit XVI për vdekjen e Shenudës III, plot mirënjohje për shërbimin e tij në favor të bashkimit të të krishterëve.


Papa shpreh ngushëllimet tij më të ndjera për vdekjen e Patrikut të koptëve, Shenuda III i Aleksandrisë, që ndërroi jetë të shtunën e kaluar, në moshën 88 vjeçare, pas një sëmundjeje të gjatë. Në një mesazh ngushëllimi, Benedikti XVI kujton me mirënjohje impenjimin e jashtëzakonshëm të Shenudës III për bashkimin e të krishterëve. Posaçërisht ndalohet tek vizita e paharrueshme në Romë, më 1973, kur, me Palin VI, nënshkruan një Deklaratë të përbashkët për Mishërimin e Birit të Zotit, e edhe tek takimi i Kairos, me Gjon Palin II, në vitin jubilar 2000.
Benedikti XVI i siguron besimtarët koptë se lutet për shpirtin e Patrikut të ndjerë dhe u shpreh afërsinë e mbarë Kishës katolike, me dhimbjen e vëllait për vëllain.
I kërkuam Ipeshkvit ndihmës të Patriarkanës së koptëve të Aleksandrisë, imzot Boutros Fahim, një kujtim për figurën e ndritur e Shenudës III:

Përgjigje: - Lajmi u përhap si flakë kashte, sepse egjiptianët e donin shumë, si të krishterët, ashtu edhe myslimanët, e posaçërisht, ortodoksët, besimtarët e tij, I priu Kishës për shumë e shumë vjet, gati 40 në krye të Patriarkanës. La një gjurmë të pashlyeshme. Kur e pati marrë detyrën e lartë, Kisha ishte tejet e ligshtë, shumë e fshehur... Kisha ortodokse, e kryesuar prej tij, përparoi shumë në nivel baritor. Krijoi një numër të madh famullish e dioqezash jashtë Egjiptit, pothuajse në të gjitha vendet e botës. I dha një gjalllëri të paparë jetës kishtare në mbarë Egjiptin, e nuk e kam fjalën vetëm për koptët ortodoksë. La një shenjë të madhe, të pashlyeshme në Kishë, në këtë periudhë, e tani, duke u nisur kah një botë më e mirë, lë këtu, poshtë, një zbraztësirë të madhe.








All the contents on this site are copyrighted ©.