2012-03-19 10:35:22

Ipeshkvit martir, imzot Vinçenc Prennushit, në përvjetorin e vdekjes


Duke shfletuar kalendarin historik, sot më 19 mars kujtojmë figurën e ipeshkvit martir, imzot Vinçenc Prennushit, në përvjetorin e vdekjes.
Imzot Vinçenc Prennushi, ipeshkëv e martir i fesë gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri, është figurë e jashtëzakonshme kishtare e kombëtare, fetare e kulturore. Një ikonë e forcës dhe e dritës së shpirtit shqiptar që ndriçojë në errësirën e regjimit ateist.
Sigurisht që nuk është aspak e lehtë ta përmbledhësh me pak rreshta jetën aq të pasur e të jashtëzakonshme të imzot Vinçenc Prennushit.
Lindi në Shkodër më 4 shtator 1885. U Pagëzua me emrin Kolë, Shpejti ndjeu thirrjen e Zotit për jetën rregulltare. Hyr në kuvendin françeskan të vendlindjes më 1900; u shugurua meshtar në Tirol të Austrisë, ku kryente studimet, duke e ndërruar emrin në Vinçenc.
Nisi të botonte rreth 1909-1910-tës. Më 1911 botoi “Kangë popullore gegnishte”; më 1918 fletpalosjen liturgjike “Fjala e Zotit”; “Java e Madhe”, libër feje, për javën para Pashkve. më pas dramat “E trathuemja” e “Prej robnie në liri”; studimin “Nder lamije të demokracisë së vërtetë” (1922). Kryeveprën poetike “Gjeth e Lule” e botoi më 1924, për të vijuar me veprat agjiografike “Shën Françesku i Asizit” dhe “Jeta e Shna Ndout prej Padue” (1913) ; “N’Agape”, vjershë (1926); “Vorri i fratit”, 1717-1918. Dy fjalë mbi jetën e A. Anton Soranit, dëshmitar feje françeskan (1918);
Ndër përkthimet e imzot Vinçenc Prennushit kujtojmë: “Quo Vadis” të novelistit polak, Henryk Sienkiewiz; “Burgjet e mia” të italianit Silvio Pellico, poemën “Dreizehnlinden” të gjermanit Friedrich Wilhelm Weber, nga e cila “Hylli i Dritës” u botuan te vetëm tri këngë. Këtu këputet veprimtaria e mbyllet, për të përfunduar kush e di se ku, arkivi i tij jashtëzakonisht i pasur.
Imzot Vinçenc Prennushi, njihet si këngëtar i ëmbëlsisë dhe i trishtimit. Ndër poezitë e tij, kumbon një jehonë e këndshme dhe një ushtimë e trishtë, ashtu siç këndon atdheun me bukuritë e tij, po kështu edhe kur vargëton misteret e besimit. Në poezinë e Prennushit, bota lëndore vështrohet si një ndër arsyet e shkatërrimit të njeriut, për shkak të paaftësisë për t’u vetëpërmbajtur dhe të lakmive të pangopura vetjake.
Shkruan At Justin Rrota: “E n’atë mënyrë qi At Fishta mund të thirret për kah trajta e gjuhës poeti i Gegnìs, pse dijti me i a vjedhë popullit të malit e të fushës bukruìt mà të pikaturat e të shprehunit, kështu Prennushi mund të mbahet si poeti i qytetit të vet, mbassi gjithshka gjeti të hijshëm në fjalë e në frazeologji të këtij dialekti e mblodhi si bleta dhe e vendoi me shije të madhe ndër shkrimet e veta”.
Më 1947 imzot Vinçenc Prennushi u arrestua nga komunistët në Tiranë e më pas u nis për në Burgun e Durrësit, ku edhe vdiq më 19 mars 1949 në një natë të errët e të acartë, duke kërkuar “më shumë dritë e duke mbrojtur deri në frymën e fundit, vlerat, idealet e bindjet e veta. Shkruan mes tjerash Arshi Pipa, që ia mbylli sytë e vdekur “...asht vështirë me pranue se gjithçka mbaron me trupin, kur vërejmë qysh njerëzit vdesin për ideale”.
Procesi i beatifikimit të imzot Vinçenc Prennushit dhe 39 martirëve të tjerë shqiptarë ka filluar më 9 nëntor të vitit 2002 në Kishën katedrale të Shkodrës, në prani të kardinalit Sepe, aso kohe prefekt i Kongregatës së Vatikanit për Ungjillëzimin e Popujve.







All the contents on this site are copyrighted ©.