2012-03-16 17:06:28

Shtegtimi i Papës në Meksikë e në Kubë një udhëtim për të zgjuar shpresën


Nga 23, deri më 29 mars, Papa do të jetë në Meksikë e në Kubë. Sot paradite, kjo vizitë apostolike u paraqit në Sallën vatikanase të Shtypit.Bari e shtegtar. Kështu do të jetë së shpejti Papa, në udhëtim drejt Meksikës e Kubës. E sot paradite ne Vatikan, vizita papnore u paraqit në aspektet e saj të ndryshme, në takimin e drejtorit të Sallës vatikanase të Shtypit, atë Federiko Lombardi, me gazetarët.

Është shtegtimi i 23-të apostolik ky, që do të nisë së shpejti Ati i Shenjtë drejt Meksikës e Kubës. Të ndryshme, arsyet e dy etapave: kryesisht, përkujtimi i 200-vjetorit të pavarësisë së Meksikës dhe i 400-vjetorit të gjetjes së figures të Zojës, nën emërtimin Virgen de la Caridad del Cobre, Pajtore e Kubës. Në të dy vendet është ende i gjallë kujtimi i vizitave të Gjon Palit II: pesë, në Meksikë, dhe një e gjashtë, simbolike, që përfundoi më 31 dhjetorin e kaluar, gjatë të cilit reliket e të Lumit Karol Vojtila shtegtuan në të 91 dioqezat; ndërsa më 1998, Papa polak pati shtegtuar në ishullin karaibik.
Të ndryshme, edhe çastet e kësaj vizite, që do të fillojë më 23, për të përfunduar me 29 mars. Benedikti XVI do të vizitojë qytetet meksikane Leon dhe Guanajuato, qendër gjeografike e trojeve meksikane, që shkelet për herë të parë prej një pape. Pikërisht në Leon, të dielën, më 25 mars, do të kremtohet Mesha Shenjte në parkun e Dyqindvjetorit të Pavarësisë, hapësirë e gjerë, kushtuar luftës kombëtare meksikane. Ndërsa etapat kubane do të jenë Santiago e Havana, me vizitën në Shenjtëroren e Zojës së Kobres, Nënës së dashurisë së krishterë, figure e Marisë, rreth së cilës prej dy shekujsh mblidhet me devocion të thellë mbarë populli kuban.
Në këtë shtegtim Papa dëshiron të përqafojë gjithë Amerikën. E, simbolikisht, edhe do ta përqafojë: në takimet e ndryshme, do të jenë të pranishëm ipeshkvijtë e të gjitha vendeve të Kontinentit. Në të dy shtetet, Ati i Shenjtë do të takohet me autoritetet më të larta civile e fetare. Duke iu përgjigjur njërës nga pyetjet e gazetarëve mbi një takim të mundshëm me Fidel Kastron, liderin e vjetër kuban, i cili prej ndonjë viti ia lëshoi presidencën të vëllait, Raul, atë Lombardi sqaroi se është një hamendje jashtë programit, por që nuk mund të përjashtohet. Drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit ripohoi edhe qëndrimin e Selisë së Shenjtë lidhur me embargon amerikane, ende në fuqi kundër Kubës:

“Selia e Shenjtë mendon se embargoja ka si pasojë vuajtjet e popullit e, prej këndej, nuk e arrin qëllimin për të krijuar kushte më të mira jetese, prandaj Selia e Shenjtë nuk e shikon si masë pozitive, të nevojshme”.Si në Meksikë, ashtu edhe në Kubë, po jetohet me entuziazëm në rritje, atmosfera e pritjes së Papës, parë si çast shumë i rëndësishëm për t’i përforcuar në fe të dyja vendet me traditë të thellë të krishterë, në dritën e misionit kontinental, nisur nga vetë Benedikti XVI më 2007-ën në Aparesida të Brazilit, me rastin e Konferencës së Ipeshkvijve të Amerikës Latine.







All the contents on this site are copyrighted ©.