2012-03-16 17:06:03

Kongregata për Doktrinën e Fesë ka një faqe të re interneti


Doctrinafidei.va është faqja e re e internetit e Kongregatës për Doktrinën e Fesë, e cila synon të lehtësojë konsultimin e dokumenteve, që i përkasin këtij dikasteri. Lajmi u dha sot nga Salla e Shtypit e Vatikanit, duke saktësuar se dokumentet do të vazhdojnë të ruhen në faqen zyrtare të Selisë së Shenjtë, siç është bërë deri tani.
“Siç dihet – shpjegon nota – dokumentet e Kongregatës për Doktrinën e Fesë, miratuar nga Ati i Shenjtë, bëjnë pjesë në Magjisterin e zakonshëm të Pasardhësit të Shën Pjetrit. Kjo shpjegon rëndësinë e kuptimit të qartë të tyre nga ana e besimtarëve, por sidomos nga ata, që në emër të Kishës, impenjohen në studimet teologjike e baritore. Nga ana tjetër, në botën e sotme, është e nevojshme përhapja më e madhe e mësimeve të Dikasterit”.
Në faqen e re të internetit pasqyrohen të gjitha dokumentet e Kongregatës pas Koncilit II të Vatikanit. Më kryesorët janë përkthyer në tetë gjuhë: latinisht, frëngjisht, anglisht, italisht, portugalisht, spanjisht, gjermanisht e në polonisht. Nganjëherë gjenden edhe variantet në hungarisht, sllovakisht, çekisht e hollandisht. Dokumentet ndahen në tri lista tematike: ato me natyrë doktrinore, ato me natyrë disiplinore dhe ato, që kanë të bëjnë me sakramentet. Gjithashtu, në Doctrinafidei.va publikohet kolana “Dokumente e Studime”, me interpretimet e teologëve më të njohur; jepen lajme mbi Simpoziumet e Kongregatës dhe botohen fjalimet e kardinajve prefektë.







All the contents on this site are copyrighted ©.