2012-03-16 18:49:38

Atë Federiko Lombardi: Papa në Meksikë e në Kubë, bari e shtegtar!


Nga data 23 deri më 29 mars, Benedikti XVI do të shkojë për shtegtim apostolik në Meksikë dhe në Kubë. Zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi reflekton sot mbi motivet e kësaj vizite. Ta dëgjojmë mendimin e tij:
“Arsyet e udhëtimit të Papës në Meksikë e në Kubë, pas pak ditësh, janë të shumta e përsëriten prej kohësh. 200-vjetori i pavarësisë së popujve latinoamerikanë, dëshira e madhe e meksikanëve për të pritur Papën, 20-vjetori i marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Meksikës e Selisë së Shenjtë, 400-vjetori i gjetjes së figures së Zojës së Dashurisë së krishterë të Kobres, Pajtore e Kubës, dhe viti jubilar për këtë, e kështu me radhë.
Këto janë raste për vizitën, por në qendër të çdo udhëtimi të Papës, në vendin e parë, është shërbimi i tij si bari i Kishës universale, që – sipas mandatit të Krishtit – përforcon në fe vëllezërit e vet. Megjithatë, ndoshta mund të vihet në dukje një ngjyrim i veçantë i këtij udhëtimi në zemër të kontinentit amerikan. Me siguri, do të jetë udhëtim shprese.
Për të zgjuar shpresën e meksikanëve, popull me burime e mundësi të jashtëzakonshme, por me probleme të vështira, që rëndojnë mbi të tashmen e të ardhmen, duke filluar nga dhuna - dramatike.
Për shpresën e kubanëve, që ndodhen në prag të një epoke të mundshme të re, gjatë së cilës, fjalët profetike të Gjon Palit II mbi hapjen e ndërsjelltë të Kubës e të botës, të realizohen në një atmosferë zhvillimi, lirie e pajtimi.
Për shpresën e mbarë Amerikës Latine, ku Kisha, e impenjuar në ‘misionin kontinental’ të filluar në Asamblenë e Aparesidës, dëshiron të vazhdojë të japë kontributin e saj për të frymëzuar hapat e kontinentit, që vlerat njerëzore e kristiane të garantojnë zhvillimin e gjithanshëm të personave, pavarësisht nga vështirësitë e rreziqet e kohës sonë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.